• August 10, 2020

Ç’do të thotë Profetët e Ulu’l-Azm-it?

PROFETËT E VENDOSMËRISË SË LARTË (ULU’L –AZM)

Emërtimi i mësipërm vjen nga gjuha arabe dhe është nxjerrë nga ajetet kuranore. Fjala ulu përdoret në numrin shumës dhe do të thotë «pronarë», apo «zotërues». Azm ka kuptimin vendosmëri, vullnet, të mos dish të sprapsesh…të dyja së bashku, në përputhje me kontekstin e përmendjes së tyre në Librin e Allahut, përkthehen si Profetët e Vendosmërisë së Lartë.

Në Kuran përmenden pesë profetë që kanë arritur këtë nivel, apo dimension të veçantë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhamedi (Paqja qoftë mbi të gjithë Ata!). Theksojmë se çdo profet është i veçantë dhe ka shënuar kufijtë e përsosjes së moralit dhe zhvillimit njerëzor në kohën në të cilën ka jetuar. Megjithatë, profetët e vendosmërisë së lartë kanë të atilla ndodhi dhe sprova në rrugëtimin e tyre, saqë durimi me të cilin i kanë përballuar ato i ka bërë të meritueshëm për këtë titull.

Ata janë ajka e profetësisë dhe secili prej tyre është një pol në historinë e njerëzimit. Mjafton të lexohet me vëmendje mënyra se si tregohen jetët e tyre në Kuranin Famëlartë, për ta kuptuar pse pikërisht janë ata profetët e kategorisë në fjalë.

VEÇORITË E PËRBASHKËTA TË ULU’L AZMIT

Vijnë nga familje që cilësohen si të përzgjedhura në Kuran: «Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre). (Ata ishin) pasardhës të njëri-tjetrit. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.» (Al-i Imran: 33-34) Edhe pse profetët Musa, Isa dhe profeti Muhamed (s.a.s) nuk përmenden tek e tek në këtë ajet, përzgjedhja e tyre nënkuptohet prej profetit Ibrahim; kujtojmë se ata vazhdojnë në linjën profetike të dy djemve të tij: Ismailit dhe Is’hakut. Po ashtu në suren Saffat, thuhet: «Ne bëmë vetëm pasardhësit e Nuhut të durojnë….Me të vërtetë midis atyre që ndoqën rrugën e tij ishte Ibrahimi.» (Saffat: 77, 83)

Janë edhe nebi, edhe rasul: profetët të cilët vazhdojnë kumtimin e urdhëresave sipas librit të zbritur profetit paraardhës quhen nebi, ndërsa profetët të cilëve u jepet një libër i ri janë njëkohësisht nebi dhe rasul. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë se profeti Nuh ka qenë «Rasuli i parë». Ndërsa Kurani na njofton me ajetet në vijim: «Sigurisht, Ne dërguam Nuhun dhe Ibrahimin e u dhuruam trashëgimtarëve të tyre Profecinë dhe Librin.» (Hadid: 26) «Dhe Ne i dhuruam atij (Ibrahimit) Isakun dhe Jakubin dhe pasardhësve të tij u dhamë Profecinë dhe Librin.» (Ankebut:27) «O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga mesi i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë e t’i pastrojë nga (gjynahet)!» (Bekare: 129)

Posedimi i Ligjit Hyjnor: «Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!”» (Shura: 13)

Iu është dhënë një epërsi në disa aspekte nga Allahu: «Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave Allahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta. Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, prova (mrekulli) të qarta dhe e ndihmuam me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhebrailin a.s.)» (Bekare: 253) Ashtu sikurse urdhërohemi në Kuran, ne i besojmë dhe i nderojmë të gjithë profetët, pa nënçmuar askënd prej tyre. Gjithashtu, nuk pretendojmë se vetëm Profetët e Vendosmërisë së Lartë kanë patur privilegje dhe grada të larta. Por secili prej tyre njihet për një lidhje unike me Krijuesin. Kështu, Nuhu (a.s.) është Nexhijjullah (i shpëtuari i Allahut), Ibrahimi (a.s.) Halilullah (miku i Allahut), Musai (a.s.) Kelimullah (fjala e Allahut, me të cilin bisedoi Zoti), Isai (a.s.) Ruhullah dhe Kelimetullah (një shpirt me urdhrin e Zotit, një fjalë prej Zotit), Muhamedi (s.a.s.) Habibullah (i Dashuri i Zotit).

Zotërimi i një vullneti të fortë dhe këmbënguljeje të pafund: Profeti Muhamed (s.a.s.) këshillohet nga Allahu që të bëjë durim pikërisht si këta profetë. «Prandaj, ti bëhu i durueshëm, siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur» (Ahkaf: 35)

Hz. NUH  (Paqja qoftë mbi Të!)

Pasi e pati shpjeguar Zotin dhe e pati thirrur popullin në rrugën e drejtë për 950 vjet, Nuhu hipi në anije vetëm me një grusht njerëzish. Nuk mundi të merrte me vete as birin e vet, sepse ai nuk e kishte besuar. Sa e rëndë duhet të jetë kjo për një baba që njëherazi mbart dhe titullin profet? A mund të përfytyrohet ankthi i tij teksa shihte të birin të përfshihej nga dallgët e detit dhe nga ato të mohimit?

Hz. IBRAHIM (Paqja qoftë mbi Të!)

Me duart e lidhura e sollën ta hidhnin në mes të flakëve të një zjarri bubullues me katapultë; nuk mund t’a hidhnin ndryshe për shkak të afshit të nxehtë që ndihej prej së largu. Flakët ngriheshin drejt qiellit si valët e një oqeani. Një engjëll zbriti dhe i kërkoi leje ta ndihmonte, por ai ishte mbështetur veç tek Allahu: «Allahu më mjafton mua! Sa Mbrojtës i mirë që është Ai!» Dhe Zoti i shpall zjarrit fermanin: «O zjarr bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!» (Enbija: 69)

Hz. MUSA (Paqja qoftë mbi Të!)

Zoti i pati zbritur Teuratin, e pati urdhëruar  t’ia kumtonte fenë edhe një mohuesi të përbetuar si Faraoni. E nxorrën nga Egjipti dy herë pa të drejtë dhe u rraskapit nëpër shkretëtira me një popull që sa e sa herë tregonte mosbindje e mosmirënjohje dhe rikthehej në idhujtari.

Hz. ISA (Paqja qoftë mbi Të!)

Ishte vetëm 33 vjeç kur kërkonin ta vrisnin. Armiqtë e rrethonin nga të katërta anët, me shpatat e mprehura që sikur të zgjaste kokën jashtë, t’ia prisnin menjëherë. E megjithatë ai qëndron i qetë dhe nuk heziton për asnjë moment që të përfaqësojë detyrën e shenjtë!

Hz. MUHAMED (Paqja qoftë mbi Të!)

Ngjarja e Uhudit, Taifi, largimi i personave të dashur, kthimi prej Miraxhit…Ai kishte një brengë të vetme, të përhershme: udhëzimin e çdo zemre. Gjendjen e Tij të përvuajtur Allahu e shpall kështu: «A mos vallë do ta shkatërrosh veten prej pikëllimit ngaqë ata nuk i besojnë Kuranit?» (Kehf: 6)

Postime të mëparshëm

Cilësitë e Profetëve

Postime të rradhës

Ç’do të thotë “Kalu bela”?