A ka nevojë Allahu t’i dënojë krijesat e Tij?

Fillimisht duhet të qartësojmë se Allahu (xh.sh) është Zoti, Krijuesi i gjithçkaje dhe si i tillë, Ai nuk ka nevojë për asgjë. “Thuaj :Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të gjithë kanë nevojë për Të, Ai nuk ka nevojë për asgjë!” (Ihlas: 1-2).

Përsa i përket dënimit, Allahu (xh.sh) e ka sjellë Ademin (alejhi selam) në këtë botë si pasojë e një sprove. E krijoi atë dhe u sprovua me konsumimin apo jo të frutit të ndaluar. Njeriu i parë vjen në dynja me një sprovë dhe më pas, në mënyrë që të dallohen i miri nga i keqi, qymyri nga elmazi, kjo sprovë do të vazhdojë për aq sa do të jetë jeta. Ata që do ta fitojnë provimin do të shpërblehen me shpërblimet më të mira, ata që do e humbasin provimin do ta meritojnë dënimin.

Gjykimi për dënim apo shpërblim nuk është vendosur pa pasur parasysh vullnetin e lirë dhe punët e njeriut. “Njeriu do të ketë (shpërblim ose dënim) vetëm atë për të cilën ka punuar dhe përpjekjet e tij do të shihen. (Nëse ka vepruar drejt) ai do të shpërblehet me shpërblim të plotë.” (Nexhm: 39-41).

Një i ditur thotë: “Pushtetari duhet të ketë dy cilësi: 1) Në njërën anë butësinë dhe dhembshurinë. 2) Në anën tjetër shkatërrimin (e punëkeqësve) dhe edukimin. Shpërblimi vjen si pasojë e dhembshurisë dhe ndëshkimi vjen si pasojë e edukimit.” Ashtu si mosshpërblimi i vepërmirëve bie ndesh me drejtësinë dhe mëshirën hyjnore, po ashtu mosndëshkimi i mohuesve, zullumqarëve, despotëve, bie ndesh me shenjtërinë, urtësinë dhe drejtësinë hyjnore. Të dyja këto janë shenja të paaftësisë dhe dobësisë, ç’ka nuk përputhet me Allahut, Krijuesin, Absolutin.

Në këtë provim Allahu (xh.sh) shfaq njëkohësisht cilësinë e xhelalit (madhështisë) dhe xhemalit (bukurisë, bujarisë). Ashtu si Allahu (xh.sh) ka një mëshirë të pafundme, po ashtu ai posedon edhe drejtësinë absolute dhe është Ndëshkues i Ashpër. Një nga pasqyrimet e atributeve të bukurisë dhe bujarisë hyjnore (xhemal) do të jetë xheneti, ndërsa një nga pasqyrimet e drejtësisë dhe ndëshkueshmërisë hyjnore do jetë xhehenemi.

Postime të ngashme