Frymimet, për të cilat jemi të etur
Shumë gjëra kemi dëgjuar. Shumë gjëra kemi parë dhe në vorbullën e sa e sa ngjarjeve e kemi ndierë veten teksa shkundemi rëndshëm. Mirëpo nuk e hodhëm që nuk e hodhëm dot tej mërzinë, që të mund të arrijmë gëzimin në shpirt. Nuk u ngopëm dot në ndjenja dhe kurrë nuk e ndiem veten tërësisht të bindur. Sepse, të tjera i patëm nevojat, e krejt të tjera qenë të gjitha rrugëzgjidhjet që na u ofruan për t’i plotësuar ato.
Sepse ne po prisnim që të vinte një kalorës që do t’i vërsulej fajtorit dhe mëkatarit; që do të vajtonte së bashku me çdo zemër të thyer. Një apostull, fjala e të cilit të ishte serioze, të folurit t’i kish ndikim dhe shpirti t’i vlonte…
Për vite me radhë ndenjëm duke pritur që të vijnë këta heronj të së vërtetës, besimi dhe dija e të cilëve të ishte e qëndrueshme si malet, ndaj të cilëve ne do të mund t’i çelnim me sinqeritet shpirtrat tona, për të treguar gjithë ç’kish brenda syresh, dhe që do të mund të ndiheshim të sigurt, nëse do t’i pranonim këshillat e tyre qetësuese. Megjithëse uria, sëmundjet dhe frikërat nuk reshtën kurrë së ndjekuri njëra-tjetrën, shpirtrat na i kapluan mjerimet më të turpshme, derisa i brejtën, dhe duke na e sfilitur vullnetin, nga shpresa që ndriçonte në fytyrat tona ne sikur i ndienim më pranë se kurrë ato frymimet ringjallëse të tij dhe kjo shpresë na bënte të ndiheshim edhe më të gjallë.
Sikur të mund t’i kishim gjetur të gjitha ato që kemi ndierë gjer më sot dhe të mund t’u kishim besuar atyre që gjetëm, shumë hapësira do të ishin mbyllur e do të ishin kapërcyer shumë prej gjërave të pakapërcyeshme. Mirëpo, ne u bashkuam me mijëra herë, me mijëra herë u mbushëm me shpresë, u përgatitëm me mijëra herë për të hyrë në atmosferën e premtuar, por me mijëra herë e shkelëm premtimin e dhënë; sepse nuk e gjetëm dot atë që kërkonim, teksa mes atyre që ne gjetëm nuk kishte asgjë prej asaj që ne kërkuam!
Sa e sa zemra kishte, që ishin të etura për dhembshuri dhe dashuri. Kërkonin njerëzi; kërkonin mbarësi. Por, ç’mjerim! Shpirtrave tona u jepej të pinin veç mjerim, ndërsa zemrat orvateshin të na i mësonin sa më shumë me njëmijë e një lloje ashpërsish. Viktimat e padrejtësisë, të dhunuarit dhe njerëzit kokëulur i shtynin sa nga e majta në të djathtë, sa nga e djathta në të majtë, mes spazmash që nuk dinin të reshtur dhe ne që hanim vetveten dalëngadalë. Pavarësisht të gjitha atyre “pushtimeve, robërimeve, sundimeve, poshtërimeve; vënieve
përfundi të panumërta dhe gjendjes së vajtueshme të mjerimit tonë, të prekur prej sëmundjesh të llojllojshme, ne dhunoheshim pandërprerë, duke u bërë vegla në duart e ambicieve që nuk ditën kurrë të ngopur.
Prandaj edhe ne nuk i besojmë dot më askujt dhe nuk lidhemi dot fort pas çdo zemre që na afrohet. Teksa kërkojmë “të bukurën që po mbledh trëndafila”, duam të gjejmë “ato faqe të kuqe”, teksa kërkojmë “fitimtarin e Hajberit”, presim që me të të na vijë edhe Kanberi. E gjejmë apo nuk e gjejmë dot; neve na ka ardhur shpirti deri fare pranë buzëve, nuk duam asgjë tjetër, pos qashtërsisë, sinqeritetit dhe mospritmërinë e rrugës së këtyre të të dashuruarve të pashoq.
Pasi u lamë kaq shumë pas dore dhe u tradhtuam pa prà, e kemi të pamundur që t’i mundim dyshimet që na pushtojnë, t’i trajtojmë me mirëkuptim ata që na qasen gjatë jetës, sepse na duket sikur po tregohemi naivë e të përhumbur. Po, pavarësisht mirëpandehjes dhe mirëkuptimit tonë, e kemi të pamundur që t’i kapërcejmë dyshimet lidhur me këtë çështje dhe e kemi të pamundur që të mund të dalim prej kësaj atmosfere të mosbesimit.
