Principet profetike në edukimin e fëmijëve (1)

  1. Fëmijët janë shëmbëlltyrë e prindërve.

Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Profeti s.a.s. ka thënë: “Çdo fëmijë që lind, lind në natyrshmërinë (fenë islame), por prindërit e bëjnë hebre, ose të krishterë, ose zjarrputist.” Gjithashtu, nga Enes bin Maliku r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk i mëshiron fëmijët tanë, dhe nuk i respekton të vjetrit tanë.”

Në të shumtën e rasteve fëmija është imitues dhe pasues i prindërve të tij. Prindërit kanë ndikim aq të fortë, saqë arrijnë ta ndryshojnë gjendjen e natyrshmërisë së fëmijës. Me këtë Profeti a.s. i inkurajon prindërit që të jenë shëmbëlltyrë e mirë në të gjitha fushat e jetës, e sidomos të kenë sjellje të sinqerta gjatë punës me fëmijët e tyre. Fëmijët i trashëgojnë sjelljet e të rriturve dhe i pasojnë ato. Në qoftë se fëmijët i shohin prindërit e tyre të sinqertë, atëherë ata do të zhvillohen dhe edukohen në sinqeritet, e po kështu edhe për virtyte të tjera. Me sjelljen e tyre fëmijët shprehin sjelljen e prindërve, pa marrë parasysh se çfarë tipi janë.

  1. Drejtësia dhe barazia në mes fëmijëve.

Profeti s.a.s. thotë: ‘Të jeni të drejtë për fëmijët tuaj në ndarje, ashtu siç dëshironi që ata të jenë të drejtë ndaj jush në bamirësi dhe sjellje.”

Kjo ka ndikim të madh në nxitjen dhe entuziazmin e fëmijëve për bamirësi dhe respekt ndaj prindërve. Në këtë drejtim mjafton njohja e ndjenjave të fëmijëve kur ndonjëri prej prindërve anon nga fëmija tjetër, pra që e dallon, e respekton, e afron më tepër, etj. Një veprim i tillë i prindit do ta nxisë fëmijën që të mbjellë inatin, xhelozinë dhe të këqija të tjera, e më vonë prindërit do ta kenë shumë të vështirë t’i përballojnë ato të këqija. Shembull të tillë në Kur’an kemi vëllezërit e Jusufit a.s., të cilët kur e hetuan animin e zemrës së prindit ndaj vëllait të tyre, ndaj Jusufit, dhe babanë e tyre e akuzuan për gabimtar. Në këtë kontekst, Allahu xh. sh. thotë: “Kur ata (vëllezërit) thanë: Me të vërtetë Jusufi dhe vëllai i tij janë më të dashur te babai ynë sesa ne, ndërsa ne jemi më shumë (grup). Vërtet babai ynë është në gabim haptazi.” (Jusuf,8)
Zilia e vëllezërve të Jusufit kishte pasoja edhe më të mëdha. Ata shkaktuan trauma familjare, kështu që fati i Jusufit a.s përfundoi me hedhje në pus kur ishte një fëmijë i vogël, pra që nuk kishte bërë asnjë mëkat, vetëm për faktin se babai i tij e donte më shumë se vëllezërit e tij. Për këtë arsye, sado që prindërit të japin udhëzime, këshilla, inkurajim, frikësim, ato nuk do të jenë të vlefshme përderisa prindërit nuk i përmbahen drejtësisë dhe barazisë në mes fëmijëve, qoftë materialisht, qoftë shpirtërisht.

  1. Të drejtat e fëmijëve.

Dhënia e të drejtave që u takojnë fëmijëve si dhe të pranuarit e së drejtës që ka fëmija, mbjell tek ai ndjenja pozitive. Nga ky veprim fëmija mëson se jeta është marrje dhe dhënie. Gjithashtu kjo për fëmijën konsiderohet trajnim për t’ iu nënshtruar të vërtetës. Ai para vetes sheh një shembull të mirë.

Kur Omer bin Abdul Azizi qe emëruar halif, vinin delegacione të ndryshme për t’ ia uruar detyrën. Në krye të një delegacioni kishte qenë një vogëlush, i cili në emër të delegacionit e uroi halilin. Omeri i kishte thënë: “A nuk gjeti populli juaj ndonjë më të vogël se ky për ta kryesuar delegacionin?!” Vogëlushi i qe përgjigjur: “O udhëheqës i myslimanëve, sikur të ishte çështja me moshë, atëherë ai që është më i vjetër se ti do të duhej të ishte në pozitën tënde, e jo ti. O udhëheqës i myslimanëve, a nuk e dini se njeriu përbëhet prej dy gjërave të vogla: gjuhës dhe zemrës?” Halili i kishte thënë: “Vazhdo të më këshillosh, o vogëlush! Vogëlushi kishte vazhduar ta këshillonte derisa halili kishte filluar të qante.

  1. Edukata në të ngrënë.

Gjatë kësaj kohe fëmija bën përpjekje që në çdo formë të gjejë për të ngrënë. Ai nuk zgjedh as mënyrën dhe as sjelljen. Shpeshherë bën gjeste të pahijshme dhe nganjëherë shkelen edhe normat thelbësore të edukimit. E nëse prindërit nuk ulen me të vazhdimisht gjatë kohës së ngrënies, për ta këshilluar dhe për t’ ia përmirësuar gabimet, atëherë fëmija do të mbetet me plot gabime dhe tradita të pahijshme. Kur prindërit nuk ulen me fëmijët e tyre gjatë kohës së ngrënies, kjo është një humbje e kohës së përshtatshme për këshilla dhe udhëzime. Pejgamberi a.s. hante me fëmijët e tij. Aty shihte dhe vërente shumë gabime. Ato gabime i evitonte me një metodë të butë, për të ndikuar në mendjen e fëmijëve.

Omer bin Ebi Seleme r.a. thotë: “Kam qenë i ri (fëmijë) në shtëpinë e Profetit s.a.s. Duart e mia merrnin ushqim nga çdo vend i tepsisë. Atëherë Profeti s.a.s. më tha: “O djalosh, përmende emrin e Allahut xh. sh., ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes!” Në këto thënie profetike vihet re qartazi thirrja e Profetit s.a.s. për fëmijët, që të hanë ushqim së bashku. Kjo është bërë me një metodë që përmban butësi dhe afërsi pranë tryezës. Pastaj Profeti a.s. i tregoi për mënyrën e ngrënies dhe normat e saj.

 

Postime të ngashme