Gjuha si mjet shpëtimi apo rrënimi?

Ky nuk është një kod heshtjeje!

Në një botë ku gjithçka po ecën me ritme të shpejta, ku gjithçka nxiton e hapësirat janë duke u bërë inekzistente për shkak të të ashtuquajturit proces globalizimi, me zhvillimin edhe të teorive të komunikimit, çdo ditë e më shumë po i kushtohet rëndësi gjuhës, të folurës, komunikimit, qoftë përmes ngritjes së strukturave fizike, qoftë edhe përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, apo edhe atij virtual.

Le të kthehemi që në gjenezë të njeriut. Gjuha si mjet komunikimi apo edhe si organ fizik, ka pasur dhe ka një vlerë të madhe e të paçmueshme, por forma dhe mënyra e komunikimit ka evoluar, nga epoka në epokë, nga shekulli në shekull, e madje nga viti në vit.

Ashtu siç çdo gjë është në dualizëm madje edhe vetë jeta jonë përsillet mes së mirës dhe së keqes edhe gjuha përbën një dualizëm ku ne duhet të zgjedhim, të ngjitemi në majë apo të zhytemi në greminë, sigurisht të drejtën për të zgjedhur e kemi në dorë ne.

Por sidoqoftë kur një gjymtyrë e tillë keqpërdoret ajo kthehet në një mjet të dëmshëm që e çon njeriun në rrënim e fatkeqësi dhe që i shkatërron atij jetën.

Dy gjëra të mëdha, siç janë besimi dhe mosbesimi, sipas meje, njëra si e mira më e madhe dhe tjetra si e keqja më e madhe, pa dashur të ofendoj ata që nuk besojnë, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për besimin në Zot, por besim në të gjitha kuptimet që kjo fjalë mbart, të dyja këto shprehen dhe manifestohen nëpërmjet gjuhës. E gjithë ekzistenca e njerëzimit, ngrihet mbi këtë mjet komunikimi, pra gjuha është një mjet që i ndërlidh njerëzit, por, në varësi të përdorimit, prej saj buron e mira dhe e keqja, pra, gjuha paraqitet si një shpatë me dy tehe.

Fuqia e gjuhës si organ në trupin e njeriut përmes funksionit primar që ajo mbart (të folurës), dhe niveli i saj i ndikimit e depërtimit, është shumë herë më i lartë se ai i organeve të tjera si syri, veshi apo dora, ky njëri përfshin ngjyrat dhe figurat, tjetri dëgjon dhe i njeh tingujt, tonet, e tjetra prek sende, objekte, pra të gjitha këto organe e kanë një kufi, ndërsa gjuha nuk pranon kufij e kufizime të tilla, por depërton dhe hynë në lartësitë dhe thellësitë e paramenduara. Ajo përpiqet që çdo dukuri t’a zbërthejë dhe t’a definojë qartë.

Ajo depërton në fijet më të holla të zemrave tona, depërton në mendje dhe në shpirtin e njeriut, e në këtë rast në varësi se si individi e përdor atë, ajo mund të kthehet në një mjet të fuqishëm shpëtimi, po aq sa edhe rrënimi.

Ajo mund të afirmojë të mirën, të kultivojë dashuri dhe të zhvillojë marrëdhënie të ndërsjella, por mundet gjithashtu t’a përligjë të mirën, të nxisë urrejtjen dhe të shkatërrojë marrëdhëniet njerëzore, duke u kthyer në një mjet të rrezikshëm shkatërrues.

Në këndvështrimin religjioz ajo bëhet mjet për të fituar Parajsën apo Ferrin.

Në të gjitha besimet fetare e veçanërisht në atë Islam, ruajtja e gjuhës është garanti më i madh (pas ruajtjes ndaj imoralitetit) për përfundimin e suksesshëm të njeriut në Ditën e Llogaridhënies përpara Zotit[1]

Fjalët profetike se, kush beson le të flasë të vërtetën ose le të heshtë[2] tregojnë pikërisht për këtë fakt.

