Ç’u përfton namazi individit dhe shoqërisë

Namazi disiplinon jetën e besimtarit
Namazi i falur pesë herë në ditë luan rol të madh në disiplinimin e jetës së besimtarit. Kryerja e vazhdueshme e namazit në kohë të caktuara e mëson besimtarin me disiplinë shpirtërisht dhe trupërisht, materialisht dhe kuptimisht. Veçanërisht lidhja pas imamit në namazet me xhemat u mëson besimtarëve një disiplinë ushtarake. Kur imami të thotë “Allahu Ekber”, atëherë është ai që flet dhe që i lutet Zotit me zë të lartë. Në të njëjtën kohë, ai kryen detyrën e dorëzanisë për besimtarët. Tekbiret e imamit, si direktiva, e bën tërë xhematin të ulet e të ngrihet. Nga ky këndvështrim, në xhemat ka një disiplinë morale e shpirtërore të lartë e sublime. Format e disiplinimit të lartë të një xhemati ideal dhe të shoqërisë besimtare mund të gjenden vetëm në namazin e falur pesë herë në ditë. Pa dyshim, kjo disiplinë është, para së gjithash, një disiplinë shpirtërore, ideore dhe morale. Në disiplinën e namazit mungon ftohtësia e disa disiplinave të tjera. Çdo veprim adhurimi i jep njeriut një ndjenjë të ngrohtë dhe disiplinë. Ky veprim vazhdon gjatë gjithë jetës.
Namazi e pengon njeriun nga teprimet
Allahu (xh.xh.) thotë në Kuran: “… me të vërtetë, namazi pengon nga paturpësitë dhe të këqijat.” (Ankebut, 29/45) Me aspektet e tyre negative, teprimet, veprimet e turpshme dhe mohimet e largojnë besimtarin nga afërsia ndaj Allahut. Në çdo mëkat në vetvete ka një rrugë që shkon për në mohim. Mëkati i kryer në mënyrë të përsëritur ia lehtëson njeriut mohimin. Vetëm namazi, meqë është afrim dhe afërsi ndaj Allahut, e mbron njeriun nga të gjitha llojet e mëkateve, krejt si një rrufepritëse. Natyrisht, nëse namazi është namaz me kuptimin e plotë të fjalës. Siç shprehet edhe në ajetin e mësipërm, namazi i falur në përshtatje me kuptimin e vërtetë dhe frymën e tij, e pengon njeriun nga çdo lloj e keqe, paturpësi dhe teprim. Kurse në adhurimin e kryer në mënyrë të pavetëdijshme, nuk mund të bëhet fjalë për një fuqi të tillë parandaluese. Kështu, në suren Maun, Allahu (xh.xh.) thotë: “… sa keq për ata që falin namaz por që janë indiferentë ndaj namazit të tyre!” (Maun, 107/4-5) Domethënë se në namaz është një fuqi që e mbron njeriun nga të këqijat dhe se kur namazi nuk falet si duhet, njeriu e ekspozon veten ndaj mëkateve. Meqë e përfaqëson afërsinë, namazi kërkon edhe një besnikëri të lartë. Kuptimi i kësaj është kështu: Besnikëria që tregon njeriu ndaj namazit, bën që edhe namazi të tregohet besnik ndaj tij në përpjesëtim të drejtë me dëshirën e njeriut për namaz dhe përparësinë që i jep ai namazit, dhe t’ia verbojë njeriut ndjenjat e së keqes të hapura tek ai ndaj teprimit dhe mëkatit. Pra, në namaz kemi të bëjmë me besnikëri të dyanshme.
Namazi siguron qetësinë e zemrës
Kryerja e vetëdijshme e namazeve nga besimtari do të sjellë rregull në jetën e tij të parregullt dhe ekuilibër në zemrën e tij të çoroditur; duke ia ngritur në këmbë ndjenjat e rrënuara, do t’u lëshojë një dritë aspekteve të tyre të turbullta. Për rrjedhojë, njeriu do të gjejë mundësinë për të parë drejt, për të menduar drejt dhe për të folur drejt. Namazi i falur në mënyrë të vetëdijshme duke dalë pesë herë në ditë para Krijuesit, ka cilësinë për t’ia përftuar të gjitha këto njeriut me lejen e Allahut. Namazi edhe i bart, edhe i përfaqëson këto kuptime. Namazi i falur nga besimtari me seriozitet dhe përshpirtshmëri do të jetë namaz i vërtetë. Ndërkaq, për sigurimin e përshpirtshmërisë janë disa kushte që duhen plotësuar. Së pari duhet qetësia e zemrës, pastaj konceptimi i çështjes dhe, pastaj, lidhje pas Allahut me frikë dhe shpresë dhe, në fund fare, vajtje në audiencë para Allahut i turpëruar dhe i shqetësuar. Para së gjithash, ç’është qetësia e zemrës? Qetësia e zemrës është të mos dilet jashtë të gjitha këtyre kuptimeve të thëna dhe të shprehura në namaz. E shprehur me gjuhën e popullit, ashtu siç bartet kuleta me vete kur dilet në treg, ashtu dhe duhet të bartet zemra me vete kur shkohet në namaz. Sepse, nëse ka diçka tonën që ka vlerë para Allahut, ajo është zemra. Ju do t’ia jepni zemrën Allahut dhe, si shpërblim, do të merrni mëshirën dhe pëlqimin e Tij!

Postime të ngashme