Dobitë e bindjes mbi ringjalljen dhe jetën e pasme

Pas besimit te Allahu, rregullimi i jetës dhe vënia e saj në një regjim të caktuar për të siguruar qetësinë kolektive e të përgjithshme të njerëzimit, të gjitha këto varen nga besimi mbi ringjalljen dhe grumbullimin, domethënë, për jetën pas vdekjes.

Nuk mund të mendohet që njeriu i cili nuk beson se do të japë llogari për gjërat që bën, ta ketë jetën të drejtë. Përkundër kësaj, jeta e njeriut i cili në çdo hap që hedh, s’e nxjerr kurrë nga mendja se ka për të dhënë llogari para Allahut në botën tjetër, çdo sjellje e të cilit është shprehje e një llogarie, i cili çdo fjalë që thotë, çdo gjë që dëgjon dhe çdo prirje të zemrës i trajton me ndjeshmëri sipas atmosferës së dhënies llogari Allahut atje tej, zhvillohet në mënyrë mjaft të rregullt!

“Çdo veprim që të bësh ti, çfarëdo që të lexosh ti nga Kur’ani dhe çdo punë që të bëni ju, jemi patjetër Ne që ndodhemi në të dhe e dëshmojmë (që shohim çdo gjë që bëni). Nuk ka gjë qoftë edhe sa një grimcë në tokë apo në qiej që t’i ikë (dijes së) Zotit tënd! Nuk ka gjë të vogël a të madhe që të mos ndodhet në Librin e qartë! (Dija e Allahut e ka përfshirë çdo gjë. Nuk ka asgjë që të ketë mbetur jashtë dijes së Tij dhe çdo gjë ndodh vetëm me lejen e Tij!)” (Junus, 10/61)

Pra, të gjitha sjelljet dhe veprimet hetohen nga ana e engjëjve shkrues. Çdo gjë që bëjmë, e madhe apo e vogël, e fshehtë apo e hapur, çdo gjë që mund të na duket ne e vogël dhe e pavlerë, ndërsa Allahut e madhe dhe e çmuar ose e kundërta, që mund të na duket ne e madhe dhe e çmuar, ndërsa Allahut e vogël dhe e pavlerë, pavarësisht nga ç’këndvështrim të llogaritet, çdo gjë që bëjmë, vëzhgohet, hetohet dhe shënohet nga engjëj që na ndjekin dhe është i gatshëm e vëzhgues Allahu “GJYKATES” që do të na e llogarisë çdo gjë!

Jeta që përshkohet brenda kësaj fryme dhe vetëdijeje, është e drejtë; shoqëria e përbërë nga individë që jetojnë brenda kësaj fryme dhe vetëdijeje, është e qetë; gjithashtu, çdo familje që jeton brenda kësaj fryme dhe vetëdijeje shndërrohet në kopsht nga kopshtet e xhenetit!

Po, është vetëm një rrugë që njeriu t’i lërë marrëzitë: besimi dhe bindja në ringjalljen pas vdekjes. Ajo që do t’ua presë rrugën marrëzive të rinisë, që do t’i parandalojë përçartjet e saj, që do t’u bëhet burim shprese të moshuarve të cilët, duke shkuar dalëngadalë drejt vdekjes, pësojnë në çdo hap, një thyerje dhe një zhgënjim shprese, që në zemrat e paqëndrueshme të fëmijëve do të ndezë çdo çast qirinjtë dhe dritërat e lumturisë për t’u dhënë dritë atyre, është vetëm besimi dhe bindja në ringjalljen pas vdekjes, në grumbullimin në sheshin e llogaridhënies dhe në jetën e pasme!

Nga i riu te plaku, nga femra te mashkulli, nga i drejti te mizori, çdo njeri ka nevojë të besojë në ringjalljen siç ka nevojë për ujin që pi dhe ajrin që thith!

Të pish këtë sherbet që i thonë besim dhe bindje në ringjalljen, në të njëjtën kohë do të thotë të pish gllënjkë pas gllënjke qetësi, prehje e kënaqësi! Është për këtë arsye që të gjithë mendimtarët që përpiqen për paqen dhe lumturinë e njeriut dhe që kanë për synim t’i dhurojnë atij qetësi, prehje e kënaqësi, duhet ta vlerësojnë çështjen nga ky këndvështrim.

