Arti i edukimit të fëmijëve

Çdo fëmijë në gjendje shëndetësore të mirë ka dëshirë të veprojë, të jetë aktiv dhe kërkues në njohjen e gjërave të reja. Në këto rrethana, ai edhe mund të gabojë. Por gabimi nuk duhet t’i vihet në dukje menjëherë, e aq më keq, nëpërmjet ndëshkimeve të rënda.

Edukata e fëmijës forcohet më mirë me shembuj konkretë dhe këshilla bindëse, duke vënë me kujdes në dukje shkaqet e gabimeve të tij dhe çfarë duhet të bëjë, që të mos t’i përsërisë ato.

Disa prindër nuk marrin parasysh veçoritë e moshës së fëmijëve dhe i ndalojnë ata nga shumë veprime. Përkundrazi, duhen nxitur ato përpjekje që janë në rrugën e duhur. Fëmija duhet të mësohet t’i kryejë vetë nevojat vetjake, të vishet, të lahet, të lidhë këpucët, të qepë, të riparojë lodrat e dëmtuara, etj.

Aktivitete të tilla nuk shtojnë vetëm gëzimin personal për një punë të kryer, por forcojnë edhe vullnetin.

Le t’i rrisim fëmijët tanë dhe t’i edukojmë me ato mësime që të jenë në gjendje të njohin të vërtetën, të përsosin botën e tyre shpirtërore dhe të plotësojnë me dinjitet detyrimet që u dalin para në jetë.

Sistemi nervor i fëmijës në moshat e vogla është shumë aktiv dhe në gjendje të kapë gjëra, që ne të rriturve na duken të vështira për fëmijët.

Fëmija ka nevojë të mësojë edhe para moshës shkollore një varg sendesh, të cilat përvetësohen më lehtë dhe më shpejt sesa në moshën mbi 16 vjeç.

Duke nisur nga kjo, prindërit jo vetëm që nuk duhet t’u kufizojnë kureshtjen dhe iniciativën fëmijëve, por përkundrazi të bëhen faktorë stimulues e nxitës.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: