Cilat janë cilësitë e Profetëve?
Para se t’i shikojmë specifikat e tjera që i karakterizojnë Profetët, duhet të pranohet se edhe ata janë njerëz dhe se janë nga mesi i tyre. Mirëpo, ato që i dallojnë ata nga njerëzit tjerë, janë cilësitë e tyre. Prandaj, në vazhdim, të theksojmë cilat janë cilësitë e Pejgamberëve.
Cilësitë kryesore të Pejgamberëve janë këto:
‘Ismeh – të jetë i mbrojtur nga gabimet
Sipas shumicës së Ehli Synetit, për Pejgamberët nuk lejohet as gabimi i vogël, sidomos pas shpalljes si Pejgamber. Në bazë të kësaj specifike, mund të thuhet se Pejgamberët ishin të ruajtur nga mosbesimi (kufri), nga mëkatet e mëdha para dhe pas qenies Pejgamber. Pra, mbrojtja e tyre është nga Allahu Fuqiplotë.
Emaneh – besueshmëria
Ata janë njerëz të besueshëm dhe kjo është qartësisht e dallueshme.
Sidk – drejtësia dhe sinqeriteti
Janë të drejtë e të sinqertë, qëndrojnë aq larg nga gënjeshtra saqë nuk gënjejnë as për shaka. Madje edhe shakatë e tyre ishin të funksionalizuara për të dhënë mësim.
Fetaneh – dituria, zgjuarsia, mendjemprehtësia
Janë njerëz shumë të zgjuar dhe me botëkuptim të gjerë. Ata arrijnë në shkallën më të lartë të mençurisë dhe të diturisë.
Teblijg – kumtimi
Shpalljen e merr nga Allahu xh.sh. dhe ua transmeton njerëzve pa e ndryshuar.
Dhukure – të jetë mashkull
Gjinia mashkullore është kusht për të dërguarin, ngase gjinia femërore nuk është e përshtatshme për këtë mision. Këtë e dëshmon edhe e dhëna se të gjithë të dërguarit e Allahut xh.sh. ishin burra.