Profeti Ynë (35) – Udhëzimet e Uarakas

Në Mekë jetonte edhe dikush tjetër që do të gëzohej tejmase kur të merrte vesh ato që po ndodhnin. Andaj Hatixhja, pa humbur aspak kohë, u nis menjëherë për tek djali i xhaxhait të saj, Uaraka bin Neufeli. Shkoi dhe ia tregoi të gjitha një më një ato që po ndodhnin me bashkëshortin e saj fisnik. Çdo shprehje shihej se shkaktonte një furtunë përbrenda Uarakas, derisa erdhi një çast që nuk mund të duronte më tej:

– Shenjtëri!.. Shenjtëri![1] – filloi të ulërinte dijetari i vjetër. – Të betohem për hir të Atij që e ka në dorë frymën e Uaraka bin Neufelit se nëse këto që po më thua janë të vërteta, atëherë burri yt është nderi i ardhur prej Profetit Musa dhe Isa. Nuk ka dyshim që Ai është profeti i mbarë njerëzimit. Shko e thuaja këto menjëherë, e kërkoji që të bëjë durim.

Me një fjalë, fara ishte plasaritur, e prej saj po lulëzonte një filiz i ri i njomë. Kësodore, kishte ardhur çasti i duhur, pas të cilit do të ndryshonte fatumi i mbarë njerëzimit. Kjo ndodhi që do t’ia ndryshonte drejtimin krejt historisë duhej dëgjuar edhe drejtpërdrejt nga goja e Tij e bekuar, pa transmetimet e Hatixhes, andaj ai u nis për t’u takuar me të, atje, në avllinë e Mekës. Megjithëse shumë më i vjetër në moshë, Ai do të tregonte një respekt të veçantë ndaj Muhamedit Paqja qoftë mbi Të. Uaraka iu afrua dhe e puthi në ballë…

– O nipi im! Tregomi edhe mua ato që dëgjove dhe pe, – i tha ai me njëfarë zëri që dukej sikur më tepër i kërkonte mëshirë…

Profeti i fundit i Allahut, filloi t’ia tregonte të gjitha pa perde Uarakas, i cili rrinte e dëgjonte me vëmendje… Çdo fjalë që dëgjonte, çdo thënie që i kumbonte në vesh, shkaktonte rrëmete brenda tij. Që prej kur kishte filluar të fliste Ai, Uaraka shndërrohej shpirtërisht, duke e përjetuar çështjen shumë ndjeshëm. Që prej vitesh kishte që e priste këtë sihariq. Me vite të tëra të jetës kishte jetuar me shpresën e kësaj dite të madhe, me të cilën përshëndoshej vetëm duke e lexuar nëpër libra. E ja ku e kishte të tërin përballë. Me të mbaruar fjalët e të Dërguarit të Allahut, filluan fjalët e urta të Uarakas. Fjalë të mbushura me ndjenja dhe dridhje të zërit. Ato fjalë deri në ditët tona do të fitonin një vlerë të pamatshme historike:

– Qoftë lëvduar Ai që e mban në jetë frymën time, por Ti je i Dërguari i fundit i Allahut. Ty po të bëhet i njëjti nderim që dikur, shumë kohë më parë, iu bë edhe Profetit Musa alejhi selam. Mos harro, Ti do të akuzohesh për një kohë të gjatë si gënjeshtar. Madje kur t’i vijë koha edhe do të torturohesh nga armiqtë të cilët kanë për t’u sjellë në mënyrat më harbute. Ah sikur, në ato ditë kur populli yt do të ngrihet e do të të përzërë, të isha i ri e të të mbështesja.

Fjalët që po dëgjonte në portën ku kishte shkuar për të gjetur derman, e tërhoqën së tepërmi Profetin tonë Paqja qoftë mbi Të; ai po ia tregonte të ardhmen gjithë shpresë. Veçse kjo shpresë nuk ishte edhe aq e lehtë për t’u duruar; në thelb të gjërave Atë e prisnin ditë të vështira, me urrejtje, mllef, armiqësi dhe vuajtje të panumërta.

Profeti i lartë më tepër kishte ngelur i shtangur prej fjalëve të Uarakas. Dukej që donte të mësonte diç më shumë prej plakut, andaj e pyeti gjithë merak:

– A do të më përzërë populli im?

Përgjigjja që u kthye ishte më shumë sesa një përgjigje; përgjigjja jo vetëm që i numëronte ato që do t’i ndodhnin, por edhe po i rrëfente se si ta zgjidhnin problemin e emigrimit me të cilin do t’u duhej të përballeshin.

– Edhe ty do të të nxjerrin prej qytetit. Sepse nuk ka njeri, që të ketë ardhur me Atë që do të sjellësh Ti, e të mos jetë përzënë e përndjekur prej njerëzve të popullit të vet!..[2]


[1] Mauerdi, Alamu’l Nubuue, 1/275
[2] Buhari, sahih, 1/4; Muslim, sahih, 1/97

Postime të ngashme