AHMED BIN HANBEL

Ahmed ibn Hanbel, (lindi më 780, Bagdad-vdiq më 855, Bagdad), teolog, jurist mysliman dhe martir për besimin e tij. Ai ishte koleksionues i haditheve të Profetit Muhamed (Musned) dhe formuluesi i hanbelizmit, tradicionalistja më e rreptë e katër shkollave juridike islame.

Me origjinë të pastër arabe, Ibn Hanbeli i përkiste fisit Shejban nga të dy prindërit. Ai ishte ende foshnjë kur babai i tij vdiq në moshën 30-vjeçare. Kur Ibn Hanbeli ishte 15 vjeç, filloi të studionte Traditat (hadithin) e Profetit Muhamed. Duke kërkuar të mësonte nga mjeshtrit e mëdhenj të kohës së tij, ai udhëtoi në qytetet Kufe dhe Basra në Irak; Mekë, Hixhaz dhe Medinë në Arabi; dhe në tokat e Jemenit dhe Sirisë. Ai bëri pesë pelegrinazhe në qytetin e shenjtë të Mekës, tre herë në këmbë. Ibn Hanbel bëri një jetë asketizmi dhe vetëmohimi, duke fituar shumë nxënës e ndjekës. Ai kishte tetë fëmijë, nga të cilët dy ishin të njohur dhe të lidhur ngushtë me punën e tij intelektuale: Salih (vdiq më 880) dhe Abdullah (vdiq më 903).

Ndodhia kryesore e jetës së Ibn Hanbelit është vuajtja se cilës ai iu nënshtrua gjatë inkuizicionit, i njohur si al-miḥnah, i urdhëruar nga kalifi el-Mamun. Me gjithë këtë sprovë të madhe dhe guximin e papërmbajtur që shfaqi përballë persekutorëve të tij, Ibn Hanbel ka shumë të ngjarë të kujtohet solemnisht për punën e tij mbi Traditat (hadithin). Ashtu siç në të vërtetë është, ai mbetet edhe sot e kësaj dite, përveç staturës së tij të njohur si ekspert i traditave (haditheve), një nga baballarët më të nderuar të Islamit, një përkrahës i vendosur i konservatorizmit mysliman.

Inkuizicioni nisi në vitin 833, kur kalifi e bëri të detyrueshëm për të gjithë myslimanët besimin se Kur’ani ishte krijuar, një doktrinë e mutezilitëve, një shkollë islame racionaliste që pretendonte se arsyeja ishte e barabartë me shpalljen si mjet për të vërtetën fetare. Kalifi e kishte shpallur këtë besim publik në vitin 827. Deri në atë kohë, libri i shenjtë ishte konsideruar si fjala e pakrijuar, e përjetshme e Zotit. Inkuizicioni u krye në Bagdad, e cila ishte vatër e kalifatit Abasid, si dhe në provinca. Ai zgjati nga viti 833 deri në vitin 848, një periudhë që përfshin sundimin e katër kalifëve, duke përfunduar gjatë kalifatit të el-Muteuekil, i cili u kthye në pikëpamjen tradicionaliste.

Edhe pse duke rrezikuar jetën e tij, Ibn Hanbeli refuzoi të pajtohej me doktrinën mutezilite. Ai u lidh në zinxhirë, u rrah dhe u burgos për rreth dy vjet. Pas lirimit të tij, nuk i rifilloi predikimet e tij derisa u shpall publikisht fundi i inkuizicionit. Disa teologë konservatore, për t’iu shmangur torturave, ishin tërhequr nga pikëpamjet e tyre dhe më vonë përdorën persekutimin (takijeh) si justifikim për sjelljen e tyre. Kjo është një leje specifike e dhënë në Kur’an për ata që dëshirojnë të përfitojnë nga ajo, kur detyrohen të deklarojnë një besim të rremë, ndërkohë që e mohojnë atë në zemrat e tyre. Teologë të tjerë, duke ndjekur shembullin e Ibn Hanbelit, refuzuan t’i mohonin besimet e tyre. Në vitin 833, Ibn Hanbel dhe një teolog tjetër, Muhamed ibn Nuh, i cili gjithashtu kishte refuzuar të hiqte dorë, u thirrën të paraqiteshin për gjyq para kalifit el-Mamun, i cili ishte në Tarsus (tani Turqia) në atë kohë.  Ata u dërguan të lidhur me zinxhirë që nga Bagdadi; por pak pas fillimit të udhëtimit të tyre, kalifi vdiq dhe gjatë kthimit të tyre për në kryeqytet, vdiq edhe Ibn Nuhu.

Ibn Hanbeli u urdhërua të paraqitej para kalifit të ri, el-Mutasim. Ai ishte në gjyq për tre ditë, dhe ditën e tretë, pasi njerëzit e ditur u grindën me të, pasoi një konferencë private me kalifin, i cili i kërkoi Ibn Hanbelit të ndryshonte qëndrim sadopak, në mënyrë që t’i jepte lirinë. Ibn Hanbeli dha të njëjtën përgjigje që kishte dhënë që nga fillimi i inkuizicionit; ai do të dorëzohej kur t’i jepej ndonjë bazë për modifikimin e besimit të tij që rrjedh nga burimet që ai i konsideronte si autentike, domethënë nga Kur’ani dhe traditat e Muhamedit (hadithet). Duke humbur durimin, kalifi urdhëroi që ta merrnin dhe ta fshikullonin. Gjatë gjithë fshikullimit, kalifi vazhdoi në përpjekjet e tij për ta bërë të heqë dorë, por pa sukses. Fryma e palëkundur e Ibn Hanbelit kishte filluar të ndikonte mbi kalifin; por këshilltarët e këtij të fundit paralajmëruan se nëse ai do të hiqte dorë nga ndëshkimi i tij, ai do të akuzohej se kishte kundërshtuar doktrinën e paraardhësit të tij el-Memun dhe fitorja e Ibn Hanbelit do të kishte pasoja të rënda në mbretërimin e kalifëve. Por trajtimi që po i bënte kalifi Ibn Hanbelit duhej të pezullohej, për shkak të zemërimit në rritje të popullatës që po mblidhej jashtë pallatit dhe po përgatitej për ta sulmuar atë. Ibn Hanbeli raportohet të jetë goditur nga 150 kamxhik, secili duke e goditur nga dy herë. Shenjat e plagëve i mbetën deri në fund të jetës. Inkuizicioni vazhdoi nën kalifin tjetër, el-Uethik, por Ibn Hanbeli nuk u ngacmua më, megjithë përpjekjet nga ana e kundërshtarëve të tij për ta bindur kalifin që ta persekutonte. Kalifi i ri, si paraardhësi i tij, ka shumë të ngjarë të ketë patur frikë nga kërcënimi i një kryengritjeje popullore, nëse ai do të vinte duart e dhunshme mbi një njeri që populli e donte dhe vlerësonte shumë. Inkuizicioni vazhdoi edhe dy vjet në mbretërimin e el-Muteuekil, i cili i dha fund atij më 848.

Ibn Hanbeli fitoi një reputacion të jashtëzakonshëm nga të gjithë personat e përfshirë në inkuizicionin dhe mirënjohjen e përjetshme të popullit mysliman. Atij i njihet merita se ka mbajtur pozicionin e tij përballë çdo kërcënimi, duke i shpëtuar muslimanët që të mos hiqnin dorë nga besimi. Në funeralin e tij mendohet të kenë shkuar rreth 800 000 persona.

Më e rëndësishmja nga veprat e Ibn Hanbelit është koleksioni i tij i traditave (haditheve) të Profetit Muhamed. Ky koleksion deri më tani besohej se ishte përpiluar nga djali i autorit (Abdullah), por tani ka dëshmi se vepra është përpiluar dhe rregulluar nga vetë Ibn Hanbel. Këto tradita u konsideruan nga Ibn Hanbeli si një bazë e shëndoshë për argumentim në ligj dhe fe.

Studimi historik në lidhje me Ibn Hanbelin dhe shkollën (medh’hebin) e tij ka vuajtur, perveç të tjerash, nga mungesa e dokumentacionit të mjaftueshëm. Prandaj, ka disa mendime në lidhje me Ibn Hanbelin që shqyrtohen më nga afër në dritën e dokumenteve të reja dhe studimeve të fundit.  Është vënë shumë theksi te ndikimi që ai ka patur nga mësimet e imam Shafiut, themeluesit të shkollës shafite, të cilin Ibn Hanbel duket se e ka takuar vetëm një herë. Ai kishte një respekt të lartë për imam Shafiun, por edhe për juristët e tjerë të mëdhenj që i përkisnin shkollave të tjera juridike, pa hequr dorë nga mendimet e tij të pavarura. Ai ishte kundër kodifikimit të ligjit, duke pohuar se ligjvënësit duhet të ishin të lirë për të nxjerrë zgjidhje për çështjet e ligjit drejtpërdrejt nga burimet e shkrimeve të shenjta, domethënë nga Kur’ani dhe suneti (tradita dhe praktika islame bazuar në fjalët dhe veprat e Muhamedit). Për këtë arsye, ai përpiloi Musnedin e tij madhështor, ku regjistroi të gjitha traditat që konsideroheshin në kohën e tij të pranueshme si bazë për zgjidhjen e pyetjeve, së bashku me vetë Kur’anin.

Shkolla Hanbeli ishte e organizuar mirë për shkak të ndikimit të Ibn Hanbelit në kohën e tij.  Shkollat ​​e tjera tashmë po përparonin në Bagdad kur shkolla hanbeli lindi në mesin e tyre, duke tërhequr anëtarësi nga ato. Lindja dhe konsolidimi i vonshëm është shkak për anëtarësimin relativisht të ulët të arritur nga shkolla hanbeli në krahasim me shkollat ​​e vjetra.  Megjithatë, rëndësia e shkollës dhe e themeluesit të saj nuk duhet gjykuar nga numri i anëtarëve të saj, por nga ndikimi i tyre në zhvillimin e historisë fetare islame. Në mesjetë shkolla veproi si majë shigjete tradicionaliste në luftën e saj kundër racionalizmit.

Postime të ngashme