Cilat janë urtësitë e martesës së Profetit tonë të Nderuar me shumë gra njëkohësisht?

Le të theksoj menjëherë se ata që flasin poshtë e përpjetë për këtë çështje, janë ndër ata njerëz që as nuk lexojnë e as nuk e vrasin mendjen për ndonjë gjë në këtë botë. Nëse, vetëm për fare pak do të merrnin mundimin t’u hidhnin një sy librave mbi jetën e Profetit dhe historisë së Islamit, padyshim që nuk do ta ulnin veten e të bënin një pyetje të tillë.

Gjer tani këtë pyetje ma kanë bërë në pesë-gjashtë vende të ndryshme dhe unë jam përpjekur çdo herë të tregoj disa gjëra plotësisht a pjesërisht të ndryshme. Edhe kësaj here do të përsëris ç’më ka mbetur prej tyre në kujtesë.

Në martesat e Mbretit të Profetëve, ka aspekte të ndryshme: specifikat përkatëse të Atij Personaliteti të Nderuar, përgjithësisht objektivat dhe synimet që mund të jenë mbajtur parasysh në martesat e tij, disa detyrime a domosdoshmëri, dhe në fund, disa situata të tilla që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të veçanta të martesës. Tani le t’i analizojmë një nga një këto aspekte.

Le ta fillojmë shqyrtimin e çështjes duke e hedhur vështrimin nga personaliteti i pastër e i pamëkatë.

Mbi çdo gjë, duhet të dihet se ai, Personalitet i Lartë, deri në moshën njëzet e pesë vjeçare nuk u martua. Po të kemi parasysh klimën aq të nxehtë të atij vendi, një jetesë e virtytshme gjer në këtë moshë, tregon se virtyti, tek ai, ishte një element thelbësor, se ai kishte një vullnet të jashtëzakonshëm dhe se i zotëronte më së miri egon dhe dëshirat e tij trupore – të gjitha këto të pranuara pa kusht nga dje deri më sot. Po qe se në këtë moment do të ekzistonte edhe shmangia më e vogël, armiqtë e tij të djeshëm e të sotëm nuk do të ngurronin qoftë edhe për një çast të vetëm pa ia njoftuar botës këtë pseudoargument. Mirëpo armiqtë e tij të vjetër e të rinj, ndërsa i kanë ngarkuar gjëra të paqena, këtu nuk kanë patur guxim të thonë asgjë.

Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u martua për herë të parë në moshën 25 vjeçare. Kjo martesë, me një vlerë dhe veçori në praninë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ishte bërë me një të ve 40 vjeçare që kishte kaluar dy martesa më parë. Kjo vatër lumturie pati zgjatur plot 23 vjet dhe ishte mbyllur si një perde, krahas vitit të tetë të profetësisë, duke lënë pas një mall të hidhur. Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte mbetur sërish krejt i vetmuar. Pas kësaj jete të lumtur njëzetetrevjeçare, me familje e me gjithçka, sërish kishte jetuar si beqar për katër-pesë vjet, ndërsa mosha i ishte afruar të pesëdhjetetretave.

Ja, pra, të gjitha martesat lidhur me të cilat përflitet, fillojnë pas kësaj moshe. Në martesat e tij të kryera pas moshës pesëdhjetepesëvjeçare, në një zonë me temperatura të larta, kategorikisht nuk mund të flasësh logjikisht për arsyetime njerëzore apo erotizmi.

Këtu më vjen ndërmend edhe një çështje tjetër, interpretimi i temës së poligamisë në Institucionin e Profetësisë.

  1. Pikësëpari, duhet të dihet se ata që kapen pas kësaj, janë ose të tillët që nuk pranojnë asnjë fe apo parim, kështu që kurrë dhe kategorikisht nuk e kanë të drejtën të përflasin diçka të tillë, sepse ata dalin kundër të gjitha parimeve, hyjnë në marrëdhënie me shumë femra pa iu nënshtruar asnjë ligji apo rregulli. Të tjerë që fillojnë e përflasin këtë çështje, janë besimtarët e Librave të Shenjtë, çifutët dhe të krishterët. Edhe sulmi i tyre ka qenë i pangopur, i verbër e plot maraz, madje i tillë që të shkakton keqardhje për vetë namin e tyre. Sa profetë të mëdhenj ka, të cilët i kanë pranuar dhe të cilëve u janë nënshtruar pasuesit e Ungjillit, të cilët i kanë njohur si profetë të tyre dhe u kanë shkuar pas pasuesit e Teuratit; edhe këta kanë lidhur kurorë me shumë gra. Sikur të kujtohen vetëm profetët Sulejman dhe Daud, del sheshit se në ç’pozicion padrejtësie dhe sulmi ndodhen të dy bashkësitë në fjalë. Për rrjedhojë, duhet thënë se, ashtu siç martesën me shumë gra nuk ka qenë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ai që e ka filluar, edhe martesa e shumtë nuk është aspak në antagonizëm me shpirtin profetik. Pas kësaj, mbetet të themi se, ashtu siç do të vërehet në specifikat që do të përpiqem të shpjegoj më poshtë, poligamia e profetëve, nga pikëpamja teorike, përmban dobi të nivelit konceptual.

Po, martesa me shumë gra, nga një anë, është e detyrueshme posaçërisht për profetin që vjen me një sistem ligjshmërie, pasi ekzistojnë disa aspekte të fesë që përshkohen nëpër intimitetin e martesës, aspekte për të cilat vetëm një i martuar mund të ketë njohuri. Për rrjedhojë, për të shpjeguar këto aspekte të fesë, pa ndjerë nevojën për t’iu drejtuar çfarëdo aluzioni apo ngjashmërie që shpesh herë e turbullojnë këtë mënyrë të treguari, ekziston nevoja e të përkushtuarve që ta tregojnë çdo gjë përmes qartësisë dhe thjeshtësisë me të gjitha mundësitë e tyre.

Ja, pra, këto bashkëshorte të pastra, të sinqerta e të vërteta të mjedisit profetik, duke u nisur mbi gjithçka nga përgjegjësia si dhe nga roli transmetues i tyre në detyrën e shpalljes e të prijësisë profetike, para botës femërore bëhen të domosdoshme si për profetin dhe profetësinë, ashtu edhe për botën femërore, madje të paevitueshme.

  1. Një çështje tjetër ka të bëjë, në përgjithësi, me bashkëshortet e Profetit tonë:
  2. Duke u nisur nga fakti se midis bashkëshorteve kishte të moshuara, me moshë mesatare dhe të reja, tek të gjitha zbatoheshin rregulla të ndryshme, përkatësisht të asaj epoke dhe atyre periudhave. Vetë Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në sajë të këtyre bashkëshorteve të pastra që ndodheshin në mjedisin e tij, gjente mundësi për zbatime praktike.
  3. Secila nga bashkëshortet, meqë vinte nga tribu të ndryshme, i hapte udhë një lidhjeje dashurore së pari me rrënjë midis tribuve, pastaj midis gjithë kuvendeve në të cilat kishte mundësuar sendërtimin e një farefisnie me anë të personalitetit të vet të vyer. Çdo tribu dhe fis e njihte Atë si të vetin, pranë ndjenjës fetare, me një lidhje të vetëlindur e të natyrshme, ndiente një interesim të thellë për Të.
  4. Gratë e marra prej fisesh të ndryshme arritën të bëheshin shkak për shumë shërbime fetare serioze mes bashkësisë së vet për aq kohë sa Ai qe gjallë, madje dhe pasi ndërroi jetë; ato u bënë interprete të personalitetit të tij tek farefisi i tyre i afërt dhe i largët. Edhe fisi i Tij, me burra e gra, në saje të këtij shërbimi mësonin Kuranin, tefsirin dhe hadithet, duke përvetësuar sakaq shpirtin e fesë.

ç. Më i përsosuri i Profetëve, ashtu siç kishte krijuar afri pothuaj me të gjithë Gadishullin Arabik, me anë të këtyre kurorave bashkëshortore ishte bërë edhe mysafiri i padrojë i çdo banese. Me anë të kësaj afërsie çdokush mund t’i afrohej atij personaliteti monumental dhe të gjente rastin për të mësuar urdhrat e fesë. Në të njëjtën kohë, secili nga këto fise e quante veten njëlloj të afërt ndaj Tij dhe krenohej me këtë afërsi. Mahzumët me anë të Umu Habibes (r.a.) dhe Hashimitë me anë të Zejneb binti Xhahsh ndiheshin fatbardhë teksa pohonin afërsinë që kishin me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).

  1. Ndodhitë e përmendura deri më tani, në kuptim të përgjithshëm si dhe në disa aspekte të caktuara, do të ishin karakteristike për të gjithë profetët. Tani ta trajtojmë çështjen në kuptim më të ngushtë, konkret dhe brenda përvojës së secilës bashkëshorte, një nga një.

Po, edhe këtu do të shohim se logjika, përballë jetës së shquar të Profetit, të mbështetur nga Shpallja Hyjnore, mbetet e ulët në nivelin e tokës; me një tjetër shprehje, mendimi njerëzor, para zgjuarsisë profetike, logjikës së logjikave, e rënë në ruku, përthyhet më dysh.

  1. Bashkëshorjta e parë është Nëna Jonë, Hatixheja (r.a). Pesëmbëdhjetë vjeçe më e madhe, martesa me këtë grua të rrallë përbën shembullin më të ndritur për çdo martesë. Ai, ashtu siç mbeti një jetë të tërë i lidhur pas grave të veta me një besnikëri të thellë dhe miqësi të sinqertë që buronte nga nderimi ndaj Zotit, pas vdekjes s’e pati harruar kurrë Hatixhenë, madje pat hapur diskutime rreth saj sa herë që i ishte dhënë rasti. Pas Hatixhes së nderuar, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk u martua për 4-5 vjet. Megjithëse i kishin mbetur disa jetimë në ngarkim, i ishte vënë vet kujdesit dhe ushqimit të tyre të përditshëm duke kryer edhe detyrën e nënës, edhe të babait në mënyrën më të përkryer. Vallë, a do të vepronte kësisoj ndokush që më parë të kishte pasur ndonjë dobësi sado të vogël për femrat?
  2. Edhe pse jo sipas radhës, gruaja e dytë është Aishja Besnike. Vajza e shokut të Tij më të afërt. Dhurata më e zgjedhur për Profetin, me të cilën Ai kaloi një jetë të tërë së bashku, në hidhërime e gëzime… Atë ditë kur morën fund të gjitha afërsitë, nderi për t’iu ndodhur pranë Atij do t’i takonte asaj vetëm në saje të një afërsie të pafundme. Po, Aishja Besnike me Ebu Bekrin e nderuar ia kishin arritur një intimiteti profetik, qoftë ajo materiale a shpirtërore. Veçanërisht një krijesë e rrallë në mençuri, si Aishja (r.a.), për nga krijimi, zotëronte cilësitë e trashëgimtarit të mundshëm të kauzës profetike në kuptimin e plotë të fjalës. Veç një qenie e lartë, që me jetën pasmartesore dhe me shërbimet e mëvonshme kishte fituar tipare përfundimtare, mund të bëhej një bashkëshorte profeti. Sepse, duke e treguar veten si njohësja më e madhe e haditheve të Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), më e shkëlqyer e tefsirit të Kuranit dhe si juristja më e rrallë, me shpjegime të qarta e të pashembullta, ajo përfaqësonte me të drejtë Muhamedin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) si në formën e jashtme, ashtu edhe në përmbajtje.

Është për këtë arsye që Profetit i jepej në ëndërr lajmi se do të martohej me të, ndërsa ajo, ende pa iu shfaqur ndonjë iluzion tjetër ndër sy, hidhte këmbë në banesën e Tij…

Në saje të këtij hapi ajo do të bëhej për Ebu Bekrin (r.a) shkak nderimi dhe, brenda botës femërore, duke i përforcuar të gjitha dhuntitë dhe aftësitë e saj, me identitetin e njërit prej nxënësve më të dalluar të Profetit, do të përgatitej për t’u bërë një edukatore dhe një prijëse e madhe. Saora, ajo, edhe si bashkëshorte, edhe si nxënëse, ishte bërë tashmë pjesëtare e banesës së lumturisë.

III. Përsëri jo sipas radhës, bashkëshortja e tretë është Umu Seleme (r.a). Me prejardhje nga fisi Mahzum dhe një ndër myslimanet e para, kishte përjetuar shtypje e dhunë në Mekë, kishte emigruar, së pari, në Etiopi, pastaj në Medine dhe, sipas kushteve të asaj kohe, kishte zënë vend ndër besimtarët e radhës së parë. Në këto udhëtime të gjata plot vështirësi e vuajtje, përkrah kishte patur edhe të shoqin. Në sytë e Umu Selemes ai ishte një njeri i pakrahasueshëm. Pasi e humbi të shoqin në Medinë, mbeti e vetme, kokë më kokë me fëmijët e saj. Kësaj gruaje të mbetur larg vendlindjes dhe shtëpisë së vet, me një tufë jetimësh, që e kishte ngarkuar mbi supe barrën e jetës, të parën dorë dhembshurie ia zgjatën Ebu Bekri dhe Omeri (r.a), por ajo i refuzoi këto kërkesa, sepse në sytë e saj nuk ekzistonte një njeri që të mund të zinte vendin e Ebu Selemes.

Më në fund, asaj ia zgjati dorën i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) duke i propozuar martesë. Edhe kjo martesë ishte mjaft e natyrshme, sepse kjo grua e lartë që s’i ishte shmangur asnjë sakrifice në synimin drejt Islamit dhe besimit, që pasi kishte jetuar një kohë të gjatë mes tribusë arabe më fisnike, kishte mbetur e vetmuar, nuk mund të braktisej në udhën e lypjes. Sidomos, po të mendoheshin pastërtia e saj shpirtërore, sinqeriteti dhe punët të cilave i kishte hyrë për hir të Islamit, asaj duhej t’i zgjatej dora pa diskutim.

Kështu, pra, duke e marrë nën kurorë, Krenaria e Gjithësisë i kishte zgjatur dorën e ndihmës e të mirësisë. Sigurisht, ashtu siç kishte vepruar që në rini, detyrën e kujdesit ndaj të vetmuarve dhe zgjatjen e dorës së ndihmës ndaj jetimëve, Ai e zbatonte çdoherë këtë, në përshtatje me kushtet e asaj kohe.

Ashtu si edhe Aishja e nderuar, Umu Selemja ishte një grua e zgjuar. Kishte talentin e një prijëseje dhe edukatoreje. Prandaj, duke u marrë në mbrojtje nga dora e dhembshurisë, njëherazi, në shkollën e diturisë e të prijësish, pranohej edhe një nxënëse tjetër ndaj së cilës, bota femërore do të mbetej veçanërisht e detyruar për të falenderuar.

Nuk mund të bëhet asnjë interpretim tjetër i kundërt me ç’u tha deri më tash për martesën e Krenarisë së Gjithësisë me këtë grua, i Cili tashmë i ishte afruar të gjashtëdhjetave e po hynte nën barrën e një sërë detyrimeve, sidomos ndonjë lloj interpretimi lidhur me ndonjë tjetër gjë, si me erotizëm a me dhënie pas grave, kurrë, kategorikisht!…

  1. Një bashkëshorte tjetër është edhe Remle binti Ebu Sufjani, Umu Habibja e nderuar. Vajza e njeriut që njëherë e një kohë kishte përfaqësuar mohimin dhe blasfeminë kundër Profetit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe profetësisë. Edhe kjo ishte një nga myslimanët e parë, madje nga ata të radhës së parë. Një grua e hequr dhe e vuajtur, që në periudhën e brengës kishte emigruar në Etiopi, që si fillim kishte përjetuar kthimin e të shoqit në të krishterë, pastaj edhe vdekjen e tij…

Atëherë myslimanët e parë ishin të paktë në numër dhe tejet të varfër. Ata s’kishin mundësi të kujdeseshin për askënd, për t’i siguruar ndokujt mjetet e jetesës. Në këto kushte, ç’mund të bënte Umu Habibja? Ose të kthente edhe ajo e të bëhej e krishterë e të përfitonte nga ndihma e të krishterëve, ose të kthehej në shtëpinë atërore, në atë çerdhe blasfemie, në të kundërt do t’i duhej të bënte lypësen portë më portë. Asnjëra nga këto zgjidhje nuk ishte e mundur për gruan më besimtare, më të fisme e më të pasur për nga prejardhja. Mbetej vetëm një zgjidhje: ndërhyrja dhe kujdesi i Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)…

Ja, pra, edhe në martesën me Umu Habiben ndodhte e njëjta gjë. Kjo grua që kishte pranuar çdo sakrificë për fenë, e mbetur larg atdheut dhe çerdhes familjare, mes zezakëve, ato ditë që jetonte zemërthyer nga tradhtia dhe vdekja e të shoqit, thirrej në audiencë të sundimtarit të Etiopisë, Nexhashiut, dhe i lidhej kurorë me Profetin e Allahut, një akt, ky, tepër i natyrshëm. E kjo s’duhet dënuar, por, e konsideruar si realizimi i një domosdoshmërie të rrjedhur nga funksioni i Mëshirës për Botët, kjo vepër duhet duartrokitur.

Mbetet të themi se edhe kjo grua e madhe, në të njëjtën mënyrë, kishte mjaft gjëra për të sjellë në botën diturore të myslimanëve, burra e gra. Në të njëjtën formë, edhe kjo futej në atë mjedis lumturie edhe si bashkëshorte, edhe si nxënëse.

Në të njëjtën kohë, në saje të kësaj martese, edhe familja e Ebu Sufjanit përfitonte mundësi të hynte e të dilte pa teklif në Banesën Profetike dhe zbutej duke fituar një tjetër portret… Kjo martesë ishte e një karakteri të tillë që do të kishte ndikim jo vetëm mbi familjen e Ebu Sufjanit, por ndoshta edhe mbi të gjithë Emevitë. Madje, mund të thuhet se kjo familje e ashpër dhe fanatike në kulm, në sajë të kurorës së Umu Habibes u zbut dhe u bë gati të pranonte çdo lloj bekimi.

  1. Një nga ato që hynë në banesën e lumturisë së Profetit, qe edhe Zejnebja (r.a). Zotëruese e një bote të brendshme krejt të veçantë dhe, po ashtu, delikate, Zejnebja ishte një farefis i afërt i Mbretit të Profetëve dhe ishte e rritur dhe edukuar pranë Tij. Kur Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e kishte kërkuar atë për Zejdin (r.a.), familja e saj kishte ngurruar pak dhe, në këtë mes, kishte shfaqur prirjen për t’ia dhënë vajzën Profetit. Më në fund, me këmbënguljen e Tij, familja e vajzës kishte pranuar t’ia jepte për nuse Zejd b. Harithesë.

Zejdi ishte një skllav që dikur kishte humbur lirinë, kishte rënë rob dhe kishte rifituar lirinë pastaj nëpërmjet të Nderuarit të Gjithësisë. Me këmbënguljen në këtë martesë, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) donte të sendërtonte, të fuqizonte e të përçonte tek njerëzit barazinë shoqërore mes tyre dhe ia fillonte kësaj pune kaq të vështirë përsëri nga të afërmit e vet. Por ç’e do që një femër me një karakter të lartë si Zejnebja, dukej sikur nuk do ta shtynte gjatë një martesë të tillë konvecionale. Edhe për Zejdin kjo martesë nuk kishte sjellë ndonjë gjë të re, veçse pritje dhe ankth.

Me në fund erdhi divorci. Në fakt, Profeti u përpoq që Zejdi të hiqte dorë nga divorci dhe martesa e tyre të vazhdonte. Pikërisht në ato rrethana erdhi Xhebraili (a.s.) dhe, me një ferman qiellor, solli urdhrin e martesës së Zejnebes me Profetin Muhamed (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) Kjo provë së cilës ai duhej t’i nënshtrohej, ishte mjaft e rëndë, sepse ishte diçka që s’kishte guxuar ta bënte askush dhe, ndaj zakoneve të rrënjosura e të ngulitura prej kohësh, ishte një shkak i vërtetë lufte. Kjo ishte një përpjekje tepër e vështirë, por bëhej vetëm se ishte Allahu, Ai që kishte urdhëruar. Dhe ja, Profeti me vetëdijen e thellë të robit, e bëri këtë punë që përplasej shumë rëndë ndaj personalitetit të tij të dëlirë. Ashtu siç thoshte Aishja e nderuar, “sikur Profetit t’i lejohej të fshihte diçka nga Shpallja, do të mbante të fshehur pikërisht ajetet që urdhëronin martesën e tij me Zejneben.” Sigurisht, aq rëndë i kishte ardhur Profetit nga kjo gjë…

