Çfarë rëndësie kanë veprimet brenda namazit?

Në lidhjen e njeriut me Krijuesin, thelbësore janë kuptimi, brendia dhe shpirti i gjërave. Megjithatë këto të fundit janë të bashkëshoqëruara me fjalë, formate dhe gjendje të caktuara. Për këtë arsye, me patjetër që edhe ndaj këtyre detajeve duhet treguar vëmendje. Kështu, nuk mund të pretendohet se trajtat dhe format nuk kanë ndonjë kuptim. Për më tepër që gjykimi i jashtëm bëhet në bazë të tyre. Dhe ja pra, përpara kemi një namaz për t’u quajtur adhurues dhe duhet të shmangemi nga e ngrëna dhe e pira për t’u konfirmuar si agjërues.

Prandaj kur në Kuran deklarohet “Kad eflehal mu’minun” (Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët!)[1] lidhja me ajetin pasues “El-ledhine hum fi salatihim hashiun” (Ata që janë të përulur në namazin e tyre)[2] bëhet përmes lidhëzës “që”, e cila në këtë rast shërben jo vetëm si një përemër lidhor, por edhe si përcaktuese për cilësitë e besimtarëve. Pra, theksohet “ cilët në namazet e tyre kridhen me përshpirtje”, duke tërhequr vërejtje prej simbolikës së veprimeve drejt brendësisë së çështjes, dhe jo thjesht “ Ata, falësit e namazit”. Me pak fjalë parashtrohet se shpëtimin e kanë arritur me të vërtetë ata që pavarësisht rrethanave i përjetojnë deri në thellësi namazet e tyre.

Nisur nga një vështrim i jashtëm ne nuk mund ta shquajmë se sa i përkushtuar ndaj namazit është personi që po falet. Kjo është një gjë që mbetet mes Allahut dhe robit. Madje ne jemi të detyruar të mendojmë bukur për të. Ama ka nga ata që tregohen aq të pakujdesshëm në faljen e namazit dhe agjërimet e tyre, apo shpërfaqin të atilla sjellje nëpër rrugë e tregje, saqë edhe sikur njeriu t’i sforcojë mendimet për mirë, nuk mund t’i mbyllë sytë teksa bëhet dëshmitar i disa skenave që nuk gjejnë vend në asnjë cep të fesë. Për shembull, ndërsa ti në namaz je ende në gjysmë të Fatihasë, dikush që sapo ka marrë tekbir shkon menjëherë në ruku. Në raste si ky është e vështirë që të përmbahesh e të thuash që ai person fali namaz.

Kryerja e rukusë në mënyrë të plotë e pa u ngutur, shqiptimi qartë i fjalëve dhe -sipas disa dijetarëve të fikhut- të thënët të paktën një herë “Subhane Rrabijel Adhim” janë nga kushtet e vlefshmërisë së namazit. Kalimi me një frymë ua prish kuptimin lutjeve të tilla. Shtoji kësaj që ka nga ata dijetarë që mendojnë se fraza “Subhane Rrabijel Adhim” duhet recituar të paktën tri herë. Prandaj, dhikre si ky le të shqiptohen ngadalë, të paktën nga tri herë dhe mirë e bukur, si në ruku edhe në sexhde. Nëse shkurtojmë diçka prej tyre mund t’i shtyjmë të tjerët të mendojnë keq për ne.

Fatihaja e lexuar shpejt e shpejt nga shumëkush, nuk është korrekte sipas rregullave të leximit të Kuranit. Sepse as vetë Kurani nuk ka zbritur në atë mënyrë. Namazi në të cilin Fatihaja këndohet me nxitim të madh nuk quhet namaz. Detyrimi i leximit të Kuranit në namaz nuk shlyhet nga të lexuarit e Kuranit me një frymë të vetme e me ngutin për ta mbaruar, apo me frymëmarrjet e ndërprera në gjysmë papritmas për shkak të shpejtësisë së leximit. Fjalët vërtet janë shënjuese të kuptimeve, por a nuk kërkohet një trajtë e denjë veçanërisht për disa kuptime? Tjetër gjë është bereqeti/zgjerimi i kohës! Dikur më pati thënë dikush: “Kam falur 40 apo 90 rekate duke ua dhënë hakun në vetëm pesë minuta” Sipas Zakonit Hyjnor kjo nuk ndodh rëndom. Edhe ai që privilegjohet njëherë me të nuk mund të lëvdohet se mund t’i serviret sërish diçka e ngjashme.

 

 

[1] Surja Muminun: 1

[2] Muminun: 2

Postime të ngashme