Një fjalë e vetme mundet që të shkatërrojë një perandori të tërë të së mirës, por po ashtu në anën tjetër mund të shembë e rrafshojë një mal me të këqija. Kështu, gjuha mund të jetë shakatar i shpëtimit dhe lumturisë, ashtu siç mund të jetë shkaktar i shkatërrimit dhe fatkeqësisë.

Gjeneratat e para të myslimanëve qartazi e kanë definuar këtë organ të vogël në trupin e njeriut dhe janë kujdesur që t’a kanalizojnë lëvizjen e tij, derisa aktivitetin e saj kanë tentuar ta drejtojnë drejt artikulimit të të vërtetës dhe të manifestimit të së mirës (Dr. Shefik Kurdiq), ky dhe duhet të jetë postulati i çdo njeriu, pa dashur të vendos veten në rolin e këshilluesit, pasi nuk jam dhe nuk e shoh veten meritor i këtij roli.

Të flasësh është një mirësi dhe përmes gjuhës njeriu arrin në më të lartat kopshte të parajsës duke ngritur fronin e vet në majën e besnikërisë hyjnore. Por po ajo gjuhë mund t’i përgatisë njeriut edhe rrënimin, sepse njëkohësisht ajo është mjet edhe për mohimin, fyerjen sharjen, pra është edhe mjet përmes së cilës bën mëkate. Gënjeshtra përgojimi shpifja gjithmonë shprehen prej gjuhës, çka e bën njeriun të bjerë më lehtë pre e mashtrimit.

Edhe përfundimet e mbretërve të Indisë, Kinës, Persisë[3] dhe Bizantit, kanë aktualizuar rrezikun e gjuhës dhe kanë konstatuar dëmin e saj të madh dhe veprimin shkatërrues.

Nëse nuk e di apo nuk je i kujdesshëm në përdorimin e etikës në të folur na raport me temën, pozitën dhe bashkëbiseduesin, as që e vë re se si rrëzohen një nga një bredhat e zemrës së atij që ke përballë, e aq më tepër në komunikimin publik, ku të lënduarit nga gjuha e pakontrolluar janë edhe më të shumtë dhe niveli i dëmit të shkaktuar është edhe më i madh.

Shkelja e kësaj etike, buron nga sjelljet sipërfaqësore. Apo siç thotë edhe një shprehje “njeriu i pagdhendur e ka zemrën në majë të gjuhës, ndërsa i mençuri e ka gjuhën në pikën më të thellë të zemrës.”

Një autor mjaft i njohur thotë së ata që nuk i japin hakun shpirtit, vullnetit, thjeshtësisë dhe etikës, nuk mund të jenë të sjellshëm. Në shumicën e rasteve zemrat thyhen prej atyre që nuk janë të ndjeshëm në përdorimin e gjuhës.

Më i përkryeri i njerëzimit Profeti Muhamed edhe në këtë rast përbën një shembull unik. Ai edhe duke shprehur gjëra që për ne janë krejt të natyrshme e të zakonshme, flet me një etikë aq të thellë e aq të veçantë, saqë edhe atë çka për shumë prej nesh mund të duket e padenjë, ia del ta kthejë në një tablo të këndshme për sytë e shumë njerëzve njëkohësisht.
Pasi edhe këshilla e tij ishte se njeriu duhet të karakterizohet nga mirësjellja në të folur.

“Përdoreni gojën brenda kufijve të së lejuarës, që unë t’ju garantoj parajsën”, tek kjo fjalë e vetme gjenden qindra e qindra të vërteta të pashprehura dhe çështje ndaj të cilave ne tregojmë fare pak vëmendje.

Nëse do të më kërkonin të jepja një konkluzion se cili është efekti më i madh i gjuhës, shpëtimi apo rrënimi, këtë nuk e di, por dihet se ajo çka ndjehet më shumë është shkatërrimi, pasi kjo situatë prodhon të lënduar.

Çdo gjë e ka një zgjidhje! Mendoj se neutralizimi i efektit shkatërrues të gjuhës mund t’a bëjmë vetëm duke zbuluar dhe bllokuar të gjitha kanalet me të cilat ajo fuqizohet (në aspektin negativ të saj), dhe kjo gjë me siguri do të pengojë dëmet dhe gjërat negative që mund të ndodhin më pas.

Kjo mund të arrihet duke eliminuar të folurit e panevojshëm, mosteprimi, pra të mos llomotitim më tepër se ç’duhet; të mos flasim për ato gjëra që nuk përbëjnë interes për ne dhe për rrethin në të cilin jetojmë, por ky nuk është një kod heshtjeje siç do të mund ta quanin disa që pretendojnë se mbrojnë lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes është tjetër gjë dhe të folurit kot dhe dëmshëm me qëllim apo pa qëllim tjetër gjë; të mos zbulojmë të metat e njerëzve të tjerë. Këtu nuk e kam fjalën për korrupsionin, ryshfetin, padrejtësinë, abuzimet apo shkeljet e ligjit, etj., pasi këto duhen denoncuar fuqishëm, apo edhe gjëra të tjera që janë në dëm të shoqërisë, por e kam fjalën dezinformimin, keqinterpretimin për qëllime të caktuara, përgojimin dhe thashethemet e përhapura masivisht ndër ne.

Në çdo normë morale, ligjore, shkencore e aq më tepër fetare, përgojimi është tehu më i rrezikshëm i gjuhës dhe një prej dëmeve më të mëdha të njerëzimit vijnë si pasojë e këtij tehu; të mos flasim për të metat dhe mëkatet tona personale, me qëllim minimizimin e dëmit të tyre dhe ndikimit te të tjerët. Kjo nuk ka të bëjë me narcizmin, për të gjithë ata që po e mendojnë këtë.

Gjuha e përdorur në media, termat e gabuar të përdorur me dashje apo qoftë nga injoranca, prekin njerëzit dhe krijojnë stereotipe të dëmshme dhe të panevojshme për shoqërinë (shembull, “terrorist islamik” – një term që nuk është aspak i saktë, pasi terrori siç të gjithë e dinë nuk ka lidhje më racën, kulturën, popujt, e aq më tepër me fenë, e konkretisht me fenë Islame, e cila në vetvete nënkupton paqen).

Gjuha është një shpatë me dy tehe, cilindo teh që ta aktivizojmë, varen edhe pasojat të cilat do t’i ndiejmë në jetën e përditshme. Ajo mund të zhvlerësojë veprat tona më të mira, vepra në të cilat kemi derdhur mundin tonë, punën dhe përpjekjet dhe t’i bëjë ato përnjëherë të padobishme dhe të padukshme. Por nga ana tjetër asnjë organ njerëzor nuk mund t’a relaksojë njeriun, t’ia rehatojë shpirtin e tij, sikurse që mundet ana tjetër e tehut të gjuhës!

Atëherë përse të mos e përdorim gjuhën tonë që të jetë në dobinë tonë, në dobinë e të tjerëve, shoqërisë apo njerëzimit.

E ripërsëris, ky nuk është një kod heshtjeje!

 

[1] “Kush më garanton për atë që është ndërmjet nofullave të tij dhe për atë që është ndërmjet këmbeve të tij, unë ia garantoj Xhenetin”, Profeti Muhamed.

[2] Profeti Muhamed “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, le të flasë të vërtetën ose le të heshtë”.

[3] “Kur e them një fjalë, ajo bëhet zotëriu im dhe unë nuk mund t’a kontrolloj, ndërsa kur nuk e them, unë jam zotëriu i saj, unë e kontrolloj atë dhe jo ajo mua”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: