Cilësitë e Profetëve

BESNIKËRI DHE DREJTËSI

Të gjithë profetët janë të drejtë, qëndrojnë aq larg nga gënjeshtra sa nuk gënjejnë as për shaka. Madje edhe shakatë e tyre ishin për të dhënë mësim.

Kurani bën fjalë për këto karakteristika të profetëve duke na folur neve për madhështinë e tyre.

«Kujto në libër edhe Idrisin. Ai ishte një pejgamber shumë i drejtë. Ne e lartësuam atë në një pozitë të lartë.» (Merjem: 56-57)

E si të mos jenë të përgatitur me drejtësi ata, kur Allahu edhe njerëzit e zakonshëm i do që të jenë të drejtë dhe në Kuran i ngre lart të drejtët: «O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe bëhuni bashkë me të drejtët!» (Tevbe: 119)

BESUESHMËRIA

Atributi i dytë i profetëve është besueshmëria. Ata janë të besueshëm në ruajtjen e mesazheve hyjnore dhe në përcjelljen e tyre te popujt përkatës.

Gjithashtu, profetët janë njerëz që ngjallin besim tek të tjerët; atyre u besohen amanetet më të rëndësishme edhe prej kundërshtarëve të tyre të përbetuar.

Falë atributit të besueshmërisë nuk bëhet fjalë që profetët të shkelin fjalën e dhënë, apo të tradhtojnë dikë.

Në Kuran, ajete të ndryshme e përcjellin këtë të vërtetë:

«Edhe populli i Nuhut i akuzoi të dërguarit  si gënjeshtarë. Kurse vëllai i tyre, Nuhu, u pati thënë: A nuk po frikësoheni? Unë jam për ju një pejgamber i besueshëm.» (Shuara: 105-107)

KUMTIMI

Kumtimi është qëllimi dhe synimi i qenies së çdo profeti. Pa kumtesën, edhe dërgimi i profetëve do të mbetej diçka e pakuptimtë. Allahu e ka plotësuar mirësinë dhe bujarinë e Tij ndaj njerëzve përmes dërgimit të profetëve. Thirrja e tyre është universale: i drejtohet logjikës, ndjenjave, shqisave, mendjes së gjithkujt.

Kjo veçori tek të dërguarit e Zotit është krejt e natyrshme. Ata nuk lodhen nga tregimi i rrugës së drejtë dhe e kryejnë misionin e tyre pa patur asnjë lloj pritshmërie.

Përkundrazi, ndërsa u dëftejnë rrugët të tjerëve, këmba u has nëpër vështirësi dhe sprova të kalibrit profetik. Për pasojë, janë të parët që përballen me sfida, si: sëmundje, varfëri, humbje e njerëzve të dashur, përbuzje, keqtrajtime, shpërngulje të detyruar, etj.

Profetët nuk lënë askënd pa e njoftuar për të vërtetat. Megjithatë, rezultatin e punës e presin vetëm nga Allahu.

ZGJUARSIA PROFETIKE

Zgjuarsi profetike (fetanet) do të thotë kapërcim i nivelit të aftësisë së zakonshme për të menduar. Ajo nuk është një mendim apo logjikë e thatë; është një lloj frymëzimi i posaçëm për të dërguarit dhe e hapur ndaj ndjenjës, logjikës, delikatesave njerëzore dhe urtësisë.

Kjo cilësi është e domosdoshme për të realizuar detyrën e shpjegimit të fesë pa asnjë të metë. Përmes saj çdo profet e di shumë mirë se çfarë do të kumtojë dhe në cilën kohë, si do t’i drejtohet secilit dhe deri në ç’masë do t’i flasë…

PAFAJËSIA

Të ngarkuar me detyrën për t’u treguar rrugën njerëzve, profetët janë mbajtur larg gabimeve dhe mëkateve. Nëse nuk do të kishte qenë kështu, besimi dhe siguria e njerëzve tek ta nuk do të ishte asnjëherë e plotë.

Të dërguarit janë të mbrojtur nga mëkatet e mëdha dhe gabimet e vogla që përpara se të ngarkoheshin me detyrën e shpalljes. Nëse ndonjëherë flitet për «lapsuse» të ndryshme, kjo nuk e cënon pafajësinë e tyre.

Këto lapsuse cilësohen si rrëshqitje minimale, të cilat synojnë që profetët vetë të lartësohen në grada (kujtojmë historinë e Junusit a.s. dhe duanë e tij të fuqishme). Neve na takon të reflektojmë për situatën sepse ngjarjet në fjalë përcjellin mesazhe plot urtësi drejtuar njerëzve të thjeshtë.

Krahas pafajësisë së tyre, çdo profet është aq i ndjeshëm në vetëllogari sa që kërkon vazhdimisht falje tek Allahu. Për ta kjo është një formë adhurimi që buron nga thellësia e shpirtit të tyre.

 

 

Postime të ngashme