Bujaria dhe vetëmohimi i Profetit Muhamed s.a.s

Shoqëria arabe paraislamike ishte një shoqëri ku njeriu nuk mendonte tjetër veç interesave të veta. Ndihmën ndaj dikujt tjetër ata s’e kishin menduar as në ëndërr. Kurse parapëlqimi i tjetrit para vetes, vetëmohimi, ishte një gjë e padëgjuar ndonjëherë mes tyre. Vetëm profetësia e Muhamedit, ashtu siç ndryshoi shumë gjëra në jetën e atyre njerëzve, e hoqi edhe koprracinë, zemërngushtësinë dhe edukoi dhe nguliti ndjenjën e bujarisë, parapëlqimit të tjetrit dhe vetëmohimit.

Një ditë, te Profeti shkoi një njeri. Ai ishte Ebu Hurejre. Iu afrua Profetit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ka ditë që s’kam gjetur gjë për të ngrënë dhe kam agjëruar disa ditë njëra pas tjetrës i pangrënë!” I Dërguari i Allahut e hodhi vështrimin përreth, por nuk pa kënd që do të mund të priste mik në shtëpi. Pas pak, u ngrit në këmbë Ebu Talha që i Dërguari i Allahut e donte shumë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, po e marr unë si mik në shtëpi!” Dhe e mori mikun dhe e çoi në shtëpi. Në duart e familjes së tij që kishte dhënë gjithçka për Islamin, nuk kishte mbetur asgjë. Vetëm herë pas here ata mund të gatuanin ndonjë supë. Kishte mundësi që atë ditë, e shoqja, Ummu Seleme, t’u kishte bërë fëmijëve ndonjë supë. Kur erdhi miku në shtëpi, burrë e grua u morën vesh mes tyre: “Sonte supën do t’ia lëmë ta hajë miku. Sido që të jetë, ne mund të agjërojmë edhe sot pa ngrënë! Fëmijët duhen marrë me të mirë që të flenë. Në mëngjes shohim e bëjmë edhe për ta!..” Do të vepronin kështu: Sapo të vihej supa në sofër, gruaja do ta shuante qiriun si pa dashur dhe miku me të zotin e shtëpisë që do të uleshin në sofër, do të hanin në errësirë. I zoti i shtëpisë do ta fuste dhe nxirrte lugën bosh, kështu që miku do të kishte mundësi të ngopej se supa nuk mjaftonte për dy burra. Dhe bënë siç e menduan. Kur u bë mëngjes, Ebu Talhai me mikun, Ebu Hurejren, zunë vend pas Profetit për të falur namazin e mëngjesit. I Dërguari i Allahut e drejtoi faljen. Pas mbarimit të faljes, i Dërguari i Allahut ktheu kokën pas, kërkoi me sy Ebu Talhain me Ebu Hurejren dhe pyeti: “Ç’keni bërë mbrëmë që për ju zbriti ky ajet: “Edhe sikur të jenë vetë ngushtë, e parapëlqejnë tjetrin në vend të vetes së vet!” (Hashr, 59:9)[1]

Në librat dhe në traditat e njeriut arab të periudhës pagane, politeiste e injorante paraislamike nuk njiheshin gjëra të tilla si parapëlqimi i tjetrit në vend të vetes, pra, vetëmohimi, ushqyerja e të uriturve, veshja e të zhveshurve, vetëflijimi për tjetrin, kënaqja e tjetrit duke mbetur vetë i pakënaqur, etj. Por i Dërguari i Allahut ua bëri të njohura, i nguliti këto ndjenja të larta tek ta, sikur t’i kishte ngulitur me daltë mbi mermer dhe i transformoi. Ju quajeni si të doni këtë frymë altruizmi e vetëmohimi: durim, tolerancë, nënshtrim, përfundimi nuk ndryshon. Le ta kujtojmë edhe një herë fjalën që thotë: “Besimi çon në nënshtrim, nënshtrimi çon në dorëzim, dorëzimi çon në lumturinë e kësaj bote e të përjetësisë”. Po, nëse keni besuar, do t’i nënshtroheni Allahut; pasi t’i jeni nënshtruar Allahut, do t’i dorëzoheni Atij, do të mbështeteni te Ai. Ja, atëherë do ta arrini lumturinë e kësaj bote e të përjetësisë!

[1] Buhari, Tefsir, (59) 6; Muslim, Eshribe, 172; Ajni, Umdetu’l-Kaarii, 19/227, 228.

 

 

 

 

 

 

Postime të ngashme