Brezi pret një dorë shpëtimtare
Brezi ynë është duke përjetuar një prej periudhave më depresive. Braktisja, e cila ka shekuj që vazhdon e pandryshuar dhe fatkeqësitë njëra brenda tjetrës i dhanë të gjitha frytet brenda saj. Teksa shtyhej nën këtë barrë më të rëndë se mali i Kafit, ai qe i papërgatitur nga nëna, apo babai, nga atdheu, apo nga çerdhja familjare, nga mësuesi, apo nga mjedisi që pati përreth. Madje me zemrën pa ushqim dhe me gjunjët pa fuqi për të bërë më tej…
Po, në kohën tek përgatitej për t’u njohur me shekullin e ri, ky brez, së bashku me të gjitha vlerat e tij, e gjeti veten të shteruar nga çdo forcë nën trysninë e peshës së papërballueshme të lëndës. Nuk e kishte as thellësinë brenda vetes, e as qashtërsinë e nevojshme në ndjenja dhe mendime. E si t’i mbeteshin të tilla, kur disa nga mendjet më të ndritura që kishim, e patën marrë të gjithë atë përvojë njëmijëvjeçare, të gjithë atë trashëgimi dhjetëshekullore dhe e hodhën tutje dhe donin ta zëvendësonin me një kulturë si Sanskritishtja, e cila ishte marrë prej njëzet shtetesh të ndryshme, pa iu ushtruar kurrfarë filtrimi.
Akoma edhe më hidhur se kaq, me premtimin e një kënaqësie të mjerueshme dhe shumë të ashpër, ky formësim i ri u pranua menjëherë, shpejt e shpejt, nga të gjithë “intelektualët” tanë, prej të cilëve prisnin që të shërbenin si udhërrëfyes për shoqërinë. Ç’është e vërteta, një nga anët më të vështira për t’u kuptuar te ‘inteligjencia’ jonë është se si i lanë të gjitha këto vlera që i kishim mbajtur mbi krye si më të vyerat për shekuj me radhë me një qetësi thurjeje dhe me fisnikërinë e një ene mbajtëse, për t’i qëndruar gatitur një bohçeje leckash të arnuara, sikur të bëhej fjalë për flamurin…
Brezi i sotëm, nën rrjedhën e ngjarjeve që secila syresh është nga një shterpësi më vete, hyri në komunikim me “epokën” e vet. Përpara qëndronte një shoqëri e shushatur që kish humbur rrugën dhe drejtimin e saj; në shpatulla kishte një fuqi dinamike anormale, e shkaktuar nga një lindje pa dhimbje nga pesha dhe përgjegjësia e lënies pas dore të të gjithë kontributit të shumë shekujve… I ngrati brez, me t’i hapur sytë në këtë jetë nuk dinte se kë të dëgjonte dhe kujt t’i bindej e ta ndiqte. E si ta dallonte, kur ai sapo hapi sytë, nuk pa askënd tjetër pos një turme që përpiqej t’i arratisej vetes dhe botës që i përkiste.
Në një shoqëri ku çdo e shtrembër tregohej si e drejta dhe të drejtat të shtrembëra, atij çdo e vërtetë iu duk iluzion dhe, si një ëndërr e keqe ku çdo vlerë që e lartësonte atë drejt lartësive të të qenit një komb shihej si të ishte një parim, apo më gjerë edhe si institucion, i vjetëruar. Rafaeli, kur përshkruan “idet”, apo Platoni, kur na përshkruan se ç’ka përtej qiejve, nuk shprehin për ne vetëm botën e tyre, por i japin një mësim edhe nxënësve të tyre, se çfarë botë fshihet atje tej, aty ku ata do të fillojnë të hedhin hapat e parë të tyre. Ah sikur brezi ynë, që ishte i privuar nga të gjitha ndjenjat e larta, të mund të shihte të paktën deri te maja e këmbës së vet..!
Atëherë, ajo që duhet bërë është që këtij brezi të larguar kaq shumë prej botës së ndjenjave dhe mendimeve ku ai bën pjesë, t’i injektohet edhe njëherë eliksiri i jetës, për ta ngjitur edhe njëherë drejt lartësimit shpirtëror.
Ne nuk kemi të drejtë të ankohemi për të; pse nuk lexon, apo nuk mendon. Deri dje ai nuk pa asnjë dorë ndihmese, që t’i zgjatej për ta tërhequr. Po të kishte parë një dorë të tillë; do ta kishte puthur e do ta kishte çuar drejt ballit, duke i qëndruar gatitur vlerave me të cilat do të ishte njohur. Sepse, nuk mund të mohohet që ai është i etur prej një dëshire të jashtëzakonshme për të kërkuar dhe mësuar të renë. Nga kjo dëshirë ai lexon vandakë të tërë gazetash; dëgjon radio dhe sheh televizor për orë të tëra me radhë. Madje mblidhen në trajtë hallkash përreth analistëve që flasin dhe marrin sa të mundin prej asaj që u jepet dhe çdo gjë sipas cilësive të dhënësit, por edhe i vlerëson, për të shtuar në to edhe qëndrimin e vet. Por ç’e do, që kur përpiqemi ta vëmë veten në vendin e tyre, e kuptoj se nuk se u kemi dhënë edhe aq shumë.
Kur ia treguam ne atij të drejtën dhe të bukurën…? Kur arritëm që t’ia mësonim se ç’ishte e virtytshme e çfarë jo? A mund t’i flitet atij për një mesazh që do ta bëjë të mendojë, të thellohet edhe më shumë, për t’u bërë njerëz të vetëkontrollit..? Po, për sa prej atyre që mund të shndërrohen në udhërrëfyes, që ta marrë atë dhe t’i prijë në udhën e lartësimit të vetes, mund të jemi të sigurt se e bëjnë çdo gjë për hir të kënaqësisë së Zotit, larg çdo lloj pritmërie për veten? Sa personalitete të larta mund të dallojmë, të cilët kanë braktisur çdo lloj mendimi të përfitimit personal, qoftë material, qoftë shpirtëror? Kur ai, në fakt, priste për ardhjen e një Herkuli. Një Herkul që të thoshte: “Në tetëdhjetë e kusur vite të jetës sime nuk mbaj mend asgjë përsa i përket kënaqësive të kësaj bote…” dhe të vinte ta nxirrte atë prej kësaj jete me pamjen e një ferri; një Herkul që nuk devijonte nga e tija… Lërini ata heronj të së vërtetës që, të përvëluar nga zjarri që djeg brezin e ri, nuk ia falin zemrën as kështjellave të Xhenetit; por sa udhërrëfyes që do të sakrifikonin të paktën këtë botë, që është kaq e thjeshtë, për hir të këtij qëllimi të epërm; sa të tillë mundëm t’i ofronim..?
E vërteta është se ne nuk arritëm t’ia zgjatnim dorën; madje përzemërsisht asnjëherë… Nuk i gjetëm dot një shkollë. Nuk e bëmë dot që të lexonte të vërtetën, duke ia bërë të dashur atë dhe nuk e njëjësuam dot me gjithësinë. Në çdo ngjarje që kaloi para tij dhe e shtypi, ai doli prej saj si i shtypur prej gurit të një mulliri dhe me njëmijë fraktura në trup e në shpirt, nuk i doli koha nga hakërrimi që iu desh të shfaqte ndaj atyre që ia kishin prurë në atë gjendje.
Ndërsa tani, njësoj si në pikturën ku paraqitet koka e prerë e Goliatit, ai gjendet i përkulur përpara atyre që ia kanë prerë kokën dhe ia mbajnë nën krah, në pritje që t’ia rikthejnë edhe njëherë jetën e vjedhur… Po, po, që t’ia rikthejnë e ai ta fitojë edhe njëherë shpirtin e larguar, duke i rifituar edhe njëherë të gjitha humbjet; ja pra, kjo është çështja më e rëndësishme…!
Kush do ta marrë përsipër këtë detyrë që është më e rëndë se mali i Kafit; familja, shoqëria, apo shkolla? Në gjendjen aktuale që paraqesin, asnjë nga këto institucione nuk ngjan që ta përballojë dot suksesin në këtë mision. Ç’e do se edhe pse mund të jetë shumë e vështirë, nevoja për vënien në lëvizje e disa kuadrove në këtë drejtim është jashtëzakonisht e madhe. Nëse nuk do të jemi ne ata që t’i përgatitim njeriut tonë mundësinë e themelimit të një bote sipas kushteve në të cilave jetojmë dhe të përshtatshme për shpirtin e tij, ky ka për të
qenë fundi i tij. Përkundër kësaj, kushtet aktuale dhe mënyra se si funksionojnë institucionet që përgatitin të ardhmen nuk janë aspak shpresëdhënëse. As anija e sistemit tonë arsimor, e përplasur nga njëri shkëmb në tjetrin për shekuj me radhë, është katandisur në një tufë drurësh të kalbur e të thyer – sidomos kur është tronditur e gjithë disiplina dhe autoriteti i mësimdhënies – familja në një gjendje që nuk ka shumë dallim prej mensës dhe jetës konviktore, as shoqëria, në të cilën jetojmë, ku përjetohen njëmijë e një mosmarrëveshje mpirëse, nuk janë në gjendje që të sjellin klimën dhe atmosferën e pritur nga ana e këtij brezi.
Zhvillimi i një botëkuptimi shkencor të ri, i një vullneti të ri moral; i një hulumtimi rrënjësor brenda vetes dhe i aftësisë për të hyrë në brendësinë e ngjarjeve, për t’u bërë një hero i Zotit, që është më i Drejti dhe për të zhvilluar hyjnoren brenda vetes janë rrugëdalja e vetme. Po, arritja e tij drejt njëjësisë në mendim, e drejtpeshimit në jetë, e dallimit në art, dhe arritja e tij drejt zërit dhe frymës që frymojmë në të shkuarën tonë legjendare janë e vetmja rrugë dhe drejt kësaj rruge të vetme duhet të shkojmë.
Ne mund t’i çojmë brezat tanë drejt këtij horizonti të lartë, larg apatisë, vetëm duke duke i shndërruar ata në idealistë që e kanë hedhur tej çdo lloj mpirjeje që i ka mbajtur të bllokuar; duke u mësuar atyre se ç’është dhimbja dhe vuajtja, në vend të të qeshurave dhe argëtimit; duke i ndihmuar ata që të distancohen prej egoizmit dhe mendimit të përfitimit personal, duke u injektuar atyre dashurinë për kombin dhe atdheun.
Sot, të gjithë bashkë, si komb, le t’i përshëndoshim me gjithë respektin që na buron prej zemrës këta fatlumë që do ta marrin përsipër këtë detyrë kaq të vështirë.