Çfarë duhet pasur kujdes në iftar

Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka renditur edhe se çfarë duhet të ketë kujdes një besimtar teksa bën iftar. Sipas kësaj, kur çel iftarin, një besimtar duhet të bëjë kujdes me: Është sunet, që kur hyn koha e akshamit, besimtari menjëherë të bëjë iftar. Duke qenë se koha në iftar është shumë e kufizuar dhe namazi duhet të falet me të hyrë koha, i Dërguari Fisnik (paqja qoftë mbi Të) bënte njëherë iftar, mandej falte namazin e akshamit. Te këshilla e Tij për të bërë iftar sa më parë, menjëherë sapo të hyjë koha e akshamit, janë më se të qarta shenjat e dhembshurisë dhe mëshirës që ndiente Ai për njerëzit. Është e vështirë që të mund t’i shpjegosh e arsyetosh dot me shpirtin e dhembshurisë që ka feja islame, të vijosh t’i privosh edhe për më shumë kohë të gjithë ata njerëz që kanë qëndruar të etur e të uritur e të kufizuar përgjatë gjithë ditës. Prandaj Profeti ynë e ka nxitur umetin e Tij që të nxitojë për të bërë iftar sapo të hyjë koha, duke e vënë ata më përpara edhe se namazi, që për Të ishte si drita e syve. Ja se si thotë Ai: “Për sa kohë që i ftojnë njerëzit që të nxitojnë (për të bërë njëherë iftar), ata do të jenë në mbarësi.” Edhe në një transmetim tjetër nëna jonë, Aishja (radijallahu anha), na tregon neve edhe më shumë në lidhje me qëndrimin e të Dërguarit të Allahut (pqmT) në lidhje me këtë çështje. Ebu Atijeja tregon: “Unë dhe Mesruku kishim shkuar tek Aishja e nderuar (radijallahu anha). Mesruku tha: ‘Janë dy burra nga sahabët e Muhamedit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), të cilët garojnë për të qenë përherë në mbarësi. Njëri nxiton për të bërë iftar dhe për të falur namazin e akshamit, ndërsa tjetri që i shtyn të dyja, si akshamin, ashtu edhe iftarin.’ – Kur i dëgjoi këto fjalë, Aishja e nderuar pyeti: ‘Kush është ai që nxiton për iftarin dhe kohën e namazit të akshamit?’ – ‘Abdullah ibni Mesudi,’ – u përgjigj Mesruku. Atëherë, Aishja e nderuar na tha: ‘Ja, kështu bënte edhe i Dërguari i Allahut.’” Gjithashtu, sunet është edhe që besimtari ta çelë iftarin me hurma ose ujë. Enesi i nderuar (radijallahu anh) thotë kështu lidhur me këtë çështje: “I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të), para se të falte namazin, e çelte iftarin me disa hurma të njoma dhe nëse nuk do të kishte hurma të njoma, me hurma të thata. Nëse qëllonte që nuk kishte as hurma të thata, atëherë pinte disa gllënjka ujë.” Sipas një transmetimi prej Sulejman ibni Amirit, i Dërguari i Allahut ka dhënë këtë këshillë: “Kur të agjërojë ndonjëri prej jush, le të bëjë iftar me hurma. Sepse hurma është begati. Nëse nuk gjen dot hurma, atëherë të çelë iftar me ujë. Sepse uji është shumë pastrues.” Një njeriu që qëndron pa ngrënë gjatë një dite të tërë agjërimi, i bie sheqeri në gjak. Dhe që të mund ta kryejë adhurimin e tij me një mendje më të kulluar, atij i duhet që ta ekuilibrojë disi sheqerin në gjak veçanërisht me një ushqim të ëmbël. Një tjetër aspekt është edhe se uria e madhe, e përforcuar gjatë gjithë ditës, do të bënte që ai të kryente një adhurim në një gjendje të rraskapitur dhe është e pamundur që të arrijë përkushtimin e nevojshëm. Ndoshta kjo është edhe arsyeja e këshillimit që iftari të bëhet para faljes së namazit të akshamit. Diçka tjetër që duhet bërë në kohën e iftarit është edhe lutja e shumtë. Sepse Allahu i Madhërishëm thotë: “Lutmuni, që t’ju përgjigjem.” Dhe lutja e bërë në kohën e iftarit ka një vlerë krejtësisht të veçantë në lartësitë e Allahut (xhel’le xhelaluhu). Një besimtari që ka qëndruar përgjatë gjithë ditës i etur dhe i uritur për hir të Allahut, që është përpjekur ta ruajë veten me çdo kusht prej çdo mëkati të mundshëm po për hir të Allahut, si shpërblim, Allahu i pranon atij lutjet që do të bëjë në kohën e iftarit. Një besimtar që mban agjërim nuk duhet ta humbasë këtë përgëzim të veçantë që i ka mundësuar Allahu, por, çdo nevojë t’ia shprehë Atij duke iu përgjëruar në kohën e iftarit. Ja se si ishte një nga lutjet që bënte Profeti ynë në kohën e iftarit: “O Zot! Unë agjërova për kënaqësinë Tënde. Te Ti u dorëzova. Me rriskun që më ke falur Ti e çela iftarin. Pranoje Ti agjërimin tim. Nuk ka dyshim, Ti je Gjithëdëgjues, i Gjithëditur. Etja iku, damarët u njomën. Inshaallah u fiksua edhe shpërblimi.” Kur ishte si i ftuar diku, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) lutej me këto fjalë: “Ushqimin t’jua hanë njerëz të mirë. Në sofrat tuaja të çelin iftar agjëruesit. Dhe engjët të luten për faljen tuaj.” Gjithashtu, një çështje tjetër, për të cilën lipset kujdes për sa i përket iftarit është edhe që sofra të mbahet përherë në pritje të mysafirëve dhe duhet bërë përpjekje që në të të ketë vend edhe për të tjerë, e veçanërisht për të varfërit. Kësodore njeriu jo vetëm u përkëdhel të varfërve zemrat, por edhe do të fitojë shpërblime për aq njerëz sa u ka mundësuar iftarin. Për sa i përket kësaj, Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, fiton shpërblime po aq sa fiton edhe ai që ka mbajtur agjërimin. Dhe nuk pakësohet asgjë nga agjërimi i agjëruesit.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: