Dita e Ashures dhe vlera e saj

Muaji i njohur si “Shehrullah” (Muaji i Allahut xh.sh), është muaji Muharrem. Në këtë muaj shtohet begatia dhe mirësia hyjnore. Për Allahun nuk ekziston ditë, muaj apo vit, por ky është një tregues i përfitimit ndaj mëshirës hyjnore, ashtu siç na ka treguar Profeti Muhamed a.s.

Dita e Ashures është dita e 10-të e muajit Muharrem. Dita e Ashures ka një vlerë të veçantë. Në këtë ditë Allahu xh.sh i ka dhuruar dhjetë profetëve të Tij dhjetë mirësi të ndryshme duke e shtuar edhe më shumë shenjtërinë e kësaj dite. Agjërimi në këtë ditë është me shumë vlerë.

Dita e Ashures përkon me ditën e 10-të të muajit Muharrem, i cili është dhe muaji i parë i vitit Hixhri. Ashtu siç muaji Muharrem zë një vend të veçantë ndër muajt e tjerë, po ashtu edhe dita e Ashures është më e begatë dhe e bereqetshme mes ditëve të tjera.

Arsyeja se përse kjo ditë është quajtur “Ashure” është sepse përkon me ditën e 10-të të muajit Muharrem. ( Fjala “Ashura” në gjuhën arabe vjen nga fjala “ashera” që do të thotë “dhjetë”). Ashtu siç kalon në librat e hadithit, urtësia e vendosjes së këtij emri për këtë ditë është sepse në këtë ditë Allahu xh.sh i ka dhuruar dhjetë profetëve të Tij dhjetë mirësi të ndryshme të cilat janë:

  1. Allahu xh.sh, e shpëtoi Hz. Musain a.s nga faraoni duke e mbytur në det faraonin bashkë me ushtrinë e tij.
  2. Hz. Nuh a.s e ankoroi anijen në malin Xhudi ditën e Ashures.
  3. Hz. Junus a.s shpëtoi nga barku i balenës ditën e Ashures.
  4. Hz. Adem a.s i’u pranua pendesa në ditën e Ashures.
  5. Hz. Jusuf a.s u nxorr nga pusi ku ishte hedhur nga vëllezërit e tij pikërisht ditën e Ashures.
  6. Hz. Isa a.s erdhi në jetë në këtë ditë dhe po në këtë ditë u ngrit në qiell.
  7. Hz. Davud a.s i’u pranua pendesa në ditën e Ashures.
  8. Hz. Ismail a.s, djali i hz.Ibrahim erdhi në jetë në këtë ditë.
  9. Hz. Jakub a.s i’u rikthye shikimi ditën e Ashures.
  10. Hz. Ejub a.s në këtë ditë gjeti shërim për sëmundjen e tij.[1]

Sipas transmetimit të Hz. Aishes r.anha më parë mbulesa e Qabes ndryshohej ditën e Ashures. Kjo ditë është festuar nga myslimanët që nga koha e Profetit a.s deri në ditët e sotme, për shkak të këtyre ngjarjeve kaq të rëndësishme dhe të begata që kanë ndodhur pikërisht në këtë ditë. Një rëndësi e veçantë i kushtohet adhurimeve, ndryshe nga ditët e tjera, për shkak të haditheve të shumta që tregojnë rreth ndodhive që kanë ndodhur në këtë ditë.

Muaji Muharrem dhe dita e Ashures është cilësuar si e shenjtë edhe nga të Krishterët dhe Hebrenjtë. Kur Profeti s.a.s emigroi në Medine, vuri re se Hebrenjtë që jetonin aty ishin agjërueshëm. “Për çfarë po agjëroni?” i pyeti Profeti s.a.s. Ata i thanë, “Në këtë ditë Allahu xh.sh e shpëtoi Hz. Musain nga faraoni. Në shenjë falenderimi ndaj kësaj Hz. Musa a.s agjëronte në këtë ditë”.

