Besimtari rrezaton veçse mirësi në shoqëri
Kurani e krahason imanin me një pemë frutore, që i ka rrënjët e thella, degët të përhapura dhe që prodhon fruta në të gjitha stinët: “A nuk e ke parë se si Allahu bëri shembull fjalën e mirë si pema e mirë, që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, e që me vullnetin e Zotit jep frute në çdo kohë.” (Ibrahim, 24-25)
Rrënjët e thella në ajetin e lartpërmendur nënkuptojnë besimin që depërton thellë në natyrën njerëzore. Me fjalë të tjera, nuk është diçka sipërfaqësore, pa rrënjë, apo diçka që mund të nxirret në sipërfaqe me lehtësi. Në një kontrast të madh me të është mosbesimi, që nuk ka baza të sigurta.
Besimi është si një pemë e fortë, që nuk shembet nga stuhitë. Për më tepër, ai jep fruta në çdo stinë. Degët e tij të përhapura krijojnë hije dhe strehim për të gjithë. Këtu aluzioni u referohet begative, që rriten nga jeta fetare e një besimtari. Ata që janë në kontakt me të marrin shumë përfitime prej tij. Këto përfitime tregohen në jetën praktike dhe pohojnë besimin e tij. Ai e ndihmon besimtarin të arrijë lartësimin dhe madhështinë, ashtu siç thotë Allahu:
“…te Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon.” (el-Fatir, 10)
Nga ky ajet mësojmë se fjalët e mira ngrihen, por kanë nevojë për mbështetje, që sigurohet nga veprat e mira. Forca dhe pastërtia e besimit janë ato që e bëjnë besimtarin vital, të gjallë dhe të gatshëm për të përhapur të mirën mbi tokë. Ai e sheh çdo mundësi veprimi të së mirës si diçka që do ta afrojë më pranë Krijuesit dhe si plotësim të misionit të tij në këtë botë.