Ç`duan akoma ata?!
Pyetet Ibrahim b. Ed`hem: A nuk thotë Allahu? “O robërit e Mi! Kërkoni prej Meje që t’ju jap.” Ne po lutemi, por nuk po na jep?
Ai i përgjigjet kështu; Kërkoni prej Allahut, por kur vjen puna nuk i bindeni Atij. E lexoni Kuranin, por nuk ndiqni rrugën që ai tregon. Përfitoni prej mirësive dhe dhuntive të Tij, por nuk e falënderoni për to. E dini që xheneti është përgatitur për personat që kryejnë adhurimet, por nuk përgatiteni për të. E dini që xhehenemi është përgatitur për gjynahqarët, por nuk ruheni dhe largoheni prej tyre. I shihni se çfarë u ka ndodhur baballarëve dhe gjyshërve tuaj, por nuk merrni mësim prej tyre. Nuk shihni të metat tuaja, por mundoheni të zbuloni të metat e të tjerëve. Të tillët të falënderojnë që nuk bien gurë prej zjarri nga qielli dhe që toka nuk po i përpin ata në thellësitë e saj.
Ç`duan akoma ata?! A nuk mjafton kjo si përgjigje e lutjeve të tyre?!
Përgatiti: Marius Tafani