Botëkuptimi i barazisë ose barazitizmi
T’ia marrësh diçka të pasurit e t’ia japësh të varfrit, në fakt, nuk sjell barazi, përkundrazi, i hap rrugë atrofizimit të aftësive, shfaqjes së dëshirës për punë dhe përpjekje, rënies së prodhimit dhe vdekjes së ndjenjave të bukura si dashuria, respekti, bindja dhe dhembshuria. Fundja, nëse dikujt nuk i bie në dorë diçka ose ajo që i bie, i merret përsëri nga dora, kush përpiqet e kush derdh djersë për të fituar, për të vënë pasuri? Prandaj ndodhi që sistemi komunist mbeti, më në fund, i detyruar ta njohë pronën private duke e thyer me duart e veta gurin e themeleve të veta. Prandaj, rrëmbimi me forcë i pasurisë nga pronari nuk është zgjidhje. Ndoshta zgjidhje është t’i fitohet zemra e të përgatitet për të dhënë, kështu, t’i përftohet atij një ndjenjë njerëzore.
A mos vallë është drejtësi t’ia rrëmbesh nga dora pasurinë një njeriu që, duke respektuar moralin e tregtisë, përpiqet dhe fiton në rrugë legjitime e të bekuara, e t’ia japësh një dembeli që vret kohën me llomotitje në qoshet e kafeneve? A nuk e bën një sjellje e tillë viktimë një pjesë të shoqërisë, kurse pjesën tjetër, një shtresë parazitësh që jeton vetëm në kurriz të të tjerëve? Ata që propozojnë një drejtësi të tillë, si do ta shpjegojnë, pastaj, urrejtjen dhe armiqësinë e pashmangshme mes të pasurve që u është rrëmbyer me forcë pasuria dhe të varfërve që janë kthyer në parazitë duke u dhënë padrejtësisht mall dhe mundësi për të cilat nuk kanë derdhur djersë? Pas të gjitha këtyre pyetjeve dhe çështjeve qëndron fakti i falimentimit të sistemeve njerëzore të marrëdhënieve ekonomike e juridike. Është e qartë se njerëzimi ka për të shpëtuar vetëm me anë të sistemit hyjnor.
Dhe ja Islami i cili, nën frikën e Allahut, u ka dhënë rëndësinë e duhur edhe kapitalit, edhe punës; në të njëjtën kohë, duke e nxjerrë kapitalin nga të qenit një pushtet që qarkullon nëpër duar të të pasurve dhe duke ngritur ulluqe ushqyese për shtresën e të varfërve me anë të urës së lëmoshës, taksës së quajtur zekat dhe huasë pa kamatë, ka siguruar rrjedhjen dhe qarkullimin e kapitalit. Veçanërisht, Islami, duke penguar, nga njëra anë, shtypjen e të varfërve me anë të rrugëve jolegjitime të pasurimit, si kamata, tregu i zi dhe spekulimet e ndryshme, nga ana tjetër ka dekretuar “t’i jepet punëtorit pagesa pa iu tharë ende djersa”! Kështu, ndërsa nga njëra anë ka marrë këto masa, nga ana tjetër, Islami, nëpërmjet figurës së Profetit që e kalonte jetën mbi rrogoz, ka treguar me anë të këtij qëndrimi shembullor se ç’është varfëria për jetën tjetër. Kështu, Islami pati formuar një shoqëri të mbështetur mbi mëshirën dhe dhembshurinë nga lart dhe bindjen dhe respektin nga poshtë, për rrjedhojë një shoqëri të qetë e të lumtur. Historia e Islamit është pasqyra më e bukur e hedhjes në praktikë të këtyre lloj mendimeve e ndjenjave si dhe e rregullave hyjnore që nxjerrin në pah mendjet dhe zemrat. Unë besoj se leximi dhe vlerësimi i historisë së Islamit nga kjo perspektivë do t’i përftojë shumë gjëra njeriut të sotëm dhe se historia e Islamit do ta kapë për dore atë për të gjetur rrugën më të efektshme për shkatërrimin dhe zhdukjen e të gjitha bllokimeve shoqërore.
