Dobitë e agjërimit për shoqërinë
Agjërimi i siguron shoqërisë bashkimin dhe unitetin
Falë agjërimit (veçanërisht në ramazan), në jetën shoqërore njeriu krijon lidhje të ndryshme me njerëzit e tjerë. Me këtë, ai ndjen një lidhje të fuqishme ndaj tyre. Bashkë me të gjithë besimtarët, fillimi i agjërimit në të njëjtin çast, pritja e iftarit, ngritja në syfyr, falja e teravive me xhemaat, gdhirja e natës së kadrit, hyrja në bajram, etj., bëhen shkak për një vëllazëri shumë të shëndoshë dhe për një dashuri të vërtetë. Kështu, besimtarët bëhen si gjymtyrët e një trupi të vetëm, ashtu siç shprehet edhe Profeti ynë: “Në dashurinë për njëri-tjetrin, në dhimbjen për njëri-tjetrin dhe në dhembshurinë për njëri-tjetrin, besimtarët janë si një trup i vetëm. Po qe se një organ ankohet, organet e tjera rrinë pa gjumë e rënkojnë!”[28] Me këtë mendim të lartë, në shoqëri ngrihen bashkimi dhe uniteti.
Pritja e iftarit rreth sofrës nga të gjithë pjesëtarët e familjes së bashku, pra pritja nga secili prej tyre veç e veç të të njëjtës gjë në një kohë, i lidh më shumë këta njerëz me njëri-tjetrin. Kjo situatë e pritjes së iftarit është shumë e rëndësishme sidomos për shtimin e afërsisë dhe dashurisë mes individëve të familjes, domethënë për realizimin e ngritjes së familjes mbi themele më të shëndosha. Kjo duhet të jetë edhe njëra prej urtësive të faktit që Islami kërkon që e gjithë familja të ulet së bashku në sofrën e iftarit dhe ashtu ta presë iftarin. Pritja e iftarit i hap rrugë forcimit të lidhjeve të afërsisë dhe dashurisë sa mes pjesëtarëve të familjes, aq dhe, me anë të ftesave, mes të ftuarve, të njohurve, miqve, madje të panjohurve fare.
Agjërimi ia kujton njeriut gjendjen e të varfrit
I pasuri që e kalon jetën me gjellët më të zgjedhura e luksoze, që kurrë në jetë s’ka mbetur i etur e i uritur, që nuk e ndjen aspak shqetësimin e urisë, që mbase nuk e di aspak se ç’është uria, agjërimi ia mëson se ç’do të thotë uri dhe etje duke e lënë të uritur e të etur në kohë të caktuara, pra, duke e detyruar ta mësojë këtë gjë duke e jetuar vetë. Kështu, i pasuri do ta kuptojë gjendjen e të varfrit, do ta njohë se sa e vështirë është për njeriun të mbetet pa ngrënë e pa pirë dhe do të vrapojë në ndihmë të nevojtarit. Një uri e kësaj forme, pra agjërimi, do të bëhet shkak që të pasurit të cilët kanë çdo lloj mundësie, ta kuptojnë gjendjen e njerëzve të varfër e nevojtarë, për pasojë ta ndryshojnë qëndrimin dhe sjelljen ndaj tyre, që tek të pasurit të marrin vrull ndjenjat qiellore, që të fryhet ndjenja e dhënies së ndihmës. Dhe kur të pasurit t’i shfaqin këto ndjenja, edhe te të varfrit zilia, smira dhe urrejtja ndaj të pasurve shuhen, lufta midis këtyre dy klasave qetësohet, në shoqëri sundon paqja. Për më tepër, disa lloj të varfërish bëhen ruajtës të pasurisë së të pasurve.
Për rrjedhojë, agjërimi na i nxit ndjenjat dhe emocionet edhe në këtë drejtim. Të pasurit gjejnë rastin t’i shohin “të tjerët”, ata që s’janë si ata. Ata kujtojnë këtë fjalë të Profetit: “Ai që është i ngopur, ndërsa fqinjin e ka të uritur, nuk është yni!”[29]
Vetëm duke ndenjur i uritur, mund të kuptohet gjendja e të uriturit dhe vetëm duke ndenjur i etur, mund të kuptohet gjendja e të eturit. Edhe me këtë aspekt shohim se agjërimi në bazë të urdhrit të Zotit duke frenuar kërkesat dhe dëshirat tona dhe duke zbatuar urdhrat e Tij, duke e mësuar dhe stërvitur veten me privime, na bën ne shtyllë të përsosur të jetës sonë, pjesë të përsosur të një shoqërie të përsosur.
Agjërimi parandalon lypjen
Njeriu i cili me anë të agjërimit edukon vetveten (nefsin), përballon shqetësime dhe u vë gjoksin urisë dhe etjes, vjen në gjendjen që të mund të sfidojë materien dhe dukuritë. Tashmë atë s’mund ta pengojnë as uria, as etja. Stomaku nuk i vihet dot në hundë si kanxhë. Pavarësisht se ç’shqetësim mund t’i bjerë në kokë, pavarësisht se mund të mbetet i uritur e i etur për ditë të tëra, nuk i zgjat dorën kujt duke flijuar për këtë nderin, dinjitetin dhe krenarinë. Madje, ndërsa jogit mund të jetojnë gjashtë muaj pa ngrënë e pa pirë jo për hir të Zotit, besimtarët, duke ndjerë pas vetes, falë agjërimit, mirësinë dhe favorin e Zotit, mund të durojnë edhe më shumë.
Por njeriu që s’di ç’është agjërimi, që nuk agjëron në periudha dhe kohë të ndryshme, për rrjedhojë që nuk e aftëson veten për të mos ngrënë e pirë, përballë një urie dhe varfërie të mundshme, duke e marrë nëpër këmbë tërë nderin dhe dinjitetin e vet, fillon të lypë derë më derë.
[28] Buhari, Edeb, 27; Muslim, Birr, 66; Ahmed b. Hanbel, 4/270.
[29] Ahmed b. Hanbel, 1/55.