Agjërimi i vë fre egos
Njerëzit e kanë për nevojë të pamënjanueshme t’i mbajnë në duar frerët e vetes, egos, sepse kërkesat dhe veset e egos janë për njeriun si helme vrasëse dhe si pesha të rënda që e tërheqin atë poshtë. Vetja, egoja e urdhëron njeriun përherë për të keq. Profeti Jusuf thoshte: “Me të vërtetë, unë duhet ta nxjerr veten të pafajshëm, sepse veç rasteve kur Zoti ka mëshirë për mua dhe më mbron, vetja më kërkon përherë të keqen, më shtyn për të keq. Me të vërtetë, Zoti im është falës dhe shpërblyes!” Me këto fjalë ai është përpjekur ta përkufizojë sa më mirë veten (nefsin, egon).
Nefsi ose vetja, egoja e njeriut është i tillë që sa më shumë t’i japësh, aq më shumë fryhet dhe sa më shumë që të fryhet, aq më shumë kërkon. Në një nga lutjet e tij, Profeti (s.a.s.) thotë: “Allahu im, mbështetem tek Ti nga dobësia dhe përtacia, nga frikacakëria dhe koprracia, nga pleqëria dhe vuajtja e varrit! Allahu im, fali nefsit tim përkushtimin dhe bëje atë krejt të pastër, sepse Ti je nga më të dobishmit e atyre që i nxjerrin të tjerët të pastër. Ti je Zoti dhe Zotëria i nefsit tim! Allahu im, mbështetem tek Ti nga dituria që s’jep dobi, nga zemra që s’ka frikë, nga nefsi që s’ngopet, nga lutja që s’pranohet!” Kurse në një lutje tjetër, Profeti është mbështetur te Allahu nga e keqja e nefsit, nga të këqijat që mund t’i sjellë në kokë.
Në këtë kuptim, agjërimi është si një mburojë kundër ndodhive të zinasë (adulterit ose marrëdhënieve seksuale jolegjitime dhe prostitucionit) që e zvarrisin njeriun në rreziqe shumë të mëdha. Ata që s’kanë mundësi të martohen, sipas porosisë së Profetit (s.a.s.), duhet të agjërojnë sepse agjërimi është mburojë kundër mëkateve.
Agjërimi është simboli i zbatuar i mbajtjes së nefsit nën kontroll. Prandaj, agjërimi, i cili është detyrim (farz), është bërë një nga shtyllat themelore të besimit dhe është konsideruar si një nga rrugët që e çojnë me të vërtetë njeriun në devocion (takva) që është shprehja praktike e zbatimit të Islamit në veten e njeriut. Allahu i Lartë urdhëron kështu: “O njerëz, ashtu siç qe bërë agjërimi detyrim (farz) për paraardhësit tuaj, u bë detyrim edhe për ju që të ruheni (nga mëkatet)!”
Agjërimi është një fre, një mëgojëz për nefsin (egon). Agjërimi e thyen egoizmin faraonik të nefsit (egos). Në një hadith ku bëhet fjalë për këtë specifikë, thuhet kështu: “Për ta edukuar nefsin, Zoti i dha ndëshkime të ndryshme. Në fillim e dogji me zjarr. Dhe e pyeti: “Kush je ti e kush jam unë?” Nefsi iu përgjigj: “Ti je ti e unë jam unë!” Pastaj Zoti e edukoi me agjërim. Dhe e pyeti përsëri: “Kush je ti e kush jam unë?” Nefsi iu përgjigj: “Ti je Zoti i botëve, kurse unë, një rob i yt i përvuajtur!”
Shkurt, me anë të agjërimit, njeriu e mbron veten nga paturpësia ndaj Zotit dhe e kthen në një rob që i bindet dhe e adhuron Atë. Çdokush që mban agjërim, e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se fiton më shumë cilësi engjëllore ose bëhet më shumë engjëll se gjatë kohës kur nuk është i agjëruar. Gjithashtu çdo njeri e kupton se, po të mos i jepet leje, nuk bën dot as gjënë më të vogël, nuk e zgjat dot as dorën për ta marrë gotën e ujit dhe, prandaj, nuk është sundimtar, por i sunduar, nuk është i lirë, por rob dhe skllav. Si përfundim, e dallon dobësinë, varfërinë dhe mangësinë e vet dhe përgatitet të trokasë në portën e mëshirës me dorën e falenderimit shpirtëror. Mjafton që ta mbajë atë në përmasat e dhëna nga feja…