Dimensioni i lutjeve profetike
Një prej mirësive më të mëdha, që i janë dhuruar njeriut është edhe gjuha e aftësia për të folur. Përgjithësisht, gjuha është tregues i asaj ç’ka gjendet në zemër. Fjala e bukur dhe e pastër na tregon shumë për zemrën që gjendet në kraharor, po ashtu edhe fjala jo e hijshme.
Njeriu e prezanton veten dhe botën e tij të brendshme nëpërmjet fjalës. Hz. Aliu (r.a) thotë: “Njeriun që hesht më duhet një ditë kohë për ta njohur, ndërsa atë që flet e njoh menjëherë.” Si shkak i kësaj, gjuha është një amanet i cili duhet ruajtur me kujdes dhe duhet përdorur në formën më të mirë.
Edhe mënyra se si lutemi, shprehemi në duatë tona dhe çfarë kërkojmë prej Zotit të gjithësisë, tregojnë shumë për botën shpirtërore të njeriut. I Dërguari i Allahut (s.a.s), ashtu si për çdo gjë tjetër, na jep mësime të vyera edhe për fjalët që mund të themi në lutje, duke i dhënë asaj një dimension dhe realitet tjetër.
لم يدع ملك مقرّب و لا نبي مرسل و لا عبد صالح إلا كان من دعائه
“Nuk është lutur ndonjë engjëll i afërt, pejgamber i dërguar dhe as ndonjë rob i devotshëm, përveçse e ka përmendur lutjen e mëposhtme…”
اللّٰهُمَّ بِعِلْمِكَ الغَيْبِ و قُدْرَتِكَ عَلَى الخَلْقِ أَحْيِنِي مَا عَلِمْتَ الحَيَاةَ خَيْرًا لِي و تَوَفَّنِي إِذَا عَلِمْتَ الوَفَاةَ خَيْرًا لِي
“O Zoti im, nëpërmjet diturisë tënde të së fshehtës dhe fuqisë tënde mbi krijesat! Ma mundëso të jetoj nëse jeta është më e mirë për mua dhe ma mundëso të vdes, kur vdekja të jetë më e mirë për mua!”
Kapitali më i madh që zotëron njeriu në jetën e kësaj bote është jeta e tij. Kjo jetë, sipas konceptit islam vlerësohet në bazë të cilësisë dhe jo të sasisë. Disa nga dijetarët më të mëdhenj të Islamit jetuan një jetë jo shumë të gjatë, por veprat që lanë pas ishin shumë të mëdha. Imam Neveviu jetoi vetëm 45 vite, Imam Shafiu dhe Gazaliu jetuan nga 55 vite, por trashëgimia e tyre është përhapur brez pas brezi në të gjithë botën.
Jeta e njeriut matet nëpërmjet një kriteri shumë të hollë, i cili është numri i frymëmarrjeve të tij. Frymëmarrja konsiderohet prej mirësive të thella, për të cilën njeriu duhet të falënderojë vazhdimisht. Me plotësimin e numrit të caktuar të frymëmarrjeve do të përfundojë edhe jeta jonë. Imam Hasan Basriu thotë:
يا ابن آدم إنكم أيام إذا ذهب يوم ذهب بعضك
“O njerëz, ju jeni veçse një grumbull ditësh dhe kur ikën një ditë, bashkë me të ikën edhe një pjesë e juaja.”
Lutja vazhdon…