Besimi te profetët
«Profet» do të thotë i dërguar, përfaqësues, lajmëtar i Zotit…
Besimi te profetët është një ndër shtyllat e besimit. Ky lloj besimi është i pranishëm me ndryshime të vogla, në të gjitha fetë. Për ekzistencën e një institucioni si profetësia, ka njëshmëri mendimi mes gjithë besimtarëve në botë: qofshin këta myslimanë, të krishterë, hebrenj, etj.
Profetët, nga i pari tek i fundit, janë të gjithë njerëz, porse janë të përzgjedhur nga Zoti për kryerjen e një detyre të veçantë: komunikimin e mesazheve hyjnore.
Ata janë të ngarkuar me përgjegjësinë e përcjelljes së shpalljes, urdhrave, përgëzimeve, ndalesave dhe këshillave për të gjithë njerëzit.
Çfarë e bën profetin të jetë ndryshe nga njerëzit e tjerë?
Profeti është një njeri ndër njerëzit. Ai jeton me ta, ka një familje të vetën, flet, ha, punon e lodhet, pushon, bie të flejë, bën shaka, adhuron Zotin…derisa një ditë edhe ai largohet nga kjo botë.
Megjithatë, çdo profet është i dallueshëm prej njerëzve të tjerë dhe bartës i disa cilësive dhe tipareve të veçanta.
Askush nuk mund të bëhet profet me dëshirën e vet, pavarësisht se sa beson, apo sa adhurime shton në jetën e tij. Allahu ngarkon me detyrën e profetësisë kë të dojë!
Profetët nuk janë thjesht transmetues të fjalës së Zotit: ata janë zbatuesit e parë të saj dhe shembuj konkretë në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ngritjen shpirtërore dhe afrimin tek Allahu.
Ata janë edukuesit më të vyer të shoqërisë njerëzore përgjatë gjithë historisë. Me predikimet e tyre të mençura dhe jetën shembullore ua kanë pastruar mendjet dhe zemrat njerëzve.
Të gjithë të dërguarit karakterizohen nga mëshira dhe janë ushqyes të shpresës së atyre që i rrethojnë. Njerëzit grumbullohen rreth tyre si fluturat përreth dritës. Pasi ata largohen nga kjo botë vendi i tyre mbetet gjithnjë bosh. Ata kanë treguar rrugët që çojnë drejt përsosjes vetjake dhe shoqërisë ideale.
Profetët kanë çliruar vullnetin e lirë të njerëzve duke i larguar ata nga paudhësitë, nga besëtytnitë, nga sjelljet e ulta, nga robërimi me frikë apo pasion ndaj kësaj dynjaje, dhe nga çdo punë e kotë.
Kanë nxitur kurdoherë që të ecet në rrugën e zhvillimit, kanë stimuluar kapacitetet njerëzore deri në kufijtë e fundit, i kanë frymëzuar besimtarët për realizimin e punëve të dobishme.
Kanë arritur të lexojnë shumë mirë qenien njeri. Syri i një profeti sheh deri në detaje gjëra që njerëzit e tjerë nuk i vënë re aspak.
Ata kanë vendosur ekuilibrin mes dy botëve, ndërsa përmenden vazhdimisht për lehtësinë me të cilën zgjidhnin edhe problemet më të mprehta të shoqërisë.
Disa argumenta të profetësisë:
Allahu që e ka krijuar këtë botë në mënyrën më perfekte, pa asnjë të metë, dhe një vend në të cilin mahniten mendjet njerëzore saqë mbesin pa fjalë, nuk do ta linte artin e Tij pa një interpret të rrallë, i cili të shpjegonte deri në detaje sekretet e këtij krijimi.
Mëshira e Zotit e bën të domosdoshëm dërgimin e profetëve. Ata u tregojnë njerëzve ato gjëra që ata nuk mund t’i dinë rreth Zotit, të drejtës apo ekzistencës së botës tjetër.
Krijuesi që i ka bërë bletët të kenë një mbretëreshë, kafshët e xhunglës të kenë luanin mbret, formacionet fluturuese të zogjve shtegtarë të kenë një prijës tufe, nuk i ka lënë njerëzit pa një udhëheqës përmes gjithë telasheve të jetës.
Sjellja e tyre e përkryer është një argument i profetësisë. Edhe prej kundërshtarëve të tyre ata njihen si njerëz të drejtë e që nuk thonë asnjëherë gënjeshtër. E nëse thonë që janë profetë, atëherë janë vërtet të tillë! Një njeri që gjuha nuk i rrëshqet në trillim as për gjënë më të vogël, as me shaka, si mund të shpikë diçka të tillë për Zotin e të thotë që është profet?!
Profetët kanë treguar për të vërteta të mëdha nga e shkuara, apo e ardhmja që nuk diheshin në kohën e tyre. Thëniet e tyre kanë vlera artistike dhe shkencore. Letrarë, filozofë dhe studiues fizikanë, matematicienë, biologë, gjeografë, etj.,vazhdojnë të zbulojnë thesare nga fjalët e tyre. A është e mundur që dikush të mos gabojë asnjëherë në gjërat që thotë apo vepron? Po, një gjë e tillë është e mundur posaçërisht për njerëzit që drejtohen prej Allahut në çdo hap që hedhin.
Dërgimi i librave hyjnorë është ndër argumentat e profetësisë. Kurani është një libër që vërtetohet me sigurinë më të plotë që qëndron mbi çdo shkrim tjetër. Nëse në Kuran flitet për profetësinë, atëherë në këtë çështje nuk ka më vend për të dyshuar.
Progresi i përgjithshëm dhe edukimi i shoqërisë njerëzore si me dorë në kohë të caktuara dëshmon për ekzistencën e profetëve. Vetëm ata kanë arritur majat në këtë drejtim.
Dokumentime të shumta na japin informacion mbi mrekullitë e tyre, duatë e pranuara, ëndrrat besnike…dhe këto janë veçse shenja të qarta profetësie.
Fakti që njerëzit, e kanë të vështirë, gati të pamundur, të mendojnë njëlloj për të njëjtën gjë, por prapëseprapë bien në konsensus për çështjen e ardhjes së profetëve (pavarësisht përkatësisë fetare), është një tjetër argument i fortë për temën në fjalë.