Parapëlqimi dhe zgjedhja e pasurisë apo varfërisë ka të bëjë plotësisht me botën ndjesore të individit. Sado që ta shtrëngoni individin që i ka mbërthyer sytë te horizontet sublime e te idealet sublime e që përpiqet për ta ngritur njerëzimin në qiellin e të qenit njeri, nuk keni për ta futur dot në burgun që, sipas tij, konsiderohet pasuria. Megjithëse në planin individual kjo gjë qëndron kështu, në planin shoqëror e kombëtar përfshihet edhe përgatitja e të gjitha kushteve që shteti të jetë i fuqishëm, gjë që ka një rëndësi të pashmangshme. Me këtë ekuilibër e pati rrethuar Islami njerëzimin dhe ky ekuilibër qe ruajtur për sa kohë që qenë respektuar parimet që pati sjellë ai!
Sipas kritereve të Mbretit të Zemrave, Profetit Muhamed, kjo botë është, në krahasim me jetën tjetër, një hije, një kalim vape nën një pemë, një lojë dhe dëfrim dhe, para Allahut, vlera e saj në krahasim me botën e përjetësisë, është një etapë e zakonshme me vlerë as sa krahu i një mize. Megjithëkëtë, me një vlerësim tjetër, po kjo botë është mjeti dhe mjedisi më i rëndësishëm për t’u ngjitur në horizontet sublime ku shpaloset emri i Zotit. Duke u përdorur mirë ky mjet e ky mjedis, myslimanët do të bëhen element ekuilibri mes shteteve të botës dhe, në çdo lloj marrëdhëniesh diplomatike, do të bëhen një shoqëri e treguar me gisht. Më në fund, ashtu si në çdo fushë tjetër, myslimanët do të zotërojnë edhe në fushën e tregut, ku, shembullin më të zgjedhur e gjejmë përsëri në praktikën e Profetit. Pak kohë pas emigrimit të tij në Medine, myslimanët u bënë zotër të tregut të atjeshëm dhe, megjithëse nuk i pengonte kush, çifutët patën mbetur të detyruar ta braktisnin tregun.
Hz. Omeri, përveç kuajve të luftës, ushqente, në vende të ndryshme, edhe mijëra kuaj të tjerë. Hz. Osmani qe aq i pasur e bujar sa të dhuronte mijëra deve së bashku me barrën. Ndodhte kështu, sepse ishte një pikë që i bashkonte të dy: të dy bënin një jetë të thjeshtë, hanin një copë bukë thatë, flinin mbi rërë dhe nuk ndaheshin kurrë nga populli i thjeshtë. Këto s’ishin përfundime të arritura me shtrëngim, përkundrazi, ishte shpirti i përftuar prej Islamit që i rriste e përgatiste ata e të tjerë si ta për t’i vënë në shërbim të popullit!
Po qe se elementi njeri është me të vërtetë çështja më kryesore dhe po qe se ata që kërkojnë ta bëjnë këtë çështje flamur duke e bërë pajandër për idetë e tyre të vjetruara, nuk janë gënjeshtarë në fjalët dhe thëniet e tyre, atëherë, ejani t’i gjejmë një zgjidhje kësaj çështjeje. Me fjalë të tjera, ejani ta risjellim në rend të ditës zgjidhjen e gjetur pesëmbëdhjetë shekuj më parë. Sepse e vetmja zgjidhje që do ta bëjë njeriun një monument vlerash e virtytesh, është zbatimi në praktikë i asaj Recete Hyjnore. Në të kundërt, kërkimi i ndonjë zgjidhjeje tjetër është vetëm kthimi i sëmundjes në gjendje kronike.