Çfarë duhet të kemi kujdes gjatë agjërimit?

Është e vetëkuptueshme se gjatë iftarit ndodh që edhe të mos jemi shumë të kujdesshëm, ndaj nganjëherë edhe mund ta teprojmë duke e ngarkuar stomakun më shumë sesa ai ka nevojë. Prandaj, është mirë, madje e rekomandueshme që gjatë iftarit të kemi kujdes në sofër të mos e teprojmë duke ngrënë më shumë se ç’kemi nevojë. Etika e agjërimit këtë nuk e duron, sepse është e dëmshme edhe për shëndetin. Ndërkaq, një gjë e tillë me rastin e syfyrit lejohet, ngase ajo e përforcon njeriun për ta përballuar më lehtë  agjërimin, sidomos në ditët e gjata.

Gjatë muajit të Ramazanit është edhe një praktikë shumë e mirë që kultivohet gjithandej nëpër mjedise ku jetojnë myslimanët. Në të vërtetë, xhamitë zbukurohen me mukabele-lexim Kur’ani, sepse aktiviteti i hafizëve të Kur’anit gjatë këtij muaji, po ashtu edhe i dëgjuesve, është më i madh. Prandaj, është shumë mirë nëse ata që dinë të lexojnë së paku të bëjnë një hatme gjatë Ramazanit, ndërkaq për ata që nuk dinë të lexojnë duhet ta përcjellin leximin e Kur’anit nga hafizët, që me zërin e tyre aq të ëmbël jo vetëm se ia shtojnë bukurinë xhamisë dhe kënaqësinë xhematit, por njëkohësisht iu llogaritet edhe adhurim.

Është mirë që gjatë Ramazanit dikujt t’i jepet iftar, sadopak qoftë, qoftë vetëm disa hurma, pak ujë, apo diçka tjetër. Profeti a.s. thoshte: “Kush i jep dikujt që është agjërueshëm iftar, ai ka sevape sikurse vetë agjëruesi, ndërsa agjëruesit nuk i mungohet nga sevapi tij.” (Transmeton Termidhiu).

Gjatë agjërimit në përgjithësi, e gjatë Ramazanit në veçanti, duhet të spikasë aspekti human e ai fetar. Ndaj familjarëve duhet të sillemi me korrektësi e mirësi, kurse ndaj të varfërve e skamnorëve duhet treguar më shumë humanizëm e bujari

عن إبن عباس، قال: كان رسول الله صلى الله عليه و سلم أجود الناس و كان أجود ما يكون في رمضان حين يلقاه جبريل.

 Transmetohet nga Ibn Abasi të ketë thënë sesi Profeti a.s., i cili ishte njeriu më bujar e bamirës, akoma më shumë ishte bamirës gjatë Ramazanit, kur edhe e takonte Xhibrili.” (Transmeton Buhariu).

Postime të ngashme

%d bloggers like this: