A mund ta shpëtojë nijeti njeriun?

Nijeti që e drejton njeriun në një punë ose veprimtari praktike, në përfundim mund ta shpëtojë atë. Në të kundërt nijeti që nuk shkakton ndryshime në vendime dhe në zell, kurrë…

Nijet do të thotë kast dhe prirje, vetëdijë dhe vendosmëri. Në sajë të nijetit njeriu e di se kah priret, e di se ç’kërkon e prapë në sajë të tij njeriu fiton vetëdijen e kërkimit e të realizimit. Ashtu siç nijeti është baza e të gjitha veprimtarive të njeriut, është, njëkohësisht, edhe shkaku i atyre gjërave të cilave ai u del për zot duke u thënë e imja. Po ashtu, nijeti është piedestali më i palëkundshëm i vullnetit dhe themeli më i shëndoshë i aftësisë ndërtuese të njeriut. Madje, mund të themi se çdo gjë në gjithësi dhe në vetveten, egon e njeriut, si në pikëpamje të fillimit, si në pikëpamje të vazhdimësisë, është e lidhur nga nijeti. Pa iu mbështetur atij është krejt e pa mundur t’i japësh ekzistëncë diçkaje dhe as vazhdimësi asaj.

Fillimisht çdo gjë formësohet në mendje, shfaqet aty si një projekt. Në një etapë të dytë përparuese, planifikohet. Më pas, me zell dhe vendosmëri, i jepet formë përfundimtare. Ashtu siç do të mbetej pa rezultat çdo punë e filluar pa këtë projektim dhe planifikim, ashtu edhe çdo projekt e plan të pashoqëruar me vullnet e vendosmëri s’do të kishin vazhdimësi dhe rezultat. Ekzistojnë shumë gjëra që do të sinjalizonin, do të udhëzonin drejt kësaj aftësie dhe forca ndikuese të nijetit. Por ç’e do që shumica, duke mos qenë të vetëdijshëm për jetën që jetojnë, s’dinë gjë as dhe për këtë aftësi dhe forcë.

Nijeti aspiron një rëndësi mjaft të madhe edhte në aspekt të të mirave dhe të këqiave të njeriut. Në këtë moment ai bëhet ose një eliksir që vjen me një mijë shërime e të mira, ose përfundimi i drejtpërdrejt i veprimeve dhe sjelljeve dhe një stuhi e tufan që përlan e asgjëson të gjitha rezultatet. Sa gjëra të vogla në dukje ka që në sajë të nijetit rriten e fitojnë përmasa: kokrra bëhet kalli dhe pika e ujit – det. Dhe ç’energji e ç’favore në përmasat e një mali mbeten distrofe e shterpë për shkak të një nijeti të keq!

Jetesa me konceptimin dhe vetëdijen e përulësisë e të adhurimit, të hequrit mënjanë, ndejtja pa ngrënë e pa pirë dhe ndarja prej një pjese kërkesash e dëshirash legale, ia lartësojnë kryet njeriut drejt botërave sublime dhe e bëjnë sovran. Kurse të njëjtat veprime e mijra të mbetura larg këtij konceptimi, nuk i vlejnë asgjëje veç ankthit e lodhjes. Kjo do të thotë se në udhën e arritjes së miratimit të Krijuesit, njeriu lartësohet edhe me ato që kreu, edhe me ato që braktisi dhe fiton cilësitë e krijimit të përkryer(1). Kurse jashtë miratimit të Tij, një mijë punë e energji s’vejnë për asgjë…

Nijeti është tharm i tillë që shfaq një mije variacione e që atë që s’është e bën të qenë, kurse gjerat që duken të qena, si pasojë e defekteve në të, vdesin e mbeten pa ndikim.

Ashtu siç janë të paktë ata që, rënë në luftë me rrobë të përgjakur, rrokullisen në humnerën skëterrore, nuk janë të paktë as ata që, në sajë të nijetit të kthjellët, vdesin në dyshek të butë e shkojnë në parajsë. Pranë e pranë trimave që pa marrë parasysh asnjë kundërvënie, përfyten me grindavecët me qëllim që të ndriçojnë të nesërmen, ata që i hyjnë kësaj përfytjeje për llogarira personale e për përfitime mediokre, janë të zotët e një kaste që nuk mund të mos përfillet. Duke shënuar lartësi të reja, të dytët duke u rrukullisur teposhtë, do të përfundojnë në ferr.(2)

Në jetën e kësaj bote të kufizuar e të përkohshme nijeti është një çelës enigmatik që i hap dyert e dritaret së pakufishmes dhe, në një jetë të caktuar, është një gjuhë e jashtëzakonshme që premton lumturi të amshuar ose fatkeqësi. Të ndërgjegjshmit në detyrën personale që e përdorin mirë e bukur këtë mjet, pa lënë në jetën e tyre ndonjë moment të errët ose vdekje, duke hapur dritë mjediseve të tyre, mund t’ia arrijnë ndriçimit dhe kënaqësisë së amshuar. Sepse, duke u kryer sinqerisht detyrat ditore, javore, mujore, vlera dhe dobia përkatëse e atyre detyrave nuk do të kufizohet në kohën e kryerjes, përkundrazi, duke përfshirë gjithë sekondat dhe minutat e një jete të tërë, do të shfaqë ndikim dhe përhapje.

Një luftëtar i gatshëm për në luftë, edhe kur nuk ndodhet praktikisht në luftë, do të fitojë të mirat që u bien në pjesë luftëtarëve. Edhe ushtari që pret në kazermë ardhjen e orës së rojës, do të përfitojë të mirat që i përkasin adhurimeve të dikujt që, sikur të bënte rojë, muaj e muaj të tërë ia kushton veten adhurimit.

Ja, kjo është ajo e fshehta sipas së cilës, ashtu siç njeriu besimtar do t’ia arrijë pavdekësisë dhe lumturisë së amshuar në një jetë të përkohshme, edhe mohuesi do të jetë kandidat për të jetuar prapësi e fatkeqësi. Ndryshe, sipas domosdoshmërisë së drejtësisë formale, çdo njeriu do t’i përshtatej mirësia dhe shpërblimi sipas masës së adhurimit dhe të vlerave morale, ndërsa mjerimi dhe vuajtja-sipas madhësisë së pafytyrësisë dhe poshtërsisë së tij, gjë që do të thotë se të mirët do të mbeteshin në parjsë aq a madhësia e kohës që jetuan si njerëz të mirë, kurse të këqinjtë do të mbeteshin në ferr sa madhësia e kohës që jetuan si njerëz të këqinj. Mirëpo Amshimi edhe për të mirët, edhe për të këqinjtë është shpërblimi i fundit që merituan, përtej të cilit është krejt e pamundur të mendosh diçka tjetër.

E kështu, pra, edhe lumturia e pafund, edhe vuajtja e fatkeqësia të pafundme në konsumim e të patejkalueshme, duhet të kërkohen vetëm te nijeti i njeriut. Ashtu siç besimi i amshuar dhe mendimi i orientuar do të bëheshin shkak të një lumturie të amshuar, edhe mohimi i përhershëm dhe mendimi pervers do të konkludonin në një fatkeqësi të amshuar.

Një njeriu të mbushur plot vetëdijë nënshtrimi e adhurimi, me që kontribuoi në orientim të botës së të menduarit si pasojë e atij nijeti e vendosmërie, duke iu pranuar vepra si ekuivalente e nijetit, në çastet e fundit të rrahjeve zemra do t’i trajtohet e kushtëzuar ndaj nijeti. Nijeti i besimtarit është më i dobishëm se vepra e tij(3). Po ashtu, një mohuesi që jeton çastet e fundit brenda atyre mendimeve ateiste e mohuese, me që u udhëhoq nga nijeti i nxirjes së mijra e qindra mijra viteve të së ardhmes, do t’i jepet dënimi sipas atij nijeti.

Kjo do të thotë se ajo që është esenciale në këtë subjekt, më shumë se shkak i jetës së mangët e të kufizuar që jetuan ata – në të vërtetë, edhe ajo jetë e kufizuar është identitet i mishërimit të nijetit – është nijeti i tyre. Besimi ndaj lumturisë së amshuar, qoftë edhe i lidhur pas miliona viteve, e çojnë individin besimtar në fitimin e xhenetit, parajsës së amshuar, e kundërta, mohuesin – në fitimin e xhehenemit, skëterrës së amshuar.

Ashtu siç do të heqë mohuesi ndëshkimin mohimit që e ruajti të gjallë në vetvete duke e ditur dhe dëshiruar këtë gjë, edhe shejtani, djalli që është shkaktari i të gjitha mohimeve, kundërshtimeve e teprimeve, do të heqë ndëshkimin e mendimit mohues që e ushqeu vazhdimisht në gji, në formën e një vuajtje të pambarim. Në të vërtetë, duke u nisur nga gjërat që përcaktojnë krijimin e djallit, atij i përkasin edhe një sërë punësh e shërbimesh. Tek progresi i një pjese dhuntish dhe kapacitetesh tek njeriu, tek zbulimi e pastrimi i shumë elementëve pozitivë të ndodhur në natyrën e njeriut, madje tek mbajtja zgjuar e në proçes shqyrtimi e zemrës dhe shpirtit, pothuajse pamundësisht i mohueshëm duket ndikimi i djallit…

Sigurisht, ai u varet në qafë individëve e kolektivave. Duke hedhur farën e helmuar në ndiesitë e tyre, ai përpiqet t’i shndërrojë ata në arë ku mbijnë e rriten e keqja dhe errësira. Si kundërveprim i këtij zelli intrigues e çorienrues të tij, ndjenjat shpirtërore kalojnë në gjendje alarmi tëpkë si zgjimi i vigjilencës së trupit dhe fuqizimin e sublimes tek njeriu, madje, shpesh mbështejten dhe strukjen e njeriut tek krijuesi ndaj këtij armiku shpirtrrëmbyes, gjë që do të thotë se, përballë mundësisë së paktë të dëmeve ndjesore e shpirtërore të jetës së njeriut, të arrihen përfitime të shumta. Fshikullimi me një ndikim të tillë (jomaterial) tek Biri i Njeriut i vullnetit për të luftuar dhe kalimi i tij në vigjilencë e përgatitje, është bërë shkak për shndërrimin e gjithë atyre njerëzve të vyer e të përsosur, për edukimin e gjithatyre luftëtarëve e heronjve fitimtarë!

Por ç’e do që në këtë përzgjedhje as që mund të bëhet fjalë për ndonjë përfitim të djallit, të kundërt me hedhjen e njerëzve në luftën e shenjtë e fitimtare dhe mundësimit të përfitimit prej tyre, sepse çka ai bën, s’i bën me qëllim që të lartësohen miqtë e të Vërtetit, i bën për t’i hedhur në mëkat ata e për t’i shkatërruar…

Kjo do të thotë se djalli e ka të prishur edhe nijetin, edhe veprën. Ai do të kushtëzohet jo me lërtësimin që u mundësoi të tjerëve, por sipas sëmundjes së tij, sipas së keqes së nijetit dhe sjelljeve të tij.

Djalli, siç e ka nijetin të prishur, edhe sjelljet të këqija i ka. Së pari, kundërshtimi i tij është i vetëdijshëm dhe mbrapshtia e tij është e paraditur.

12. (Allahu) Tha: Ç’a të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova? Ai (iblisi) tha: Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri e atë e krijove nga balta!

13. (Allahu) Tha: Zbrit nga ai (xheneti), nuk të takon të bësh kryelartësi në të, dil jashtë, s’ka dyshim, ti je i poshtëruar.

14. (Iblisi) Tha: më afatizo gjer ditën kur ringjallen (njerëzit)!

15. (Allahu) Tha: Ti je i afatizuar!

16. (Iblisi) Tha: Për shkak se më humbe mua, unë do t’u ulem atyre (do t’u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë;

17. Mandej, do t’ju sillem atyre para,prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falenderohen (të besojnë)! (Kur’ani, Araf:12-17)

Kjo revoltë dhe kryengritje e parë është një polemikë e vetëdijshme dhe, pas kësaj, zgjedhja e rrugës së mohimit. Kurse betimi i tij se do ta nxjerrë njeriun nga udha, është esenca e dramës së pafund të njerëzimit!

Është si rrjedhojë e këtij nijeti dhe vendosmërie të djallit që, edhe pse një pjesë ndjenjash të zgjuara në sajë të armiqësisë së tij janë të tilla që e çojnë të zotin drejt vlerave, kurrë nuk do t’i sjellin përfitim vetë djallit.

Si përfundim, mund të themi se në jetën e besimtarit nijeti është gjithçka. Ashtu siç është ai që u jep gjallëri veprimeve të vdekura të individit, është prapë ai që e shmdërron tërë jetën e një bote të kufizuar hap të gjitha dyert e dritaret që shohin kah lumturia e amshuar, është prapë ai që përgatit fatkeqësinë e amshuar dhe humbjen e amshuar!


*) Nijet qëllim, mendim (sipas Fajlorit të Gjuhës së Sotme Shqipe (F.Gj.Sh.) Një sinonim i kësj është edhe fjala kasd (arabisht), kuptimi i së cilës përputhet me përdorimin e kësaj fjale në shqip –kast- qëllim i paramenduar, paramendim (F.Gj.S.Sh). Për këtë këto dy fjalë do t’i përdorim siç janë në origjinal.
1) Në origjinal:ahsen- takvim (osm)
2) Në origjinal: tamu (turq)
3) Origjinali arabisht: Nijetul mu’min hajrun min amelihi (Hadith, porosi Profeike)

Postime të ngashme