Profeti Ynë (33) – Dhe koha e ritakimit me Xhebrailin

E kështu një ditë… Ishte një ditë e hënë, kalendari diellor për të cilën tregonte e Hënë e vitit 610. Dita e shtatëmbëdhjetë e muajit të Ramazanit… Në malin e Nurit u bashkuan nuret e shenjta, dhe ndërmjet tokës e qiellit u formua një kurorë e përbashkët. Engjëlli i kumtit, Xhebraili, besniku, erdhi dhe ia kumtoi përfundimisht dhe haptazi detyrën e profetësisë Muhamedit (a.s), më besnikut. Dy besnikëri po lidheshin bashkë kësisoj në malin e Nurit, aty ku po krijohej siguria e besnikërisë për njerëzimin.

Tashmë ishte koha e duhur që Nuri të takohej me Nurin e Vërtetë; për tërë njerëzimin po lindte një epokë e shndritshme. Qiellorja do të kapërthente tokësoren, duke i kërkuar që të lexonte: “Lexo!”. Ky ishte ngarkimi me një përgjegjësi, prej të cilës edhe guri me malin ishin tërhequr në pamundësi që ta përballonin… Pesha e kësaj përgjegjësie nuk ishte e atillë që mund të përballohej lehtësisht.

E, çfarë do të lexonte? Ai nuk dinte as të lexonte e as të shkruante! Nuk ishte ulur kurrë në kujdesin e dikujt për t’i mësuar. Sepse nuk kishte pasur as një qendër tjetër rëndese që të ndikonte tek Ai, përpos Allahut (xh.sh.).

  • Unë nuk di të lexoj, – ia ktheu Ai.

Xhebraili i afrua edhe njëherë, e kësaj here sikur e përqafoi pak më fort. E mbante ashtu të shtrënguar derisa të mos e ndjente më fuqinë e Tij, dhe duke e lënë përsëri, i thoshte:

  • Lexo! – i thoshte, – mirëpo i Dërguari i Allahut i përgjigjej po me të njëjtat fjalë.
  • Unë nuk di të lexoj!

Dukej që pas kësaj meseleje diç fshihej. Sepse Xhebraili i nderuar iu afrua edhe njëherë, e duke e mbërthyer për beli veçse e shtrëngonte, e kur e lëshoi i tha sërish:

  • Lexo!
  • Unë nuk di të lexoj. Çfarë të lexoj, – e pyeti kësaj here I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të!. Sërish e njëjta prosede, derisa më në fund dukej sikur kjo çështje e kishte gjetur zgjidhjen e saj enigmatike. Xhebraili, i Cili e kishte lëshuar tashmë Profetin, i tha:
  • Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.[1]

Tashmë çdo gjë dukej më e qartë; sepse gjithçka mund të lexohej, kur bëhej fjalë për me emrin e Zotit. Megjithëse ajo që duhet të lexonte, nuk i ishte treguar ende. Veçse ishte ashiqare që çdo gjë që shihte syri, dhe gjithçka që dëgjonte veshi, ishte krijuar për t’u lexuar. Çdo krijesë, që rrinte përpara njeriut ishte nga një ajet që tregonte meritueshëm për një prej emrave dhe cilësorëve të Allahut, dhe për t’u kuptuar më së miri, kërkonte orvatjen e çdo qenieje të ndërgjegjshme për ta lexuar me vëmendje.

Kësodore, Xhebraili i nderuar, i Cili e kreu detyrën e Tij të parë në Hira, u largua menjëherë. Pa u parë as se në ç’anë u zhduk. Tanimë e ndjente mbi shpatulla, të cilat i dukeshin më të brishta se kurrë, ndikimin e tërë këtyre që kishin ndodhur. Pas pak çastesh, Profeti ynë e kuptoi se ato që i silleshin atij ndërmendsh, nuk ishin tjetër pos fjalëve të Xhebrailit të nderuar. Ato që i tha Ai, tanimë i ishin vendosur në zemër përfundimisht, e i përsëriste ndërvete pa pushim.

Tanimë çdo gjë ishte më e qartë; Atij po i jepej detyra për ta drejtuar njerëzimin, që kahera i ishte futur një mënyre të gabuar jetese, drejt rrugës së drejtë e të hijshme. Tanimë ishte një detyrë e shenjtë që e priste; do të zbriste në Mekë, e këtë detyrë do të fillonte nga kumtimi, fillimisht njerëzve më të afërt të zemrës, e mandej edhe të tjerëve.

Do t’i ftonte të gjithë të lyheshin me bojën e Allahut Mëshirëplotë, e cila i sillte të gjithë në krijesa shembullore të Mëshirëplotit (xh.sh.). Kjo ishte një detyrë si e atyre që kishin ardhur si Ai, më parë, por më e veçantë, pasi e Tija do të përfshinte mbarë njerëzimin. Detyra e profetësisë tanimë i takonte Muhamedit të nderuar, birit të Abdullahut. Ai, për t’ia nisur kësaj detyre, zbriti menjëherë për në qytet.


[1]Shih: Alak, 96/1-5

Postime të ngashme

%d bloggers like this: