Agjërimi e maturon shpirtin

Njeriu është një qenie e përbërë nga dyshja trup-shpirt. Ashtu siç ka trupi një sërë nevoja dhe kërkesa, edhe shpirti ka kërkesat e veta. Për nga ana trupore-materiale, njeriu është një qenie e vogël, por për nga aspekti i aftësive shpirtërore, ai është në garën e bashkimit me përjetësinë. Me prirjet, dëshirat, kërkesat, fantazitë, mendimet dhe idetë e pakufishme që ka, njeriu është si një indeks i vogël i gjithësisë.

Akti më i lartë që i zgjeron dhe i zhvillon aspektin shpirtëror dhe të gjitha aftësitë e një njeriu të tillë, që bëhet shkak për plotësimin e dëshirave të tij, që ia zgjeron idetë dhe ia vë në rregull, që ia vë nën fre fuqitë e epshit dhe zemërimit, që e çon njeriun në përsosmërinë e paracaktuar dhe e vë në lidhje me Zotin e vet, është vetëm e vetëm adhurimi.57 Për rrjedhojë, të gjitha këto specifika janë të pranishme te agjërimi që është një lloj adhurimi. Në një hadith të tij, Profeti ynë ka thënë: “Çdo gjë ka zekatin e vet, kurse zekati i trupit është agjërimi. Agjërimi është gjysma e durimit!”

Namazi është shtylla e fesë, agjërimi është shtylla dhe ushqimi i shpirtit, kurse zekati është shtylla e shoqërisë. Pra, është e vështirë që feja të qëndrojë në këmbë pa namazin, shpirti pa agjërimin, shoqëria pa dhënien e zekatit. Ashtu siç e ushqen ngrënia trupin, agjërimi e ushqen shpirtin. Ashtu siç është i vështirë vazhdimi i jetës pa ngrënë, po aq është i vështirë vazhdimi i jetës shpirtërore pa agjëruar.

Ky është shkaku që në të gjitha fetë që kanë për synim ta ngrenë lart shpirtërisht njeriun, agjërimi, pavarësisht nga dallimet formale, është bërë parim i rëndësishëm i tyre. Për më tepër, të gjithë profetët që kanë vepruar si udhëzues për formimin dhe maturimin e njeriut, periudhën e tyre përgatitore për ta marrë përsipër një mision të tillë e kanë kaluar krejt me agjërim. Dhe kjo është një provë e veçantë që tregon ndikimin e agjërimit në formimin dhe maturimin e njeriut.

Po, te njerëzit shpirti zhvillohet në emër të trupit, kurse trupi, në emër të shpirtit. Ata që kërkojnë të zhvillohen në aspektin shpirtëror, duhet patjetër të mnbajnë agjërim. Ose le të themi ndryshe: ata që s’mbajnë agjërim, mbeten nën kufomën e vet dhe nuk afrohen dot në pjekurinë shpirtërore të kërkuar.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: