E mira nuk humbet kurrë
Të mirat e përditshme, përpjekjet dhe aksionet e vogla në rrugën e së mirës. Ndoshta në shikim të parë duken të parëndësishme, mirëpo në thelb ato janë shumë të rëndësishme! Kjo është detyrë e zemrës së besimtarit. T’u bësh mirë njerëzve, shtazëve, bimëve, gjithçkaje që ekziston.
Të qëndrosh në një rrugë të tillë, lypset zemër heroike. Duhet të jesh i mëshirshëm, të jesh punëtor, i sinqertë dhe i kujdesshëm. Të gjitha virtytet e kësaj bote t’i shndërrosh në vepra. Përkundër temperamenteve dhe sjelljeve të njerëzve, ndonjëherë të çuditshme, duhet ofruar dashuri e madhe, me të cilën Islami e ushqen zemrën e njeriut.
Për kryerjen e veprave të mira vërtet duhet guxim. Ndoshta historia kurrë nuk do të përmendë emrat e atyre, që dëshmuan përpjekjet e tyre në bamirësitë dhe trimëritë më të vogla. Ndoshta pas vdekjes askush as nuk do t’i kujtojë, e as nuk do t’i shënojë veprat e tyre. Ndoshta pluhuri i harresës njerëzore krejtësisht do ta mbulojë ekzistencën e tyre në këtë botë, por emrat e tyre nuk do të harrohen kurrë pranë Zotit të gjithësisë. E mira nuk humbet kurrë, po ashtu edhe vepërmiri nuk do të mbetet pa u shpërblyer.