Ç’është imani, Islami dhe ihsani?
Transmeton Abdullah b. Omeri r.a nga babai i tij, Omer ibn Hattabi r.a të ketë thënë: “Një ditë ishim duke ndenjur te i Dërguari i Allahut s.a.s, kur u shfaq një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zi. Në të nuk vihej re ndonjë shenjë udhëtimi dhe askush prej nesh nuk e njohu. Ai u ul pranë Profetit s.a.s duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshët e tij dhe tha:
– “O Muhammed, më trego ç’është Islami?” I Dërguari i Allahut s.a.s i tha:
– “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh muajin e ramazanit, nëse ke mundësi të shkosh në haxh.” Ai tha:
– “Të vërtetën e the.” Ne u çuditëm:
– “Po e pyet dhe po ia vërteton.” Ai tha:
– “Më trego, ç’është imani?” Profeti s.a.s tha:
– “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, profetët e Tij, ditën e fundit dhe të besosh në caktimin e Tij të së mirës dhe të së keqes”. Tha:
– “Të vërtetën e the”. Pataj tha:
– “Më trego ç’është ihsani?” Profeti s.a.s tha:
– “Të adhurosh Allahun sikur ta shohësh, sepse edhe se ti nuk e shikon, Ai vërtet të shikon ty.”
– “Më trego ç’është çasti (i fundit, dita e shkatërrimit)?” Profeti s.a.s tha:
– “Për këtë i pyeturi nuk di më shumë se ai që pyet.” Ai tha:
– “Më trego mbi shenjat e tij?” Profeti s.a.s tha:
– “Kur robëresha të lindë vetes zonjushë, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e ndërtesave të mëdha.”
Pastaj ai u largua, ndërsa unë qëndrova edhe për një kohë pastaj i Dërguari s.a.s tha: “O Omer, a e di kush ishte ai që pyeti?” I thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri”. Profeti s.a.s tha: “Ai ishte (engjëlli) Xhibrili a.s, erdhi që t’jua mësojë juve fenë tuaj.”[1]
[1] Buhari, Iman, 1; Muslim, Iman, 1