Falu për hir të Zotit tënd
Duke kryer namazin rregullisht, me korrektesë dhe me vetëdije të plotë për rëndësinë dhe kuptimin e tij, myslimani rifreskon në kujtesën e tij qëllimin e krijimit dhe domosdoshmërinë për të zbatuar detyrimet e Islamit, duke qenë i bindur se bën këtë, për hir të dashurisë ndaj Allahut. Vetëm atëherë do të mund të përfitojë favoret e dëshiruara nga kryerja e namazit.
Në këtë mënyrë, namazi është një kujtesë e përhershme për Allahun dhe Madhështinë e Tij; i afron njerëzit te Allahu, është një udhërrëfyes për një mënyrë të jetuari më të drejtë; na largon nga veprimet e pamoralshme dhe të ndaluara; përbën një program, që vë nën kontroll dëshirat dhe pasionet e djallëzuara; pastron zemrën, zhvillon mendjen dhe qetëson shpirtin; zhvillon disiplinën dhe fuqinë e vullnetit; është një provë për ekuilibrin e vërtetë, bashkimin e qëndrueshëm dhe vëllazërinë universale.
Namazi është burim i durimit, kurajës, shpresës dhe besimit; është një mjet që siguron pastërtinë, dëlirësinë dhe përpikmërinë; zhvillon ndjenjën e mirënjohjes dhe butësisë. Namazi është demonstrimi i bindjes sonë ndaj Allahut.
Profeti Muhamed (s.a.s) ka thënë: “Ç’mendoni sikur dikush prej jush ta kishte pasur lumin para derës dhe për çdo ditë të ishte larë në të, a do të kishte mbetur papastërti në trupin e tij… Ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. Allahu me faljen e tyre i shlyen mëkatet.”