Pastaj Profeti Muhamed s.a.s shton duke thënë: “Ne jemi më të afërt me Musain se ju, prandaj na përket ne ta mbajmë gjallë traditën e tij.” Në këtë ditë Profeti s.a.s agjëroi dhe urdhëroi agjërimin e kësaj dite.[2]

Dita e Ashures nuk kremtohej vetëm nga ithtarët e librit, por ishte e shenjtë që nga periudha e Hz. Nuhut a.s; shenjtëria e saj u ruajt edhe në periudhën para Islamit që nga periudha e Hz. Ibrahimit a.s.

Në lidhje me këtë çështje Hz. Aishe thotë: “Dita e Ashures agjërohej nga Kurejshët edhe në kohën e injorancës. Edhe Profeti s.a.s vepronte kështu. Kur emigroi drejt Medines, e vazhdoi agjërimin e kësaj dite dhe mbi të gjitha urdhëroi edhe të tjerët të agjëronin.” Por, me bërjen obligim agjërimin e muajit Ramazan, Profeti s.a.s nuk e agjëronte më këtë ditë, por besimtarët u lanë të lirë të agjëronin ose jo.[3] Kështu, agjërimi i ditës së Ashures u konsiderua si agjërim sunnet (vullnetar).

Vlerën dhe rëndësinë e agjërimit të kësaj dite e shohim në hadithin e poshtëshënuar: Një person erdhi tek Profeti s.a.s dhe e pyeti: “Pas muajit Ramazan, kur më këshillon të agjëroj?”

Profeti Muhamed s.a.s i tha: “Agjëro në muajin Muharrem. Sepse ai është muaji i Allahut xh.sh. Në të gjendet një ditë, në të cilën Allahu xh.sh pranoi pendesën e një fisi dhe po në atë ditë mund të falë një fis tjetër.”[4]

Në një tjetër hadith të transmetuar nga Tirmidhiu, Profeti s.a.s urdhëron kështu: “Shpresoj që agjërimi i ditës së Ashures të jetë falës i gjynaheve të vitit të kaluar.”[5]

“Agjërimi më me vlerë pas muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut xh.sh në muajin Muharrem”[6], nëpërmjet këtij transmetimi bëhet e ditur edhe vlera e agjërimit në këtë ditë.

Në shpjegimin e hadithit, Imam Gazali thotë: “Muaji Muharrem është fillimi i vitit Hixhri. Ta fillosh vitin me agjërim është shpresdhënëse dhe me plot begati.”[7]

Në mënyrë që të mos ju përngjajmë Hebrenjve, është këshilluar që të agjërohet dita e nëntë, e dhjetë dhe e njëmbëdhjetë e muajit Muharrem.

Një hadith tjetër i ngjashëm është transmetuar nga Ibni Abas r.a. Për këtë arsye është më e pëlqyeshme që ditës së Ashures t’i shoqërohet me agjërim një ditë para dhe një ditë mbrapa.

Përveç agjërimit në këtë ditë, është e pëlqyeshme të kryhen vepra të mira dhe të jepet sadaka. Sipas mundësisë, është e pëlqyeshme që në këtë ditë të gostisë familjen, të afërmit dhe fqinjtë duke i’u mësuar atyre vlerat e kësaj dite. Këtë na e ka këshilluar edhe Profeti Muhamed s.a.s.

Në një hadith Profeti Muhamed s.a.s thotë: “Cilido prej jush që gostit familjen e tij ditën e Ashures, Allahu xh.sh i jep bereqet dhe ia rrit furnizimin gjatë gjithë vitit.”[8] Këtu përfshihen edhe të afërmit, jetimët, komshinjtë dhe njerëzit pa përkrahje.

Përgatiti: Marius Tafani

[1] Sherhu Sahihu Muslim.

[2]İbni Mâxhe. Sijam: 31

[3]‘Buhari, Saum: 69.

[4]Tirmidhî, Saum: 40.

[5] Tirmidhî, Saum: 47.

[6] İbni Mâxhe, Sijam: 43

[7] İhja, 1:238.

[8] Et-Tergîb ue’t-Terhîb, 2:116.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: