Dobitë psikologjike të Agjërimit

Agjërimi është një ndër shtyllat kryesore të fesë islame dhe ndër burimet e pashtershme të begatisë shpirtërore dhe fizike. Te njeriu si qenie dualiste, i përbërë nga shpirti dhe materia, është një luftë e përditshme dhe e vazhdueshme që zhvillohet për të caktuar se cilit komponent do i lëshohet territori më lehtë. Të dyja këto na duan për vete, materia na tërheq vazhdimisht që t’i bëhemi robër të zotuar dhe është i vështirë dyluftimi me të sepse ajo na plotëson egon. Nga ana tjetër kemi shpirtin, i cili vazhdimisht dëshiron të na shohë të mirë e jo të ligë. Ai nuk dorëzohet asnjëherë në luftën për t’iu kthyer atij dhe për të qenë njerëz të vërtetë. Materia dhe shpirti kanë dy kahe të kundërta prandaj është shumë rëndë të vihet një balancë dhe të harmonizohen të dyja. Por përsëri mënyra ekziston, andaj është detyra jonë që t’i ekuilibrojmë të dyja këto komponenta brenda vetes.

Koha në të cilën ne jetojmë ka arritur kulmin e luksit, rehatisë fizike dhe botës materiale. Por çdo gjë materiale është e përkohshme sepse euforia e saj ka një përkufizim kohor që e bën materien të mos jetë gjithçka, prandaj edhe kur jemi të plotësuar materialisht ne ndjehemi bosh dhe jemi në kërkimin e diçkaje që na përmbush, e ai është shpirti ynë i humbur. Muaji i Ramazanit është një mysafir ideal për ne si muslimanë, sepse ai na rikthen fuqishëm në shpirtin tonë të humbur duke na lartësuar ngritjen shpirtërore. Karrikimi që ne marrim gjatë muajit të Ramazanit, na mban të fuqishëm për një vit dhe pikërisht kur materia fillon të na ngulfat, ai rikthehet fuqishëm për të na rimbushur përsëri.

Dobitë fizike të agjërimit i ka shpjeguar mjekësia, e cila vazhdimisht nxjerr në pah mirësi të pafundme për të cilat ne jemi dëshmitarë dhe vetë, sepse janë të dukshme. Por sa i njohim dhe i shohim ne dobitë psikologjike të këtij muaji të shenjtë, të cilat padyshim kanë një vend shumë të veçantë tek Zoti sepse edhe qëllimi i agjërimit, ashtu si i çdo adhurimi tjetër, është vetedukimi dhe pastrimi i shpirtit me qëllim për të reflektuar.

DOBITË PSIKOLOGJIKE

1. Besimi

Është një dobi shumë e madhe e agjërimit, ne jemi agjërueshëm falë tij. Besimi është si dashuria, ka uljet dhe ngritjet e veta, e këto lëvizje varen nga fakti se sa shpesh ne e ushqejmë atë me punë, përpjekje, meditim dhe lexim. Me qëllimin e vetëm që ai të ngritet në vazhdimësi sepse në të kundërtën fillon të venitet. Agjërimi si një adhurim shumëdimensional rikthen fuqishëm besimin e paluhatshëm, duke i rrënqethur zemrat tona dhe duke i gjallëruar shpirtrat tanë. Besimi është shtylla kryesore e jetës ku ne mbështetemi rehat dhe qetësohemi, është shtysa kryesore e motivimit për t’i vazhduar qëllimet që ne ia kemi vendosur vetes. Forca e brendshme që merret nga besimi automatikisht rrit dhe vetëbesimin. Ne sfidojmë veten me agjërim plot tridhjetë ditë dhe kjo na ndihmon të kemi një pasqyrë të pastër për veten sepse ne fillojmë ta njohim maksimumin që mund të japim nga vetja, e kjo njohje na mëson të besojmë në vete dhe këtë ne e quajmë vetëbesim.

2. Durimi

Është një dobi shumë e rëndësishme që ne e fitojmë gjatë këtij muaji, virtyt ky që na aftëson për t’i përballuar shqetësimet dhe vështirësitë pa u ankuar. Fakti se ne mbyllim vaktin e ngrënies para lindjes së diellit për ta hapur atë pas perëndimit të diellit, është dëshmitar i një durimi të theksuar që nuk e kemi pasur ditëve dhe muajve të tjerë. Nga ky frenim ne mësohemi që dëshirat tona t’i lëmë të fjetura dhe mos t’i zgjojmë menjëherë, siç ndodh ditëve tjera, por të presim kohën dhe vendin e duhur. Kafshët janë ata që nuk presin aspak në paraqitjen e një nevoje dhe është karakteristikë e tyre të plotësojnë nevojën në çast dhe jo e njerëzve. Megjithatë përsëri ne i bëhemi rob egos, andaj nuk kemi durim të presim që gjërat të vijnë ngadalë por i duam në çast. Pikërisht për këtë vjen agjërimi, që ta na edukojë shpirtin dhe trupin duke na mësuar durimin.

3. Vetëkontrolli

Është gjithashtu një dobi e madhe e agjërimit. Edhe pse ngjason shumë me durimin prapëseprapë nuk është e njëjta gjë. Nuk është e njëjta gjë sepse durimi na mëson neve si ta vonojmë dëshirën tonë për më vonë, por realizimi i kësaj dëshire do ndodh gjithsesi në kohën e duhur, në momentin kur ne do e kemi të lejuar të ushqehemi dhe të bëjmë gjitha gjërat që nuk na lejohen kur ne jemi agjërueshëm. Nga ana tjetër, vetëkontrolli ka për qëllim frenimin e diçkaje, duke mos lejuar veprimin e saj edhe më vonë. Vetëkontrolli është ai që na ruan nga injoranca dhe arroganca. Agjërimi kërkon që ti ta kontrollosh dhe ta frenosh vetën nga marazi duke u bërë sensibilizues. Edhe pse në fenë islame nuk lejohet aspak armiqësia, përgojimi, mallkimi, intriga dhe shumë vese tjera, përsëri natyra jonë njerëzore bie preh e këtyre provokimeve duke kaluar vijën e kuqe të ndalesës. E ky muaj kërkon nga ne shumë vetëkontroll dhe ndalon rreptësishtë edhe një pikë ligësie duke na kushtëzuar vetë Zoti me mospranimin e agjërimit.

4. Dashuria

Mrekullia e këtij muaji është vetë dashuria, sepse ne gjatë Ramazanit afrohemi edhe më shumë me familjarët tanë, të cilët i duam pa kushte por gjatë vitit harrojmë se ata janë pjesë e plotësimit dhe e lumturisë sonë të përditshme. Këtë muaj ne harmonizohemi me familjarët duke shtruar iftare dhe duke shëtitur gjatë gjithë muajit për iftare në shtëpitë e akrabave të ndryshëm vetëm për një qëllim, nga dashuria për njëri-tjetrin. Çdo ditë e këtij muaji është festë për ne sepse shtohet dashuria dhe zbuten zemrat.

5. Bamirësia

Ky muaj dallohet me bamirësi, sepse ndihmohet çdo njeri që është në nevojë, për të mos pasur dallime midis ushqimeve që shtrohen në tryezat tona, pra për të pasur përafërsisht të gjithë të njëjtin ushqim. Është muaji ku preferohet të jepet zekati (pjesë e caktuar e pasurisë tonë që u takon të varfërve) dhe fitrat. Dhurimi na e mbush shpirtin, na e shtyp egon dhe na bën bujar. Zoti na mëson se vetëm nëpërmjet dhurimit ne mund të bëhemi më të pasur si materialisht ashtu dhe shpirtërisht.

6. Organizimi

Muaji i Ramazanit është organizues i mrekullueshëm i jetës. Duke filluar që nga mëngjesi i hershëm deri në mbrëmjen e vonë, ai për çdo kohë ka plane të caktuara dhe aktivitete të ndryshme. Rregullon orarin e gjumit, ushqimin, kohën e lutjes, leximin dhe kohën e lirë. Ky organizim gjatë një muaji kthehet në stilin tonë të jetës dhe pas kalimit të tij ne duhet të organizojmë jetën në një stil tjetër. Dobia qëndron në faktin se ky muaj na aftëson, duke na dhënë një model të përkryer, për të riorganizuar jetën e çorganizuar jashtë tij. Agjërimi ka dobi të pafundme por, këtu, ne përmendëm vetëm disa si më të spikaturat, të cilat ndikojnë thellë në personalitetin e individit duke na bërë të fortë shpirtërisht dhe moralisht. Qëllimi i agjërimit nuk është që ta bëjmë ndryshimin te vetja dhe të jemi të mirë vetëm për një muaj, por ka për qëllim që praktika e agjërimit të rrënjëzohet si shprehi dhe të vazhdojë përgjatë tërë vitit, dhe tërë jetës. Sikur në çdo agjërim ne të fitonim nga një shprehi kaq fisnike duke e ngulitur atë thellë në personalitetin tonë, ne nuk do binim kurrë pre ngacmimeve të jashtme që na sulmojnë çdo ditë psikologjinë tonë, sepse do ishim të lumtur dhe komod brenda vetes.

 

 

 

 

Postime të ngashme