Që ne t’u besojmë atyre dhe të mund t’i mundim dyshimet që kemi, kjo varet veçse nga vazhdimësia e veprimit që rrezaton sinqeritet i heronjve tanë. Në saje të këtyre sjelljeve të tyre, të cilat të ushqejnë besimin, edhe ne do të mund të çlirohemi prej barrës së rëndë të mëkatit të keqpandehjes dhe mungesës së besimit që kemi mbajtur mbi shpinë për vite me radhë.
Ne u mërzitëm nga thirrjet e bëra vetëm me fjalë dhe nga joshja e stisur në sjellje; nga heroizmat e sajuar për fitoret e korrura; nga ethet e dëshirës për të jetuar; nga dëshira për pozita dhe ambicia e verbër për të ardhmen. Ne presim prej Herkulit tonë një vullnet aq të madh sa për të na prurë ujë prej malit të Kafit; për një vendosmëri që të ndjell besim në sjelljet e tua; për një përpjekje që fitoret kërkon t’i arrijë me dritën e syve dhe djersën e duarve të veta; për mospritmëri, dëshirë për të jetuar për hir të jetësimit të të tjerëve dhe sakrificë deri edhe për ndjenjat të epërme të arritjeve materiale e shpirtërore.
Që ai të ketë mendime të kulluara e pa grimcën më të vogël të pluhurit; rrugët e të cilit të jenë të drejta, pa pasur kurrfarë zig-zagu. Të mendojë, të jetojë dhe të jetë përkthyesi më i mirë i asaj që ai përpiqet të jetësojë, duke ua mësuar edhe të tjerëve. Të mos jetë hipokrit dhe të mos na mashtrojë…!
Në fytyrë t’i dallohen rrudhat e mijëra vuajtjeve dhe shqetësimeve! Sytë t’i ketë të mbushura me lot, kraharorin ta ketë të thellë dhe ndërgjegjen të zgjuar në çdo grimëçast…! Të frymojë veç ndjenjën e llogaridhënies dhe fisnikërinë e teqesë, logjikën dhe të gjykuarin e shkollës dhe bindjen e disiplinën e kazermës, me të cilat ai të na shprehë neve përsosmërinë e tij…!
Që të mund ta përbashkojë me natyrën e vet njeriun tonë, të cilit ia kanë veçuar mendjen nga zemra, ia kanë bjerrur shpirtin nga ndërgjegjja dhe e kanë thirrur në takimin e madh vetëm me një pjesë të organeve, duke e shpëtuar kësodore prej depresionit shekullor ku e kanë futur.!
Ta mbajë sa më lart nderimin për më të Drejtin; të mos bjerë në kurthin e monopolit në mendim dhe shërbim, e të mos e harrojë për as edhe një çast të vetëm se rrugët që të çojnë për tek Allahu (xhel’le xhelaluhu) janë aq të panumërta sa ç’është numri i të gjitha frymëmarrjeve të të gjitha krijesave!
Të jetë sa më i shkathët në shërbim dhe të gjendet gjithmonë në radhën e parë; të mos e heqë nga mendja se ai duhet të qëndrojë shumë mbrapa kur bëhet
fjalë për pagesë dhe shpërblime. Më e pakta, njësoj si Katoni[1], pasi të ketë kryer detyrimet që ka ndaj njerëzve të tij, të veçohet, për t’iu larguar posteve, pozitave, duke pritur kohën e ndonjë detyre a përgjegjësie të radhës!
Trimat e parë të kësaj bote njerëzish të bekuar qenë larguar menjëherë, një t’iu ofruar që të drejtojnë një territor të caktuar. Por edhe kur kanë qenë të detyruar që ta pranojnë këtë përgjegjësi, ata kanë bërë përpjekje pas përpjekjeje për t’u liruar nga detyra, derisa ia kanë arritur, duke kërkuar që ajo detyrë t’u jepej atyre që janë më të aftë dhe që e meritojnë më shumë atë…
Ata që e kanë marrë përsipër projektin e një ringjalljeje të re duhet të jenë medoemos të prirur në këtë drejtim. Në të kundërt, lufta që do të nxjerrin të gjithë ata sy të panumërt e pa kufi përkundër një sasie të caktuar postesh e pozitash ka për të qenë e pandalshme dhe shumë e egër. Sidomos nëse kjo atmosferë do t’u ofrohet e gatshme edhe emocioneve fëminore dhe rinore…
Nuk e di, nëse ne do të mund t’i shohim këta njerëz që frymojnë sinqeritet, të cilët ne i presim si apostuj..? megjithatë, ne do ta theksojmë edhe njëherë se ne kemi nevojë për këto frymime që na premtojnë “ujin e jetës”, njësoj siç kemi nevojë për ajrin dhe ujin, ndaj, me gjuhën e peshkut në det dhe të sorkadhes në mal, të lutemi që Krijuesi i Madhërishëm të mos na lërë që presim edhe shumë gjatë.
[1] Katoni ~ Një komandant romak shumë modest, i cili në kohë lufte luftonte i paepur dhe e çonte ushtrinë drejt fitoreve, ndërsa në kohë paqeje nuk pranonte të merrej me asgjë tjetër, pos punimit të tokave të tij.