Duhet ta dish mirë ç’është në dobinë dhe dëmin tënd…

Njeriu e ka për detyrë të dijë se ç’është në dobinë dhe në dëmin e tij. Gjithsecili duhet t’i dijë detyrimet e tij. Ç’ke për detyrë në raport me Zotin tënd? Ke për detyrë bindjen, obligimet dhe kërkohen prej teje si formë e pëlqyeshme, sunetet dhe adhurimet nafile.

Çfarë duhet të presësh ti nga Zoti yt? Asgjë prej gjëje! Ti je i falimentuar, sepse të gjitha këto vepra që bëre, qëndrojnë përballë disa mirësive me të cilat të ka pajisur Zoti.

Tani e vërteta duket më qartë. Dije se faji do të jetë argument kundra teje dhe bindja është mirësi në vetvete për ty, prandaj mund të thuash: ‘Unë u fala, e Ai të thotë: Unë të bëra që të falesh!’ Ti vazhdon të thuash: ‘Unë dhashë zekatin, e Ai të thotë: Unë ta mundësova diçka të tillë.’ Vazhdon ende: ‘Unë e përmenda Zotin tim, e Ai të thotë: Unë ta mundësova që të më përmendje!’

Atëherë, ti je borxhli kur bën faj dhe sërish borxhli edhe kur bindesh. Mendon se bindja që ke treguar do të bëhet shkaku kryesor për t’u futur në Xhenet, por qartësohu me fjalën e të Dërguarit të Allahut: “Askënd s’do ta fusë puna e tij në Xhenet. I thanë: “As ty, o i Dërguar i Allahut?” U tha: Jo, as mua, përveçse nëse Allahu më përfshin me mëshirën dhe mirësinë e Tij.”

As mos thuaj: ‘O Zoti ynë, Ti je Ai që ma ke shkruar bindjen, po ashtu edhe kundërshtimin.’ Çështja nuk qëndron kështu. Faji që është shkruar për ty është argument kundra teje dhe s’mund të të shërbejë si justifikim. Ajo mund të jetë e shkruar për ty, por kërko ndjesë dhe thuaj: ‘Më fal, më mëshiro, që të shfaqësh kështu nevojën tënde të flaktë për Të dhe jo të tregohesh kryelartë.’

Duhet ta dish që çdo bindje për të cilën je i kënaqur prej vetes dhe gëzohesh nëpërmjet saj, si për shembull, të jesh falur natën dhe të kesh agjëruar ditën, ajo mund të jetë kundra teje! Sepse ajo ka nevojë për falënderim dhe falënderimi ka nevojë për falënderim dhe kështu me radhë deri në fund.

Duhet ta mësosh se për çdo mëkat me të cilin ke turpëruar vëllain tënd, mund të jetë refuzim ndaj teje. Kjo ndodh sepse me turpërimin që i ke bërë atij, ti thuajse ke pastruar veten tënde. Pastrimi që i ke bërë vetes, është mendjemadhësi. Ndoshta Allahu do ta falë atë dhe do të të dënojë ty. Mund të jetë ai, i cili ka bërë mëkat, dhe ai mëkat t’i lërë pas ndjenjën e keqardhjes dhe pendimit të sinqertë. Në këtë rast, ti u tregove krenar dhe do të japësh llogari, e kështu je i refuzuar.

Duhet ta njohësh mirë atë që është në dobinë dhe në dëmin tënd. Nëse s’e njeh mirë këtë balancë, atëherë koha jote do të shkojë dëm dhe bashkë me të edhe detyrimi përkatës për atë kohë. Nëse ndodh kjo, atëherë do të jetosh në iluzion dhe s’ke për ta njohur kurrë të vërtetën.

 

Prof. Dr. Ali Xhumu’a

Përktheu: Aorel Senja

Postime të ngashme

%d bloggers like this: