Autorizimi për dhënien e zekatit
Juristët myslimanë janë njësuar në mendimet e tyre për lejimin e autorizimit për dhënien, respektivisht nxjerrjen dhe shpërndarjen e zekatit, me kusht që nijeti për zekat të jetë nga autorizuesi, pra nga pronari i pasurisë. Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefi, për dhënien e zekatit lejohet të autorizohet edhe jomyslimani (dhimiu), i cili jeton në shtetin islam, sepse dhënësi i vërtetë është mysliman. I autorizuari për dhënien e zekatit nga pasuria e tjetrit, duhet ta shpërndajë zekatin sipas porosisë, pra nëse i përcaktohet personi apo pala, atëherë vepron sipas autorizimit. Në këtë rast, nëse i autorizuari nuk vepron sipas autorizimit, pra ia jep zekatin dikujt tjetër, duhet ta kompensojë këtë pasuri. Ky është edhe mendimi i Ibn Abidinit, i cili sqaroi se i autorizuari nuk guxon të veprojë jashtë kornizave të autorizimit të tij. Mirëpo, nëse autorizimi është i përgjithshëm dhe i papërcaktuar, atëherë lejohet që i autorizuari këtë pasuri të zekatit t’ua japë fëmijëve të tij, ose bashkëshortes së tij, madje lejohet që ta ndalë edhe për vete.