Drita e ndërgjegjes janë dijet fetare, drita e mendjes janë dijet shkencore
Njeriu fiton diturinë në sajë të përpjekjeve që bën, duke vënë në veprim mendjen dhe shqisat. Por këto janë mjete lëndore. Si mund ta njohë ai shpirtin që nuk është lëndor, jetën apo vdekjen?
Imam Gazaliu thotë: “Ti që qëndron në botën e mendjes, mos i moho mënyrat e tjera të njohjes.” Njeriu i pajisur me dituri është i aftë që te çdo krijesë, gjë e dukuri që ndodh, të shohë gjurmët e Krijuesit të tij.
Çelësi kryesor që hap dyert e diturisë është feja, është dituri që mbështetet në Kuranin Fisnik dhe në hadithet e Profetit Muhamed (s.a.s). Burimet e diturisë Islame, të shpallura në Kuran, janë të vërteta, të drejta dhe të sakta. Duke i ndjekur ato, njeriu nuk do të jetë kurrë i humbur.
Ata që mësojnë t’i lexojnë shkencat natyrore me syrin e fesë, besimit, sigurojnë njohuritë e vërteta e të plota, si dhe aftësinë për t’iu përgjigjur pyetjeve “si?” dhe “pse?”.
Drita e ndërgjegjes janë dijet fetare, drita e mendjes janë dijet shkencore. Kurse e vërteta formësohet nga ndërthurja e këtyre të dyjave. Kur ndahen këto, tek ata që arsimohen vetëm me dijet fetare shfaqet njëanshmëria, kurse tek ata që arsimohen vetëm me dijet shkencore, shfaqen dyshimi dhe mashtrimi.
Shkenca në dorën e dikujt, ndërgjegjja e të cilit nuk është formësuar me kritere hyjnore, mund të bëhet një armë vdekjeprurëse!