Jehona e një tërmeti!

Pa mbërritur ende agimi i datës 26 nëntor, toka u drodh fuqishëm jo më shumë se 30 sekonda. Shtëpitë na nxorën jashtë, koha u ndal tek frika dhe fjala tek lutja. Bilanci ishte tragjik, dhjetra jetë të humbura, qindra të plagosur dhe dëme të pallogaritshme materiale. Një panoramë e trishtë që në rastin më të mirë na ktheu vëmendjen tek vetja, për të reflektuar e për t’u kujtuar sërish se vërtet, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!

 “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” (El Bekara 155-157)

Në ditët në vijim toka është lëkundur edhe mijëra herë të tjera por pa u ndjerë aq fort, si për të na thënë me zë të lartë se është e gjallë dhe ka duruar shumë. Allahu e krijoi tokën dhe gjithë ҫka në të, e stolisi me krijesa të mrekullueshme të cilat i janë nënshtruar urdhrit të Tij dhe e adhurojnë Atë me gjuhën e tyre, pa u ndalur. Allahu krijoi edhe njeriun, të cilit ia nënshtroi të gjithë krijimin duke e nderuar si mëkëmbësin e Vet në tokë. Por njeriu u mashtrua.

Vendi i parë në Kur’an, në të cilin përmendet termi insan, gjendet në suren En-Nisa, ajeti 28, ku thuhet: “All-llahu dëshiron t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qënie e pafuqishme.”

Nyja shquese në termin (el-)insan tregon se kjo ndërlidhet me secilin njeri. Pra, nuk është i dobët dhe i pafuqishëm vetëm se ai është i sëmurë apo i moshuar, por se kjo është cilësi e çdo njeriu.

Në suren Junus, ajeti 12, Allahu thotë: “E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) i’u zbukurohet ajo që punojnë.”

 

Është interesant fakti që në vendin e parë në Kur’an, aty ku përmendet njeriu, pikërisht aty është vënë në dukje karakteristika e tij se ai është një krijesë e dobët dhe e pafuqishme.

Kjo mund të ndërlidhet me përmendjen e fundit të njeriut në Kur’an, respektivisht në suren El-‘Asr, ku thuhet: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: