Disa njohuri themelore rreth Kuranit

Një nga treguesit më të mëdhenj të mëshirës së Allahut është shpallja e Librave të Tij. Njohuritë më të pastra, më të përkryera dhe më të dobishme, vijnë vetëm nga Allahu, më i Urti, më i Madhëruari.

Myslimani beson në të gjithë Librat e shpallur, që përmenden në Kuran. Ato janë: Teurati i Musait, Zeburi i Davudit, Ungjilli i Isait dhe më në fund Kurani, që i është shpallur Profetit Muhamed (a.s).

Mesazhi i Kuranit është i vlefshëm për të gjitha kohërat, e të gjitha kushtet. E gjithë përmbajtja e tij vjen nga Allahu, çdo fjalë e tij është fjalë e shpallur. Kurani është provë e gjallë e ekzistencës së Allahut. Ai i është shpallur Profetit Muhamed (a.s) nëpërmjet Engjëllit Xhebrail, në vitin 610. Shpallja e tij është bërë pjesë-pjesë, për një periudhë 23 vitesh afërsisht.

Ky libër i Allahut ka mbetur i pandryshuar, që prej 14 shekujsh. Ai edhe sot ruhet në formën e tij origjinale. Subjekti i përmbajtjes së Kuranit është besimi në Njëshmërinë e Allahut, njeriu dhe qëllimi i tij i fundit në jetë. Mësimet e Kuranit përfshijnë të gjitha fushat e kësaj jete dhe jetës pas vdekjes. Ai përmban parimet, doktrinat dhe drejtimet, për çdo sferë të veprimtarisë njerëzore.

Sipas përcaktimit të vetë Kuranit, ai është Libër i Zotit i shpallur Profetit Muhamed (a.s), që t’ia përcjellë njerëzimit si Fjalë dhe Udhëzim nga Allahu.

Ai është porosi e Zotit, që ka për qëllim të vendosë themelet e jetës së gjithëmbarshme të individit dhe bashkësisë, prej lindjes deri në vdekje, në të gjitha hapësirat gjeografike, deri në Fund të botës. Kurani është mrekullia më e madhe që iu dha Muhamedit (a.s) dhe pas tij nuk ka ardhur dhe nuk do të vijë libër (apo shpallje) tjetër.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: