Aktiviteti fizik nxit prodhimin e një molekule kundër kancerit
Aktiviteti fizik shumë intensiv nxit prodhimin nga ana e organizmit të një molekule “antikanceroze” të quajtur SPARC, që mund të ndihmojë në parandalimin e kancerit të kolonit (zorrës së trashë), u bë e ditur nga një studim japonez i realizuar pranë Universitetit Ritsumeikan që u botua në revistën Medicine & Science në rubrikën Sports & Exercise.
Studime të ndryshme të realizuara në të kaluarën në grupe të ndryshme të popullsisë evidentuan se personat që kryejnë aktivitet fizik kanë risk më të ulët për kancer koloni.
Në pjesën e parë të studimit, të realizuar në kafshë, u vu re se muskujt e kafshëve, në përgjigje ndaj aktivitetit fizik intensiv, prodhojnë molekulën SPARC që vret qelizat pretumorale në traktin tretës.
Në pjesën e dytë të studimit, ekspertët matën nivelin e SPARC në një grup individësh para dhe pas cikleve të aktivitetit fizik intensiv me biçikletë (gjashtë cikle me periudha të shkurtra pushimi). U konstatua që edhe tek njerëzit niveli i molekulës SPARC rritet pas aktivitetit fizik.
Si rrjedhim, është e mundur që kjo molekulë mbron kolonin njerëzor nga akumulimi i lezioneve pretumorale duke eleminuar qelizat përgjegjëse të tyre.