Kurse Urtësia Hyjnore donte që këtë qenie të pastër e të lartë ta fuste në Banesën Profetike, ta përgatiste me dituri dhe kulturë dhe ta ngarkonte me detyrën e shpalljes e të prijësisë. Më së fundi ashtu u bë. Dhe më pas, në tërë jetën e Tij moralo-etike të kulluar, ajo iu përgjigj çdo hollësie që përbënte domosdoshmërinë e bashkëshortësisë profetike.

Në periudhën paraislame, veçanërisht, djalit të adoptuar i thuhej djalë dhe, po ashtu, gruaja e djalit të adoptuar pranohej si gruaja e djalit të vërtetë. Kur u urdhërua qëllimi për të hequr këtë zakon që i përkiste injorancës, përsëri zbatimi filloi nga vetë Profeti. Ashtu siç nuk mund të jetë djalë dikush vetëm sepse thirret djalë, edhe gruaja e tij nuk mund të konsiderohet nuse e djalit.[1]

Ka akoma shumë gjëra që do të duhej të thuheshin për Zejneben si bashkëshorte, por meqë i kapërcejnë kufijtë e tematikës pyetje-përgjigje, tani për tani po e pres shkurt dhe po e kapërcej këtë çështje që do të duhej të analizohej më vete.

  1. Njëra nga gratë e nderuara me banesën e lumturisë, është edhe Xhuvejrije bintul Harithi. Në një luftë të zhvilluar kundër fisit të saj jomysliman, kishte rënë rob bashkë më gra e burra të tjerë. Bota ndjesore i ishte përmbysur, krenaria i ishte thyer dhe kur ishte sjellë në praninë e Profetit, kjo grua e fisme ishte tërë re zemërimi dhe urrejtjeje.

E pikërisht atëherë Logjika Profetike e zgjidhi çështjen me një hop.

Duke lidhur kurorë me Xhuvejrijen (r.a.), kjo u ngrit në postin e nënës së besimtarëve dhe, në sytë e sahabëve u transformua në një përmendore nderi. Sidomos thënia e sahabëve se farefisi i Profetit nuk mund të zihet rob, pasoi lëshimin e robërve, gjë që bëri të triumfohej menjëherë zemra e Xhuvejrijes dhe e gjithë fisit të saj.

Duket qartë se me këto martesa të realizuara rreth moshës gjashtëdhjetëvjeçare Profeti zgjidhte shumë çështje në një hop duke bërë që mes ndodhive të përgjakshme të frynin flladet e paqes e të prehjes.

VII. Në mesin e këtyre fatbardhave hyn edhe Safije binti Hujej (r.a.). Vajza e njërit prej prijësve të Hajberit. Në ngjarjen e njohur të Hajberit i ishin vrarë i ati, i vëllai dhe i shoqi, pjesëtarët e fisit ia kishin zënë rob. Safija (r.a.) digjej nga dëshira për t’u hakmarrë. Me aktin e kurorës, duke u ngjitur në lartësinë e pozitës së bashkëshortes së Profetit Muhamed, përballë nderimit të të gjithë besimtarëve, apelativit nënë të të gjithë besimtarëve dhe madhështisë zbutëse e shkrirëse të Tij, Safija i harroi gjithë ç’kishin ndodhur dhe filloi të ndihej krenare për të qenin e saj si bashkëshorte e Profetit.

Veçanërisht krijohej edhe mundësia që me anë të Safijes së nderuar shumë hebrenj të shihnin dhe njihnin nga afër Profetin dhe sakaq të zbuteshin. Allahu (xh.xh.) që prej diçkaje krijonte gjithçka dhe në çdo veprim të të Cilit do të kishte mijëra urtësi, ashtu siç ndodhi edhe tek të gjitha bashkëshortet e mëparshme, edhe bashkë me këtë pati sjellë shumë dobi dhe bekim.

Përveç kësaj, nga pikëpamja e mundësisë për t’u bërë i njohur me botën e brendshme të armiqve, pandeh se është me vend të kujtoj që me këtë ai i jepte edhe një mësim bashkësisë së vet. Sidomos hebrenjve…

Po ashtu nga kjo pikëpamje, ishte shumë i rëndësishëm fakti që Safija e nderuar dhe gratë e tjera vinin, në një mënyrë të ngjashme, nga popuj të ndryshëm. Mjafton që, duke njohur qëllimkëqijtë midis tyre, njeriu të mos ia tregonte sekretet e veta armikut.

VIII. Nga këto fatlume ishte edhe Sevdeja, nga ato të radhës së parë të besimtarëve, që kishte emigruar në Etiopi bashkë me të shoqin dhe, ngjashëm me fatin e Umu Habibes, ajo kishte mbetur në mes të katër rrugëve udhës pas vdekjes së të shoqit.

Profeti ia lidhi plagën kësaj zemërthyere, e shpëtoi atë nga shkatërrimi dhe iu bë shok në ndjenja. Për më tepër që kjo grua e madhe që mendonte të jetonte nën kurorën e Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk dëshironte asgjë tjetër veç kësaj.

Ja pra, i orientuar me këto urtësi dhe synime, Profeti ynë në këto martesa, kurrë nuk pati ndërmend të përmbushte dëshirat trupore. Ose qe martuar për dhuntitë dhe aftësitë e grave që i bënë bashkëshorte, për të ngritur një ngrehinë farefisnie me ndihmën e tij siç ndodhi me dy Kalifët e parë Rashidinë, ose qe martuar me të tjera urtësi e qëllime duke hyrë nën përgjegjësi dhe detyrime akoma më të mëdha.

Përveç këtyre, sigurimi me sa më shumë drejtësi i nevojave të kaq grave për banesë, nevoja të përditshme dhe veshje, kujdesi i jashtëzakonshëm në trajtimin e tyre, respektimi i drejtësisë dhe i të drejtave, parandalimi i pakënaqësive që mund të shkaktoheshin midis tyre, zgjidhja e lehtë dhe e qetë e keqkuptimeve kalimtare, janë argumente në favor të profetësisë së atij Personaliteti të Veçantë që, siç shprehej Bernard Shou (Shaw), i zgjidhte problemet nga më të komplikuarat me lehtësinë e pirjes së një kafeje…

Ne që shohim dhe dimë se sa i vështirë është administrimi i një gruaje dhe nja dy fëmijëve, përballë atij personaliteti të lartë e madhështor që kishte trajtuar në një ritëm dhe harmoni poetike disa gra të cilat më parë kishin krijuar çerdhe të tjera, të cilat ishin bërë dëshmitare përbërjesh të tjera familjare, të cilat kishin fituar zakone e vese të ndryshme në ato familje, përballë Tij, pra, i përkulemi Personalitetit të Lartë me nderim…

Mbeti vetëm një çështje e veçantë, ajo e numrit të bashkëshorteve, e numrit të tyre mbi atë të lejueshmin për bashkësinë e Tij, për vetë myslimanët. Kjo është një çështje që i përket jurisprudencës. Sigurisht, ky është një përjashtim ligjor që përfshin shumë urtësi dhe synime të njohura e të panjohura prej nesh. Deri në njëfarë kohe liria për t’u martuar kishte qenë e pakufizuar, ndërsa më pas, në një ditë të caktuar, ishte vënë kufizim dhe martesa e pakufizuar u ndalua.[2]

Duke u nisur nga rëndësia e pyetjes, e ndjeva të nevojshme ta zgjasja këtë temë; shpresoj të jem vetëjustifikuar.

[1] Shih: Sureja Ahzab, 4.

[2] Shih: Sureja Ahzab, 52.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: