Cili besimtar është më i mirë?
Ata b. Rebbahu transmeton prej Ibni Omerit r.a. se ka thënë:
“Kam qenë së bashku me nëntë vetë në xhaminë e të Dërguarit s.a.s, e ata ishin: Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu, Abdurrahmani, Ibën Mes’udi, Muadhi, Hudhejfja dhe Ebu Seid Hudriu. Atëherë erdhi një djalosh prej ensarëve dhe i dha selam të Dërguarit s.a.s, e pastaj u ul dhe e pyeti: “Cili besimtar është më i mirë?” I Dërguari s.a.s. iu përgjigj: “Ai që ka ahlak më të mirë.” Djaloshi e pyeti: “Cili besimtar është më i përgatitur?” I Dërguari s.a.s. i tha: “Ai i cili më shumë e përkujton vdekjen dhe ai i cili përgatitet më mirë për ta pritur atë, para se t’i vijë ajo. Ata janë më të përgatiturit.” Pastaj djaloshi heshti, e i Dërguari s.a.s. u kthye nga ne dhe tha: “O muhaxhirë dhe ensarë, i lutem Allahut që të mos sprovoheni me pesë gjëra:
- Do të paraqitet imoraliteti në ndonjë mjedis dhe të përhapet aq shumë saqë të fillojnë haptas ta punojnë, e në mjedisin e tyre do të përhapet murtaja dhe sëmundjet të cilat kanë qenë të panjohura për stërgjyshërit e tyre dhe gjeneratat e kaluara.
- Do të pakësojnë njerëzit në litër dhe kandar, e do të sprovohen dhe dënohen me vite të vështira, me sundimtarë të padrejtë dhe me krizë të rëndë materiale.
- Do ta ndalojnë njerëzit zekatin, e do t’iu ndalohet shiu, shiu i bereqetshëm dhe i frytshëm nga qielli, dhe sikur të mos ketë kafshë asnjëherë nuk do të bie shi.
- Do ta thyejnë njerëzit obligimin ndaj Allahut e të Dërguarit të Tij, e Allahu do t’ua vërë në qafë armikun e jashtëm.
- Do ta lënë prijësit e tyre gjykimin sipas Librit të Allahut, e Allahu do të bëjë që ata të urrejnë dhe të sulmojnë njëri-tjetrin.”