Agjërimi dhe edukimi i vetes

Një prej urtësive kryesore që qëndron pas urdhrit për të agjëruar, është se ky lloj adhurimi konsiderohet të jetë më efektivi për sa i përket edukimit të nefsit. Egoja e konsideron veten e saj të lirë dhe dëshiron të veprojë po si e lirë. Madje, ajo mund të mendojë se ka një lloj sundimi. Ajo s’do ta pranojë që ushqehet dhe rritet në sajë të mirësive të panumërta. Nëse nefsi posedon një lloj pasurie dhe shëndeti në këtë botë, e nëse verbërohet nga shkujdesja e tij, ai do t’i shpërdorojë mirësitë e Zotit, do të konsumojë çdolloj gjëje pa menduar për Krijuesin, i Cili është dhuruesi i tyre.

Kështu, në muajin e Ramazanit, nefsi i çdokujt, qoftë i pasur apo i varfër, do ta kuptojë që ai nuk është pronar i vetvetes, që nuk është as i lirë të bëjë ç’të dojë, por është rob i Zotit të tij. Ai do ta kuptojë se nëse nuk pranon të marrë asnjë urdhër, atëherë do ta ketë të vështirë të veprojë edhe gjërat më të lehta. Në këtë mënyrë, nefsi do ta kuptojë që ‘zotërimi’ i tij i gjërave është thjesht imagjinar dhe kështu do të fillojë ta falënderojë Zotin.

Mes transmetimeve të haditheve është edhe fjala e mëposhtme:

“Zoti i lartësuar i tha nefsit: ‘Kush jam Unë dhe kush je ti?’

Nefsi iu përgjigj: -‘Unë jam unë dhe ti je ti!’

Më pas, Zoti e dënoi atë duke e vendosur në Zjarr dhe e pyeti sërish.

Nefsi u përgjigj sërish si herën e parë: ‘Unë jam unë dhe ti je ti!’

Pavarësisht se sa u dënua, ai sërish nuk hoqi dorë nga egoizmi.

Në fund Zoti e dënoi atë me uri. Më pas e pyeti sërish: ‘Kush jam Unë dhe kush je ti?’

Nefsi i tha: -‘Ti je Furnizuesi im Bujar dhe unë jam robi Yt i dobët!’” (al-Hawbawi, Durratu’l-Waizin, f.11.)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: