Profeti Ynë (34) – Drejt Mekës

Profeti Ynë (34) – Drejt Mekës

Tashmë dritat, qiellore dhe tokësore, që u bashkuan në malin e Nurit, ishin ndarë me premtimin për t’u takuar më shpesh, e kësisoj Profeti ynë i nderuar, Muhamedi Paqja qoftë mbi Të u largua për të shkuar në Mekë. Atij, tanimë i dukej sikur zemra do t’i dilte vendit nga gëzimi, e ndjente trupin të rënduar prej një thjeshtësie që i buronte që nga thellësia e shpirtit. Ishte rëndesa e revelacionit që e ndjente mbi shpatulla. Papritur, një zë i erdhi prej qiellit:

  • O Muhamed! Ti je i Dërguari i Zotit, – i tha kësaj here Xhebraili i nderuar.

Kur e ngriti kokën drejt qiellit, ç’të shihte, ishte Xhebraili me qëndrimin e Tij të hijshëm që përsëriste të njëjtat fjalë pareshtur.

  • O Muhamed! Ti je i Dërguari i Zotit, e unë jam Xhebraili.

Sikur do të rrëzohej e ndjente Ai veten. Derisa, ashtu i kapitur vazhdoi rrugëtimin. Me zor mundte sa ta lëvizte pak kohën, por prapëseprapë shihte të njëjtën pamje. Ç’ishte kështu? Në çdo anë i njëjti peizazh i shndritshëm! Ngjante sikur çdo anë të horizontit e kishte qerthulluar pamja e engjëllit.

Në anën tjetër, ishte Hatixhja e nderuar, e cila ishte frikësuar prej kësaj vonese të pazakontë të Profetit të njerëzimit. Kishte kohë që kishte dërguar edhe njerëz që të shihnin se ç’mund të kishte ndodhur. Ata e dinin se drejtimi i duhur për të kërkuar ishte Hira, andaj rendën menjëherë asaj ane, por pa kurrfarë rezultati. Më kot, Ai Paqja qoftë mbi Të nuk ishte as atje.

Sakaq, Profeti ynë ishte kthyer në Mekë, dhe shqetësimi sidoqoftë ishte fashitur njëfarësoj. Ecte drejt zërave që i vinin, e shihte se si çdo objekt, e çdo pemë, e çdo gjallesë merrte një tjetër pamje respekti ndaj Tij, duke e përshëndetur, e duke shfaqur dëshminë e tyre se Ai ishte Profet i Allahut.

U kthye menjëherë në shtëpinë e Tij, i emocionuar dhe i trembur njëkohësisht.

  • Mbulomëni me diçka! Më mbuloni me diçka, – i lutej Ai së shoqes me një zë të përvuajtur. Mandej e vendosi kokën mbi prehrin e nënës sonë të nderuar, Hatixhes. Nëna jonë veçantë, e pyeti me një zë të dhemshur:
  • O Ebu Kasem! Ku ishe deri tani? Të betohem në Zotin e Madhërishëm, se prej merakut dërgova disa burra që të të kërkonin, por më kot… – po i tregonte ajo kësodore të shoqit dashurinë e saj të thellë që ndjente për Të.

Për disa çaste, Ai nuk nxori asnjë fjalë, derisa:

  • Kam frikë prej vetes sime, moj Hatixhe! Kam shumë frikë se mos më ndodh ndonjë gjë e keqe. – i tha Ai.
  • Mos u frikëso fare, o i Miri i të mirëve! Allahu nuk ka për të të nxjerrë Ty asnjëherë të humbur, madje ka për të të mbrojtur përherë, – iu gjend prapë pranë e shoqja e Tij, me fjalët e saj të ëmbla, – sepse Ti je i drejtë, i ndihmon të afërmit e tu, i ndihmon me sa të mundësh të gjithë të skamurit dhe nevojtarët. I vesh, i ushqen dhe i tregon të drejtën sa herë që është e nevojshme. Njëkohësisht, i pret gjithnjë më së miri të gjithë miqtë që na bujtin. Ti je përherë në rrugën e të madhit Zot, duke ia dedikuar Atij çdo sekondë të jetës sate.

Profeti i fundit i njerëzimit sal’lallahu alejhi ue sel’lem filloi t’ia tregonte një e nga një të gjitha të ndodhurat e asaj dite. Hatixhja e nderuar ishte një njeri i veçantë; e bënte çdo punë me largpamësi dhe durim, e ishte edhe tejet e fortë. Zaten e dinte që një person nga të cilët kërkonin të gjithë ndihmë, nuk mund të kishte nevojë për diçka të këtillë. Prapëseprapë, ajo nuk do ta linte kurrsesi vetëm të shoqin që ishte në një gjendje të tillë. Ajo do ta mbështeste Atë në çdo grimë-çast të shqetësimeve të Tij.

  • Lëvduar qoftë Zoti për Ty, o më i afërmi për mua, – filloi ajo t’i fliste, – bëj durim, e do të shohësh që gjithçka do të zgjidhet. Të betohem për Atë që më ka edhe mua në kontrollin e vet, se Ti je i Dërguari i fundit i Allahut.

Sipas saj ky ishte një fund i pritur dhe i padyshimtë i kahershëm. Kësodore, ajo do të ishte e para që ia shpallte Atij dëshminë ndaj Tij, dhe asaj që do të vinte bashkë me Të, Islamit. Pasi tha këto fjalë, ajo u largua për ta lënë Të Dërguarin, të vetëm me Zotin e Tij.

Postime të ngashme