A quhet shirk i fshehtë kur dikush shkon drejt një gjynahu dhe heq dorë për shkak të ndonjë njeriu?

Shirku i fshehtë është dy llojesh:

1)Të aktrosh për të fituar vëmendjen dhe aprovimin e njerëzve duke anashkaluar kënaqësinë e Allahut (xh.sh).

2) Të konsiderosh se shkaqet posedojnë fuqi ndikuese reale.

Ndryshe nga veprimi i një pune të mirë duke kërkuar vëmendjen e njerëzve, ndalimi nga një gjynah si pasojë e vëmendjes së tyre nuk konsiderohet shirk i fshehtë. Feja Islame madje ka nxitur që njeriu edhe nëse bie në gjynah ta fshehë atë. Profeti (alejhi selam) në një hadith të transmetuar nga Imam Buhariu dhe Imam Muslimi ka thënë: “I gjithë umeti (ndjekësit, populli) im është i falur përveç atyre që kryejnë gjynahet haptazi. Konsiderohet si gjynah haptazi edhe nëse dikush bën një gjynah natën dhe në mëngjes, edhe pse Allahu e ka mbuluar tregon: “O filan, mbrëmë bëra kështu e bëra ashtu.” Kalon natën i mbuluar nga Allahu dhe zgjohet duke publikuar atë që Allahu ia mbuloi.” (Buhari, Kitabul Edeb, 20/8, 6069).

Kështu njeriu duhet të ruajë privatësinë dhe sekretet e tij me Allahun dhe duhet të ruhet nga gjynahu i kryer haptazi. Ndalimi nga gjynahu sepse po të shohin njerëzit tregon se mekanizmi i turpit në ndërgjegjen e njeriut po funksionon. Megjithatë këshillohet që njeriu ta ndërgjegjësojë veten dhe të heq dorë nga gjynahu për hir të kënaqësisë së Krijuesit.

Postime të ngashme