Përdorimi i aromës së mirë nga Profeti Muhamed (s.a.s)

Përdorimi i aromave të mira është një element pastërtie për njerëzit që jetojnë në shoqëri. Profeti Muhamed është pajisur me veçori që nuk gjenden tek asnjë nga profetët e tjerë. Kjo nuk është vetëm pastërti e urdhëruar nga legjislacioni islam, por është natyrale dhe duhet të jetë e tillë kur jetohet në shoqëri. Profeti ynë u mëson besimtarëve me sjelljet dhe veprat e tij se si duhet të jetojë një mysliman në shoqëri. Ai thotë: “Feja qëndron mbi pastërtinë”.40

Imam Kastalani thotë: “Profeti ynë edhe po të mos përdorte ndonjë aromë të mirë, mbajtja e erës së mirë ishte një nga veçoritë e profetësisë së Tij.” Madje shërbëtori i të Dërguarit të Zotit, Enesi (r.a.), transmeton: “Nuk kam ndjerë erë më të mirë, se era e Profetit tonë.”41 Në një transmetim të Bejhakiut, Darimiut, Ebu Nuajm Xhabiri bin Abdillah, thuhet: “Kur Zotëria i Gjithësisë kalonte pranë një mjedisi, atëherë ai mjedis mbante aromë shumë të mirë. Madje edhe ata që s’e kishin parë Profetin duke kaluar aty, mund të pohonin se kishte kaluar vetëm nga nuhatja e aromës së Tij.”

Në një transmetim të Taberanit, gruaja e Utbe ibn Ferkadit, Umu Asim, thotë: “Ne gratë e martuara me Utben përdornim shumë erëra të mira. Madje përdornim aq shumë, sa dukej sikur kishim hyrë në garë me njëra-tjetrën. Ndërsa burri ynë nuk përdorte asnjë lloj ere. Por mbante erë aq të mirë, saqë as ne që përdornim gjithë ato erëra, nuk i afroheshim erës së tij. Një ditë e pyeta burrin tim. Dhe ai ma shpjegoi:

“Një ditë kam qenë shumë i sëmurë. Profeti ynë më fërkoi barkun dhe shpinën me pështymën e Tij të bekuar duke mbuluar vendet e turpshme. Me ndihmën e Zotit u shërova. Dhe kjo erë e mirë më mbeti përgjithnjë.”42

Përsëri Taberani transmeton nga Ebu Hurejre: “Njëri nga sahabet erdhi tek Profeti dhe i tha: O i Dërguari i Zotit! Dua të martoj vajzën. Më ndihmo në përgatitjen e pajës së saj. Profeti iu përgjigj:

Tani nuk kam asgjë, nesër merr një shishe me grykë të gjerë dhe një copë dru dhe hajde. Të nesërmen, ky person erdhi te Profeti. Në dorë mbante një shishe me grykë të gjerë dhe një copë dru. Profeti ynë e fërkoi parakrahun e Tij të bekuar me copën e drurit dhe djersën e nxjerrë e futi në shishe. Pastaj i tha:

  • Thuaji vajzës ta përdorë për erë të mirë. Që atëherë, kur ajo grua lyhej me atë aromë, i gjithë populli i Medinës e ndiente. Madje shtëpinë e saj e quanin ‘Bejtul Metibin’.43

Enesi transmeton: “Një ditë Profeti na nderoi me ardhjen e tij. Ndërkohë ai nisi të djersijë. Nëna ime mblodhi ato pika djerse të bekuara brenda një shisheje. Kur Profeti e pa se ç’po bënte, e pyeti:

  • Çfarë po bën Umu Sulejm?
  • Do ta përdor si aromë, o i Dërguari i Zotit, – iu gjegj ime më. Pas kësaj Profeti i tha:
  • Po, nuk ka erë më të mirë se ajo.44

Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! e pëlqente shumë erën e mirë. Përdorte një erë të veçantë të quajtur ’sukke’.45 Ishte një erë e nxjerrë nga misku. Ai e përdorte gjithmonë. Ndonjëherë e vendoste në temjan dhe e përdorte për tymosje. Sumame ibn Abdilah transmeton se sipas Enesit (r.a.), Ai nuk i sprapste erërat e mira që i dhuroheshin. Enesi thotë: “Profeti ynë nuk e kthente erën e mirë që i dhurohej.”46 Kemi dhe një hadith tjetër nga Ibn Omeri: “Ka tri gjëra, të cilat nëse të ofrohen, nuk refuzohen: Jastëk, aromë e mirë dhe qumësht.”47 Me jastëk nënkuptohet jastëku që i jepet dikujt për t’u mbështetur apo dikujt që do të flejë. Nga Xhelaledin Sujuti na transmetohen këto fjalë:

Sunet është konsideruar mosrefuzimi i shtatë gjërave: Këpucë, erë e mirë, ëmbëlsirë, perlë, jastëk, mjete për pastrim, një shishe me erë të mirë, një lloj bari me erë të mirë.”48

Ebu Hurejre transmeton në një hadith se Profeti ynë ka thënë: “Aroma që përdorin burrat duhet të jetë e tillë që të përhapet, por mos t’i shihet ngjyra. Ndërsa tek gratë nuk duhet të përhapet aromë, përveç të afërmve, dhe ngjyra duhet të shihet.”49 Sepse gruaja duhet të përdorë erë të mirë vetëm afër atyre njerëzve ndaj të cilëve e ka të lejuar ose afër grave të tjera. Ajo që do të theksojë këtu Profeti është mospërdorimi i tyre jashtë shtëpisë.

Disa nga imamët selefi salihin radhisin disa nga vendet në të cilat burrat mund të përdorin erë të mirë si p.sh.: në tubime, ditën e xhuma, ditën e Bajramit, kur hyjnë në ihram, në mbledhje, kur lexojnë Kuran, kur japin mësim, kur kryejnë adhurimet. Ndërsa gratë mund të përdorin erë të mirë për burrat dhe për familjen e tyre.

Le të japim dhe një transmetim të fundit rreth kësaj teme. Osman bin Nehdi transmeton këto fjalë të Profetit tonë: “Nëse ndonjërit prej jush i dhurohet një bimë me erë të mirë, le të mos e sprapsë. Sepse ajo ka dalë nga xheneti.” Sigurisht që elementi që përdoret në hadith nuk është në kuptimin e të njëjtës erë. Erërat e mira dhe të lejuara të cilat i përdorim dhe i nuhasim në jetën tonë të përditshme janë një model i erërave të vërteta të xhenetit.

Profeti ishte shumë i kujdesshëm përsa i përket pastërtisë. Edhe Zoti i Madhëruar nuk e vendosi në pozitë të vështirë të Dërguarin e tij para njerëzve të tjerë. Një ditë, nëna jonë Aishe (r.a.), iu drejtua Profetit:

  • O i Dërguari i Zotit! Ne nuk shohim asgjë pasi ju kryeni nevojat tuaja personale.
  • O Aishe! A nuk e di ti? Toka thith nevojën e profetëve. Prandaj nuk shihet asgjë, – i përgjigjet Profeti.50

Hz. Ali (r.a.) ishte i pranishëm pas vdekjes së Profetit në larjen dhe mbështjelljen me qefin. Ai thotë: “Unë isha një nga larësit e të Dërguarit të Zotit. Pashë shenjat që kishte lënë vdekja mbi trupin e tij të bekuar. Nuk pashë asnjë ndryshim. I thashë: “O i Dërguari i Zotit! Jeni i këndshëm si i gjallë, ashtu dhe i vdekur! Ishin përhapur aq erëra të mira, saqë asnjëherë më parë nuk kisha ndjerë një të tillë.”51

Postime të ngashme