Arritja e mirëqenies, lumturisë dhe qetësisë së vërtetë nga individi, familja, shoqëria dhe tërë njerëzimi së bashku, varet nga besimi dhe bindja në ekzistencën e vendit dhe jetës ku do të bëhet llogaria e tërë akteve, të mëdha e të vogla!

Duke thënë se “kush bën një të mirë sa grimca, do ta gjejë dhe kush bën një të keqe sa grimca, do ta gjejë” (Zilzal, 99/7-8), Kur’ani shpall se ai që bën një të mirë qoftë edhe sa grimca, do ta marrë shpërblimin e së mirës së vet dhe ai që bën një të keqe qoftë edhe sa grimca, do ta marrë ndëshkimin e së keqes së vet; në këtë mënyrë Kur’ani ngulit te njerëzit këtë ndjenjë përgjegjësie. Pasi njeriu ta përvetësojë këtë besim dhe bindje, atij mund t’i thuhet: “Bëj ç’të duash!” Sepse ngjarjet dhe realiteti shprehin se është e padiskutueshme që çdo veprim do të marrë përgjegjësen e vet. Njeriu me një botëkuptim të tillë do të ndjejë domosdoshmërinë e kryerjes së punëve dhe veprimeve që do t’ia zbardhin faqen, do t’ia ndrisin ballin dhe që, në botën tjetër, s’do ta turpërojnë e s’do ta detyrojnë të shohë përtokë!

Me atë shpirt të dobët e delikat, fëmija mund të gjejë një jetë të qetë vetëm me anë të besimit mbi ringjalljen. Kush e shqyrton fëmijërinë e vet nga ky këndvështrim dhe rikthehet me imagjinatë në çastet e fëmijërisë, e kupton dhe e miraton këtë konkluzion.

Po, fëmija ka një zemër të ndjeshme e të brishtë, ndërkaq që nuk e ka zgjuarsinë e duhur për të bërë analizën e ngjarjeve dhe për të arritur në përfundimin e duhur. Gjithashtu, nuk mund ta përdorë vetësugjestionimin duke u dhënë pas dëfrimit për të harruar ashtu siç bëjnë të mëdhenjtë. Prandaj ndodh që fëmijët e ndjejnë frikën nga vdekja më thellë se të mëdhenjtë. Ata që këputen, bien e shkojnë çdo çast përreth tij, shkëpusin e marrin me vete edhe një copë prej tij. Kurse bota e një fëmije që i vdesin nëna dhe babai, shembet tërësisht, të gjithë yjet që ia ndriçojnë botën shpirtërore shuhen dhe qielli i ndërgjegjes i groposet në errësirë. Çdo njeri me ndërgjegje mund t’i ndjejë këto!

Me gjuhën e profetit Zekerija, Kur’ani thotë: “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im.” (Merjem, 19/4) Pastaj, duke treguar se Zekerija i lutet Zotit t’i falë një bir të bekuar e të dobishëm, Kur’ani e përshkruan në mënyrën më të bukur poetike thirrjen e një njeriu të përgatitur për të mërguar e ikur nga kjo botë! Tregimi dhe përshkrimi në mënyrë të pashoqe i kësaj thirrjeje të buruar nga shpirti është gjithashtu një nga anët mrekullore të Kur’anit. Çdo njeri i vetëdijshëm, kur ta shohë buzëqeshjen e hidhur në buzët e zemrës ndërsa dëgjon zërin e ndërgjegjes, do ta ndjejë me të gjithë tmerrin e vet një thirrje të tillë që i këputet në shpirt. Ndërkaq, i vetmi mjet që do ta qetësonte dhe ngushëllonte atë në këtë gjendje dhe do t’ia heshtte këtë klithmë që i këputet në shpirt, do të ishte besimi në ringjalljen dhe jetën e pasme. Ky besim dhe kjo bindje, me frymën jetëdhënëse në vesh të tij, pothuajse i pëshpërit atij këto fjalë: “Ti e plotësove jetën. Detyrën e kreve. Mëshirëmadhi që të ka dërguar në këtë botë s’ka për të të lënë shumë të dërrmohesh në këtë shkretëtirë, do të të marrë pranë vetes dhe do të të dhurojë mirësitë dhe dhuntitë që ka përgatitur për ty!”

Po, janë këto dhe të tjera sihariqe me këtë kuptim që do ta bëjnë atë plak të shijojë qetësinë, prehjen dhe lumturinë e vërtetë, sepse ai po përgatitet të shkojë në botën e përjetshme që është atdheu i tij i vërtetë!

Postime të ngashme