Profeti Ynë (11) – Vdekja e Aminës së nderuar

Robi i dashur i Allahut ndenji për një farë kohe edhe me nënën e Tij, Aminën. Nëna jonë e nderuar, Amina, mundohej që të mos ia bënte Atij të ndjeshme mungesën e të atit. Ai nganjëherë dilte për të bërë shëtitje me gjyshin e Tij, Abdulmutalibin, dhe nganjëherë e merrnin xhaxhallarët e vet që t’ia bënin kohën akoma më të kënaqshme.

Në zemrën e Aminës ishte rizgjuar dashuria për Medinën. Ajo donte të vizitonte të afërmit e saj që nuk i kishte parë për një kohë të gjatë, si dhe të kalonte pak kohë mbi varrin e burrit të saj, Abdullahut, i cili kishte ndërruar jetë pikërisht atje. Andaj, ajo vendosi të nisej për atje, duke marrë me vete të birin, Muhamedin, dhe Umu Ejmenin, të cilën e kishte kujtim të të shoqit. Me të mbërritur në Medinë, e panë se si kujtimet e së shkuarës filluan të gjelbëronin në thellësitë e kujtesës, të cilat shoqëroheshin herë nga një gëzim i papërshkrueshëm, herë nga vrunduj ndjenjash pikëllimi të thellë. Mbreti i mbretërve, që nuk e kishte parë dot të atin me sytë e kësaj bote, tashmë po e vizitonte në varrin e tij, dhe megjithëse pa e njohur ai lutej për të. Rrinte kokulur. Ndoshta, kjo duhet të ketë qenë edhe hera e parë që e ndjente se ishte jetim. Edhe nëna e ndjeu pikëllimin e të birit dhe u prek së tepërmi.

Pa kaluar shumë kohë, edhe nëna e Tij Amina u sëmur po në Medinë. Sëmundja sa vinte e i përkeqësohej. Kishin vetëm një muaj që kishin ardhur në Medinë, mirëpo tani u duhej medoemos të ktheheshin sërish për në Mekë. Nuk kishin se ç’të bënin tjetër veç të ktheheshin.

Teksa mbërritën pranë një fshati të quajtur Ebua gjatë udhës së kthimit, sëmundja e Aminës kishte arritur cakun e padurimit. Ajo nuk kishte tashmë as fuqi për të qëndruar në këmbë, andaj ata u detyruan që të pushonin ndanë një peme. Sa keq, me sa dukej bashkëshoqërimit të nënës në këtë botë po i vinte fundi. Edhe nënë Amina ishte duke i lënë lamtumirën kësaj jete.

Në një çast, u vu re se si sytë e nënës së pikëlluar ishin përqendruar mbi të birin, të cilin e prisnin punë shumë të rëndësishme për tërë njerëzimin. Sytë lëshonin rrëke lotësh, ndërsa zemra kapërcente gllënjka të tëra pikëllimi. Djalkën e saj të vetëm, i cili kishte qenë jetim deri më tani, ajo do ta linte tashmë të vetëm e pa njeri. Lotët që i lëshoheshin prej syve, i bënë të qanin edhe Umu Ejmenin me Muhamedin e vogël. Ngjante sikur e tërë Ebuaja të ishte kapluar nga zija. Mes nënës dhe të birit po përjetohej një përmbytje e papërshkrueshme ndjenjash. Më në fund, duke ia marrë duart e tij të vogla brenda duarve të saj të kadifenjta, e pa njëherë me kujdes, dhe i tha këto fjalë:

– Allahu të bëftë ty veç të begatë! O ti që je i biri i atij babai që shpëtoi nga goditja e shigjetës në këmbim të njëqind deveve, me ndihmën e Allahut që është Mbreti Bamirës! Nëse ato që unë pashë në ëndërr janë të vërteta, Ti do të jesh Profeti i shumëpritur, i dërguar nga Zotëruesi i plotë i Fuqisë dhe Bujarisë, për mbarë krijesat. Ti do t’u tregosh atyre të lejuarën dhe të ndaluarën, duke e plotësuar atë që paraardhësi yt, statuja e mirësisë, Profeti Ibrahim i pati sjellë njerëzimit. Andaj, Ti, me ndihmesën e Allahut, do të qëndrosh larg edhe nga idhujt që njerëzia aq shumë ka filluar t’i pëlqejë.

Çdo gjë e gjallë, është çdo çast fqinje me vdekjen. Ajo mund t’i vijë e t’i trokasë në derë nga çasti në çast, ashtu si çdo gjë e re është e paracaktuar që të vjetrohet. Ja, ashtu siç po vdes unë sot. Vetëm se emri im ka për të qenë i përjetshëm, sepse unë solla në jetë një fëmijë më se të pastër, të cilin po e lë sot pas si më të hairit ndër njerëz.[1]

Pasi i tha të gjitha këto, ajo i mbylli sytë për të mos i hapur më, dhe kësisoj dha edhe frymën e fundit. Kështu që, pas vdekjes së të atit në Medinë, për Profetin e Njerëzimit do të vendosej edhe vula tjetër në Ebua.

Në këtë kohë, që data tregonte vitin 576 sipas kalendarit diellor, Mbreti i mbretërve do të ngelej i vetëm e pa njeri. Pranë vetes tashmë kishte vetëm Umu Ejmenin. Këndej e tutje do të ishte ajo që do të merrte përsipër detyrën e prindit karshi këtij fëmije, duke u munduar sakaq që t’ia bënte të pandjeshme mungesën e prindërve. Ata u kthyen të dy për në Mekë, duke e groposur mërzinë që i kishte mbërthyer nga ndarja kaq e papritur prej Aminës së dashur.

[1] Isfahani, Delailu’n Nubuue, 119-20

Postime të ngashme