Njeriu dhe qëllimi i krijimit të tij

Njeriu në këtë botë kalimtare është dërguar me një qëllim të vetëm, por pranë këtij qëllimi kryesor i janë lejuar që edhe të bëjë gjëra të ndryshme pa u larguar prej rrethit të së lejuarës.

Në një ajet kuranor Allahu (xh.xh) na thotë kështu: “ Nuk i kam krijuar xhindët edhe njerëzit vetëm e vetëm që të më adhurojnë Mua!” (ed-Dharijat, 56) Kjo është arsyeja dhe shkaku kryesor i krijimit tonë, që të vijmë në këtë botë kalimtare dhe të arrijmë që të bëhemi robër të denjë të Allahut, të arrijmë që të bëhemi përfaqësuesit, mëkëmbësit e Allahut në këtë botë. Njeriu me të vërtetë që është trashëguesi i Allahut në këtë botë, njeriu është “zotëruesi” i çdo gjëje në këtë dynja sepse Allahu që është Pronari i çdo gjëje, Zotëruesi i çdo gjëje, i ka vënë në shërbimin e njeriut të gjitha. Këtë janë vënë në shërbim të njeriut i cili është halif-mëkëmbës,përfaqësues i Allahut në tokë, dhe prej tij Allahu nuk është duke i kërkuar asgjë në këmbim por vetëm diçka që njeriu të bëhet rob i Allahut dhe të largohet prej çdo rruge të gabuar që do ta largojë atë prej Allahut. Kjo është e gjitha që Allahu kërkon prej nesh, që të bëhemi rob i Tij dhe jo rob të materiales apo botës.

Njeriu është krijuar për të përjetshmen dhe nuk duhet që të joshet nga asgjë që është kalimtare. Atë e gëzon vetëm përjetshmëria dhe Ai që është i pafillimtë dhe i pafundëm, Allahu. Ky duhet të jetë një qëllim tjetër shumë i lartë i jetës tonë në këtë jetë që të bëhemi fitues të përjetshmërisë pasi të jemi bërë robër të Allahut Fuqiplotë.

Çdo gjë e cila është në këtë botë është në shërbimin tonë. Janë të shumta ajetet kuranore të cilat flasin për këtë. Në suren Bakara, Allahu na thotë kështu: “ Dhe është Allahu, Ai i Cili e ka krijuar çdo gjë në tokë për ju…!” (Bekara, 29) Kjo është një argumentet që na e tregon që çdo gjë është në shërbimin e njeriut. Ky ajet na tregon që çdo gjë në këtë botë është krijuar për njeriun e njeriu është krijuar për Allahun.

Ndërsa në një ajet tjetër kuranor Allahu na thotë kështu: “ Dhe është pikërisht Allahu, Ai i Cili e ka vendosur në urdhërin dhe shërbimin e njeriut çdo gjë që gjendet në tokë dhe në qiej. Patjetër që në këtë ka shembuj dhe mësime për popullin që arsyeton dhe mendon.” (Xhathije, 13)

Në këtë ajet kuptohet shumë lehtë që pikërisht për ata njerëz që mendojnë ka mësime në çdo gjë që Allahu ka krijuar. Pra asnjëherë nuk duhet menduar që diçka është krijuar pa e pasur një vlerë, por çdo gjë e krijuar në tokë dhe në qiej është për ti shërbyer njeriut. Në një ajet të së njëjtës sure, Allahu na thotë kështu: “Allahu ju ka vënë në shërbimin tuaj detin, në të cilin me urdhrin e Allahut të kalojnë anijet dhe të kërkoni prej begative të Allahut e të jeni prej mirënjohësve.” (Xhathije, 12).

Kur të arrijmë që të kuptojmë që çdo gjë në këtë botë është në shërbimin tonë atëherë do të fillojmë që ta falenderojmë Allahun për çdo gjë. E kur të fillojmë të falenderojmë Allahun për çdo gjë që kemi atëherë mirësitë e Allahut do të fillojnë të shtohen akoma më shumë. Kjo është kështu sepse është vetë Allahu që na e siguron këtë. Në suren Ibrahim, Allahu na thotë kështu: “ Dhe kujtoni kur Allahu ju lajmëroi se nëse do të falenderoni dhe të jeni mirënjohës për begatitë dhe mirësitë, atëherë Unë do tjua shtoj akoma më shumë begatitë e Mia!” (Ibrahim,7)

Falenderimi ndaj Allahut është një qëllim tjetër që njeriu duhet të ketë në jetë, sepse duke e falenderuar Allahun sa më shumë atëherë ne jemi futur në rrugën e të qënurit rob i Allahut. Njeriu duke u munduar që të bëhet rob i Allahut nuk duhet të shkëputet plotësisht prej dynjasë, por duhet të punojë që të marrë atë që Allahu e ka caktuar për të në këtë botë. Në një ajet Allahu na thotë se: “ Dhe mos e harro atë, rriskun që të takon ty në dynja!”(Kasas, 77)

Pra nga ky ajet kuptojmë që të behesh rob i Allahut, patjetër që do të punosh të marrësh atë që të takon në këtë botë por që nuk duhet të lidhesh fort pas saj, por ajo që fitohet në këtë botë duhet përdorur si një falenderim ndaj Allahut që na e jep mundësinë të punojmë dhe të fitojmë atë Ai e ka caktuar për ne.

Përgatiti: Andreot Sefa

Postime të ngashme