Cili është qëllimi i dërgimit të profetëve? (2)
Për më tepër, profetët janë dërguar për të vendosur baraspeshën midis dynjasë dhe Ahiretit. Me ekuilibrin e sjellë prej tyre njeriu shpëton nga qëndrimet ekstremiste dhe fiton qëndrueshmërinë. Për shkak të natyrës së krijimit, ai mbart në vetvete një dashuri të tepruar për botën. Jeta e përtejme është diçka që i përket botës së padukshme dhe mendja e njeriut nuk mund ta perceptojë ekzistencën e saj pa ndërmjetësimin e profetëve. Dhe ja ku vijnë profetët, të cilët njerëzve të shtënë pas kësaj dynjaje përpiqen t’ua kthejnë vështrimin kah Ahiretit.
Në ditët e sotme nuk është e mundur të mos shihet kjo e vërtetë: në një shoqëri që nuk beson në botën tjetër, nuk është e lehtë të flasësh për paqen dhe lumturinë. Veçanërisht kur vjen fjala te fëmijët një pjesë e rëndësishme e shoqërisë, të cilët vetëm me mendimin shpresëdhënës dhe të gëzueshëm për parajsën, mund të vazhdojnë jetën dhe t’i rezistojnë idesë së vdekjes që duket e tmerrshme dhe e dhimbshme për ta. Sërish, njerëzit e moshuar që përbëjnë gjysmën e njerëzimit, mund të tolerojnë idenë e varrezave duke i parë ato më pranë jetës së pafundme. Sa për të rinjtë, pjesën më dinamike të shoqërisë: ata mund t’i frenojnë ndjenjat e skajshme, dëshirat dhe kënaqësitë e tyre prej rënies në paudhësi, padrejtësi dhe imoralitet, vetëm përmes mendimit për Parajsën dhe frikës prej Ferrit. Vetëm profetët kanë mundur që me anë të parimeve që kanë sjellë t’i drejtojnë njerëzit në rrugën e drejtë dhe të ndërtojnë një shoqëri kaq të lumtur.
Një tjetër nga arsyet e dërgimit të profetëve është edhe që njerëzit të mos e kundërshtojnë Allahun në botën tjetër. Kjo theksohet në ajetin vijues: “Ne dërguam profetë përgëzues e paralajmërues që pas kësaj, njerëzit të mos nxjerrin pretekste ndaj Allahut! Allahu është i Plotfuqishëm, i Gjithëdijshëm!” (Nisa: 165)
“Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellim dëshmitarë dhe të të sjellim ty (o Muhamed) për dëshmitar mbi të gjithë ata?! Atë ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që nuk i janë bindur të Dërguarit, do të dëshironin të rrafshoheshin me tokën, por Allahut nuk mund t’i fshehin asnjë fjalë.” (Nisa: 41-42) Siç thuhet dhe në ajet, Allahu do t’i mbledhë të gjithë njerëzit dhe do të sjellë gjithashtu secilin profet si dëshmitar për kumtimin e fesë tek populli përkatës.
Që ta përmbledhim: çdo profet ka ardhur me disa mrekulli në mënyrë që t’i bëjë njerëzit të besojnë, si dhe të mos u lërë vend për justifikime atyre që e kanë ndarë të mos besojnë. Pas kësaj, askush nuk ka të drejtë të kundërshtojë. Allahu na i ka zbuluar të vërtetat që duhen besuar mjaft qartë me anë të profetëve. Fundja kjo është një ndër arsyet e dërgimit të tyre. Të mos harrojmë se Zoti i Lartë thotë: “E Ne nuk dënuam askënd para se t’ia dërgojmë të dërguarin.” (Isra: 17) Do të thotë se, dërgimi i profetëve vë në lëvizje llogaridhënien dhe peshimin e veprave pa pranuar më gjatë shfajësime për ndonjë çështje.