Dhënia lëmoshës fshehtazi ose haptazi
Ashtu sikurse u përmend më herët, sadakaja apo zekati, mund të jepen në formë të ndryshme, qoftë fshehtazi apo haptazi. Njerëzit kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me këto dy aspekte, duke përmendur veçoritë dhe urtësitë e secilës prej tyre. Dikush ka anuar nga sadakaja që jepet fshehtazi dhe dikush nga ajo që jepet haptazi.
Dhënia e sadakasë fshehtazi e mbron më tepër marrësin e saj, ruan privatësinë e tij dhe e ruan atë nga gjuhët e njerëzve. Nëse ajo jepet haptazi, atëherë e largon marrësin e saj nga mburrja e mendjemadhësia dhe shmang prej tij pretendimin e të qenit i pasur. Në një situatë të tillë, nefsi i njeriut pastrohet nga ndjenjat e egoizmit dhe mendjemadhësisë. Dhënia dhe marrja haptazi e sadakasë është gjithashtu një mjet për të çuar në vend detyrën e falënderimit.
Siç u pa shkurtimisht, çështja e dhënies haptazi apo fshehtazi të sadakasë, nuk është diçka që lidhet me thelbin e çështjes, por më tepër me psikologjinë e njerëzve dhe gjendjen e tyre shpirtërore në ato çaste. Kësisoj, s’mund të themi prerazi se është më mirë që sadakaja të jepet fshehtazi apo haptazi. Kjo situatë ndryshon në varësi të qëllimeve. Përtej kësaj, i sinqerti duhet të kujdeset shumë për veten e tij, në mënyrë që të mos tërhiqet në batakun e krenarisë së tepruar për një veprim që ka bërë.