Cili është sekreti i memorizimit të shpejtë të informacionit?
Të gjithëve ju shkon mendja te të lexuarit më shumë libra kur vjen puna për të memorizuar më shpejtë informacionin, përveç kësaj ekziston edhe diçka tjetër.
Një studim i ri sugjeron që aktiviteti fizik mund të ndihmojë njerëzit të memorizojnë më mirë informacionin nëse ndodh në kohën e duhur. Pak orë pasi keni studiuar, duhet të bëni ushtrime fizike në mënyrë që ta memorizoni më mirë atë që keni mësuar.
Në këtë përfundim kanë arritur një grup hulumtuesish shkencorë nga Universiteti Edinburgh i Skocisë dhe Universiteti Radboud i Holandës. Ata i ndanë 72 njerëz në grupe të ndryshme, ku ua dhanë të gjithëve nga një pjesë për të memorizuar. Pas studimit, pjesëmarrësve të njërit grup iu kërkuan që të ngisnin biçikletën për gjysmë ore. Grupit tjetër iu kërkua që të priste katër orë dhe më pas të kryenin ushtrime fizike, ndërsa grupi i tretë nuk duhej të bënin asnjë aktivitet fizik.
Dy ditë më vonë, pjesëmarrësit u rikthyen në laborator për të bërë një test të memories. Personat që pritën katër orë dhe më pas kryen ushtrime fizike dolën 10 për qind më mirë në test se grupet e tjera.
Edhe pse studimi testoi efektet e ushtrimit pas një ndërprerje nga studimi prej katër orësh, ka mundësi që ndërprerja prej 2 ose 6 orësh mund të ketë efekt më të mirë ose më të keq në memorie.
Studimet e fundit kanë treguar se aktiviteti fizik shkakton çlirim më të madh të neurotransmetuesve, si dopaminë ose noradrenalinë, që janë shumë të rëndësishme për konsolidimin e memories. Hulumtuesit shkencorë mendojnë se kjo mund të jetë arsyeja përse aktiviteti fizik i ndihmoi pjesëmarrësit në studim që ta memorizonin më mire informacionin.