Profeti Ynë (14) – Rrugëtimi për në Siri dhe Murgu Bahira
Çasti për t’u larguar ishte afruar, dhe brenda karvanit që po largohej duke bërë përshëndoshjet e fundit, ishin edhe ata të dy, xhaxha e nip, të cilët po largoheshin duke i përshëndetur të gjithë me dorë. Kohë pas kohe u duhej të qëndronin për t’u qetësuar, sepse udhëtimi ishte i gjatë dhe rraskapitës. Më në fund, ata u afruan në një vend të njohur mes Jerusalemit dhe Sirisë, në Busra. Aty vendosën të bënin pushimin e radhës, për të vazhduar mandej pjesën tjetër të rrugës që u kishte mbetur.
Karvanarët sapo filluan të pushojnë, kur panë dikë që po u afrohej i entuziazmuar. Ardhësi ngjante të ishte krejt i ndryshëm prej njerëzve, njëlloj sikur të ishte dikush që i kishte shkëputur me kohë marrëdhëniet e veta me jetën. Andaj edhe karvanarët nuk i dhanë kurrfarë rëndësie, pasi nuk mund ta mendonin dot që një njeri në një gjendje të atillë të kishte diçka me ta. Mirëpo, ai, kur u afrua u tha:
Murgu Bahira i atij manastirit atje, ka dëshirë që t’ju gostitë me një zijafet.
Tanimë ata e kuptuan se kishte të bënte me ta, por nuk po kuptonin se cila mund të ishte arsyeja e kësaj ftese të pazakontë.
Bahira ishte një njeri që jetonte sikur të mos ishte i kësaj bote. Ai ishte thjesht një murg që e kalonte shumicën e ditës duke adhuruar Zotin. Megjithëse në fillim ishte hebre, ai me kalimin e kohës ishte bërë i krishterë, derisa më vonë i kishte thelluar aq shumë studimet e tij, saqë ishte kthyer në një nga njerëzit më në zë të vendit dhe të kohës. Në atë kishë që qëndronte, në dorën e tij dhe priftërinjve të tij gjendej një libër i vjetër, dhe padyshim që njëri nga ata që arrinin ta kuptonin ishte dhe ai. Ai jetonte me të vërtetë një jetë të shkëputur këso bote, tamam ashtu prej murgu.
Për të nuk kishin kurrfarë vlere, as vajtje-ardhjet e karvanarëve për qëllime tregtare dhe të tjera syresh materiale! Vetëm se, a nuk mund të ndodhë që për një çast ta nxirrte vështrimin jashtë disa boshllëqeve të kangjellave? Nuk ka dyshim, se kjo rrëshqitje e shikimit, nuk ishte gjë tjetër veçse një dimension tjetër i paracaktimit. Si gjithnjë, edhe tani po kalonte një tjetër karvan. Sikundër gjithë të tjerët, ky kishte diç të veçantë; bashkë me grupin, ishte dhe një re e bardhë, e cila i ndiqte nga pas pa u ndalur, duke i mbrojtur nga nxehtësia përvëluese e diellit. Mendja zuri t’i shkreptinte… Reja… Hijet… Koha e fundit… Profeti i fundit… Ahmedi… Libri i vjetër… Këto tema që po i behnin në mendje me shpejtësinë e një rrufeje, ia shtuan akoma më shumë interesimin karshi këtij karvani. Mos po i vinte ky thesar në duar? Po sikur të ishte me të vërtetë siç mendonte ai! Atëherë, ç’kuptim mund të kishte që ai të duronte ende pa vepruar?
Ky plak që ia kishte mbyllur dritaret kësaj jete, u rinua përnjëherësh, duke bërë disa veprime të cilat ishte e pamundur t’ia vëreje më parë. Në sytë e tij dukej qartë njëfarë gëzimi që e kishte humbur me kohë bashkë me shpresën se një ditë mund t’i rikthehej. I dukej sikur kishte gjetur një send të humbur qëkur. Mos vallë ai që po kalonte ishte Farakliti, i cili do të shfaqej në malet e Faranit.
Retë e karvanit, me t’u ndalur ai, u grumbulluan duke u dendur në një qendër, ku mbronin të fundmin person që po rrinte pranë deveve. Ndoshta ai që kishte ndenjur pranë deveve, kishte dashur të qetësohej nën një pemë, dhe retë ishin grumbulluar që ta mbronin prej rrezeve përvëluese. Edhe degët e pemëve kishin marrë forma të ndryshme, sikur të mos donin që rrezet të kalonin përmes për të shqetësuar këtë njeri.
Për ta kuptuar më nga afër nëse të gjitha këto kishin të bënin me ato që kishte lexuar, duhej t’u afrohej karvanarëve. Andaj, murgu Bahira, menjëherë u nis t’u thoshte:
O bashkësi prej Kurejshëve! Unë sot kam shtruar një drekë për ju, andaj të gjithë, i madh i vogël, i lirë apo skllav, dëshiroj që të merrni pjesë.
Të gjithë u habitën! Sepse kishin kohë që kishin kaluar shumë prej këndej, mirëpo murgu i një manastiri… Sidomos Bahirën, ata nuk kishin parë asnjëherë që të kujdesej njeri kësisoj. Prandaj edhe njëri prej tyre u hodh:
Pasha Zotin, o Bahira! Sot sikur po më dukesh ndryshe, ti nuk para ftoje njeri në manastirin tënd,- i tha ai.
Ke të drejtë, – ia ktheu Bahira, mirëpo, siç e the edhe ti, sot ka diçka të veçantë, por ju jeni miq. Përnjëherësh, nga brenda më lindi një dëshirë për t’ju gostitur. Ejani, mos ma ktheni! Ejani të gjithë të hani diçka prej sofrës sonë!
A ishte e mundur që të mos i përgjigjeshin një ftese kaq të sinqertë? Lëre që kishin me javë të tëra që udhëtonin, dhe ç’ishte e vërteta, ata ishin përmalluar për një ftesë të këtillë. Andaj, secili që përfundonte nevojat e tij afër karvanit, nisej në drejtim të portës së manastirit.
Në anën tjetër ishin banorët e manastirit, të cilët kishin filluar të kryenin të gjitha përgatitjet e nevojshme. Po përgatitej një sofër tejet e fisme për të gjithë udhëtarët e këtij karvani.
Kishin ardhur të gjithë: veçse pamja që i interesonte më së tepërmi Bahirës, qëndronte sërish atje pranë pemës. Nuk kishte arritur ta dallonte fytyrën që po kërkonte në mes të të ftuarve. Ngjante sikur do të pëlciste prej merakut, andaj nuk duroi dot:
O kurejshë, mos ngeli ndokush prej jush pa ardhur në këtë sofër? Mos ndoshta latë ndonjërin atje? – i pyeti ai.
Nuk ka ngelur askush që mund të vinte, me përjashtim të një djali të vogël, – iu përgjigjën ata.
Nga të gjithë ne, ai ishte më i riu në moshë, prandaj ne e lamë që të kujdesej për mallin e ngarkuar mbi deve, – shtuan disa të tjerë.
Mos bëni ashtu, – ia ktheu ai, thirreni dhe atë, që të marrë edhe ai pjesë në këtë gosti.
Edhe pse ishte një djalë i ri, ai kishte të drejtë të ishte pjesëmarrës, kështu që nuk pritën shumë dhe e thirrën edhe atë që të vinte. Njëri prej tyre u nis që ta thërriste Më Besnikun ndër njerëz. Tanimë do të ishte edhe ai në mesin e tyre. Bahira e ndoqi me sy tek afrohej. Çdo gjë kishte hyrë në vijën e duhur. Dyshimi i Bahirës sikur ishte qartësuar më shumë, dhe ngase e dinte se mund të merrte përgjigje për pyetjet e tij, gati sa nuk po fluturonte nga gëzimi. Nuk i kishte ngelur asnjë pjesë prej pikëpyetjes se ky ishte Ahmedi, myzhdeja e atij librit të vjetër!
Në anën tjetër, ushqimet ishin ngrënë, dhe njerëzit kishin filluar të lëviznin me ngadalë. Po sikur t’i iknin pa pasur mundësinë që të fliste dy fjalë me ta? Të bëhej ç’të bëhej, ai duhet të fliste me të. Atij i duhej që ta përforconte tashmë bindjen duke e pyetur për disa gjëra. Gjeti rastin dhe i tha:
Djalosh, do të të pyes disa pyetje, vetëm dua që të më betohesh për Latin dhe Uzën se do të më thuash veçse të vërtetën.
Besniku i Njerëzimit u shqetësua shumë nga do farë emrash të përdorura mes fjalëve të këtij murgu.
Mos më pyet asnjë pyetje duke më përmendur emrat e Latit dhe Uzës. Të betohem për Allahun, se sa më nevrikosin ata, nuk ka gjë tjetër që të më nevrikosë.
Zaten Bahira, i kishte përdorur ata emra veçse ngase e dinte se ishin dy idhuj për të cilët kurejshët linin kokën, dhe në njëfarë mënyre, donte të shihte qëndrimin që mbante Më Besniku për idhujt. Çdo argument që gjente murgu përforconte të mëparshmin. Kësodore, kjo bisedë sa vinte e po e rehatonte dhe e mbushte me gëzim sa vjen e më tepër. Dallimi i vërejtur ishte kthjelluar plotësisht dhe dukej ashiqarthi.
Atëherë jepmë fjalën në emër të Allahut që do të më kthesh përgjigje për pyetjet që dua të të bëj, – i kërkoi ai sërish Muhamedit paqja qoftë mbi Të!
Pyesni ç’të dëshironi! – iu përgjigj ai.
Tashmë Bahira e pyeti Muhamedin e përlartësuar paqja qoftë mbi Të! për çdo gjë që i vinte në mendje. Nga gjumi tek ëndrrat, nga jeta e përditshme te dëshirat e tij. Bahira pyet, ndërsa Profeti i fundit përgjigjet qetësisht. Ishte aq e qartë; çdo gjë po ecte njëlloj si në libër. Faktet dëshmonin se ai ishte e vërteta. Në fund kishte mbetur vetëm vula e profetit për t’u parë. Donte që ta shihte edhe atë. Ngaqë nuk dinte asnjë mundësi tjetër, i pëshpërit diç në vesh. Ai nuk e la aspak të priste murgun Bahira, por ia tregoi. Murgu Bahira kishte kohë që jetonte me shqetësimin se do të ikte prej kësaj bote pa e parë. Tashmë ai po e falënderonte Zotin që e nderoi me një mirësi të këtillë.
Nuk kishte ngelur asnjë pikë dyshimi. Atij tanimë i takonte edhe një detyrë e fundit historike, të cilën e realizoi menjëherë. Për këtë ai iu drejtua xhaxha Ebu Talibit:
Çfarë e ke ti këtë djalë?
Tek arabët, xhaxhai dhe gjyshi, në rastet kur babai i dikujt nuk jeton më, e quajnë veten baba, kështu që, Ebu Talibi pa duruar, iu përgjigj:
I ati.
Bahira që ishte përballur me çfarë kishte parandjerë, për një çast u dridhërua nga një frikë e brendshme, sepse kishte marrë një përgjigje të cilën nuk e priste. Qëndrimi i tij sikur thoshte, “Jo, nuk është e vërtetë!”. Sepse sipas atyre që dinte ai, babai i Tij do të vdiste ende pa lindur Ai.
Jo, kurrsesi ti nuk mund të jesh babai i këtij djaloshi. Nuk mund të jesh, pasi babai i Tij duhet të ketë vdekur me kohë, – ia ktheu murgu.
Zaten Ebu Talibi, ngase ishte ungji i Tij, ia kishte kthyer përgjigjen kësisoj. Tanimë ishte koha që ai të thoshte të vërtetën.
Ai është djali i vëllait tim, – tha ai tërë gjakftohtësi, dhe megjithëse mund të kishte filluar të shqetësohej prej pyetjeve, Bahira nuk reshti së pyeturi.
Po i ati me se merret atëherë?
Ai vdiq teksa nëna e këtij djali ishte shtatzënë, – iu përgjigj menjëherë dhe shkurt Ebu Talibi.
Tani po që çdo gjë kishte hyrë në shinat e duhura. Ai ishte shumë i kënaqur që e vërteta historike ishte bashkuar me bashkëkohësen.
Tani po që më the të vërtetën, – iu drejtua ai i kënaqur Ebu Talibit, duke e tërhequr diku aty, mënjanë, për t’i thënë disa gjëra me të vërtetë të rëndësishme. – Ju këshilloj që të ktheheni menjëherë në vendin tuaj bashkë me djalin e vëllait. Dhe përsa i përket këtij fëmije, do të bëje mirë që ta ruaje nga vërsulja e njerëzve të fesë. Sepse të betohem për hir të Allahut, që nëse arrijnë edhe ata t’i shohin ato që pashë unë, duke e njohur atë prej veçorive që e bëjnë të dallueshëm, atëherë kam frikë se do t’i bënin keq. Në mbarë botën do të ndodhë diçka shumë e madhe prej këtij nipit tënd. Andaj, shihni që të ktheheni një orë e më parë në vendin prej nga keni ardhur.[1]
Ebu Talibi i dëgjoi me kujdes këshillat e këtij murgu që fliste me urtësinë e shekujve dhe vendosi të kthehej menjëherë mbrapsht për ta ruajtur djaloshin, të cilin, për më tepër e kishte edhe amanet nga babai i tij; fillimisht i shiti mallrat aty në Busra, e mandej mori të nisej në drejtim të Mekës.
[1] Ibni Sad, tabakat, 1/153-5; Semani, ensab, 1/96-7; Taberi, tarih, 1/194-5